El-Gaffar (Gjithëfalësi)
El-Gaffar është ai që shpërfaq fisnikërinë e tjetrit dhe mbulon veprat e turpshme. Mëkatet janë vepra të turpshme, të cilat Ai i fsheh duke vënë një perde mbi to në këtë botë dhe duke i falur në botën tjetër.
Perdja e parë që Zoti i dhuroi njeriut është fshehja në brendi të trupit të tij e organeve të turpshme.
Perdja e dytë është zemra e njeriut, të cilën Ai e ka bërë strehë të mendimeve të dënueshme dhe dëshirave të turpshme që asnjeri të mos i shohë.
Perdja e tretë është falja e mëkateve pa e turpëruar në sytë e të tjerëve. Zoti i ka premtuar njeriut se mëkatet e tij Ai do t’i kthejë në vepra të mira dhe dënimin do t’ia kthejë shpërblim, nëse ka dhënë prova besimi.
Hisja e njeriut në këtë emër gjendet në mbulimin e të metave të tjetrit. Profeti (s.a.s) ka thënë: “Kush ia fsheh të metat një besimtari, Zoti do t’ia mbulojë të metat e tij në Ditën e Gjykimit.” Përgojuesit dhe hakmarrësit janë privuar nga ky veçim. Nuk ka krijesa plotësisht të shëmtuara apo plotësisht të ndriçuara. Kush mbulon të ligat dhe përmend të mirat e njerëzve, është njeri që meriton një pjesë të këtij emri.