Ebu Bekri (r.a.), njeriu i standardeve të larta
Ebu Bekri (r.a.) mendonte se njeriu nuk duhet t’ia lejojë vetes që të ndryshojë sipas statusit që ai i fiton në shoqëri. Ai vetë e kishte praktikuar shumë mirë këtë këndvështrim që kishte për jetën dhe kështu, kishte vazhduar të jetonte në të njëjtën mënyrë edhe kur ai u bë lideri i myslimanëve, menjëherë pasi Profeti (a.s.) u largua nga kjo botë. Këtë nocion mund ta kuptojmë më lehtë nëse themi se Ebu Bekri (r.a.) vazhdoi t’i kryente veprat e mira vullnetare edhe pasi ai ishte bërë kalif.
Omeri (r.a.) kishte vënë re një veprim të Ebu Bekrit, të cilin e përsëriste çdo ditë pas namazit të sabahut. Sapo përfundonte faljen dhe lutjet e caktuara, ai dilte jashtë xhamisë dhe humbiste në shkretëtirën pakufi. Zhytej aq shumë në thellësi të saj, saqë humbiste nga shikimi i çdokujt. Omeri kishte vendosur që një ditë ta ndiqte dhe të zbulonte se çfarë bënte ky njeri i madh çdo ditë pas namazit të sabahut.
Atë ditë, ai e ndoqi fshehurazi dhe e pa teksa futej në një shtëpi në formën e një çadre në mes të shkretëtirës. Qëndroi ndoshta për pak orë në atë shtëpi dhe më pas e pa teksa dilte. Omeri shkoi pranë çadrës për të zbuluar se ç’kishte atje brenda dhe kush jetonte atje. Derën e hapi një grua e verbër dhe përreth saj gjendeshin disa fëmijë të vegjël, të cilët luanin.
Omeri e pyeti: “Kush jeni ju?” Ajo i tha: “Jam një grua e ve dhe e verbër. Këta fëmijë që luajnë janë fëmijët e mi jetimë.” Ai i tha: “Po njeriu që doli pak më parë nga kjo shtëpi, kush ishte dhe çfarë bën këtu?” Ajo iu përgjigj: “Ai njeri s’ma ka treguar asnjëherë emrin e tij. Ai vjen çdo mëngjes në shtëpinë tonë dhe kujdeset për ne. Pastron shtëpinë, lan rrobat dhe gatuan ushqimin. Pasi i mbaron të gjitha këto largohet dhe të nesërmen kthehet sërish.”
Omeri u mahnit edhe njëherë nga ky veprim i lartë i Ebu Bekrit (r.a.). Ai ishte kryetar shteti dhe ende vazhdonte t’i shërbente njerëzve në këtë lloj forme. I gjendur përballë një situate të tillë, ai tha: “E ke vështirësuar shumë jetën për kalifët që do të vijnë pas teje, o Ebu Bekr.”