Drejt rrugës së përmirësimit
Kur’ani thekson se qëllimi i krijimit të qenieve njerëzore është besimi dhe adhurimi i Zotit. Vetëm me anë të dritës së besimit ne mund të kuptojmë thelbin tonë, qëllimin e jetës, mund të bëhemi të vetëdijshëm rreth aspekteve të brendshme të fenomeneve, si dhe të arsyeve që qëndrojnë pas tyre. Në udhëtimin e tyre gjatë jetës, besimtarët e mirë dhe të vëmendshëm, e studiojnë ekzistencën dhe atë që ndodhet pas saj me mijëra herë, duke i dhënë kuptimin e vërtetë asaj. Ata i filtrojnë gjërat dhe ngjarjet pa pushim, duke u përpjekur të hapin çdo derë e duke u munduar të vendosin marrëdhënie me çdo objekt.
Të gjitha dituritë fillojnë nga dëshmia e njëshmërisë së Zotit. Të gjitha meritat e krijimtarive dhe të egos primare i takojnë Allahut. Kjo është dituria reale dhe nuk pranon marrëveshje, konsensus. Pas kësaj vjen raporti që ka besimtari me Profetin Muhamed a.s. Sa pjesë është ai te Profeti dhe sa pjesë është profeti tek ai. Sot dhe përherë kemi nevojë për njerëz që përpara fjalëve t’u flasin veprat, ashtu si bënin shokët e Profetit. Dhe jo për njerëz që i kushtojnë më shumë rëndësi aparencës, që vetëm dinë të flasin bukur e të bëjnë një diplomaci të mirë. Pikë së pari nga ne kërkohet të mendojmë, gjykojmë dhe të punojmë bukur, në përputhshmëri të plotë me kënaqësinë e Zotit. Dhe së dyti, të gjitha mjetet që do të përdorim drejt këtij qëllimi parësor, duhet të mos bien në kundërshtim me dispozitat islame. Vetëm atëherë do të kemi mirësinë dhe begatinë nga i Madhi Zot për të qenë të suksesshëm në punët tona.
Jeta që Zoti i ka dhënë njeriut në këtë botë është amanet. Prandaj njeriu këtë amanet duhet ta çojë në vendin e vet, duke u bërë rob i Zotit në kuptimin e plotë të fjalës. Gjithë jetën e vet myslimani përpiqet për të qenë një besimtar i denjë për Krijuesin e tij. Shprehja e Profetit a.s.: “Feja është këshillë”, do të thotë se feja është sinqeritet, ajo çfarë shpreh zemra, jo buzët. Këshilla jo vetëm që është prej feje, por është detyrë dhe mision i pejgamberëve, të cilët ishin dërguar t’ua tërhiqnin vëmendjen njerëzve duke i ftuar në adhurimin e sinqertë vetëm Allahut. Themi kështu, pasi njeriun e ndjekin nga pas shumë dëshira e pasione dhe, duke pasur parasysh fjalën e Zotit që njeriu është krijuar i dobët, ai shumë shpejt dhe shumë lehtë mund të bjerë në kurthin e kësaj bote. Në këtë mënyrë ai mund të bëhet rob i parasë, i postit, i famës, i epshit etj. Çdo njeri ka dobësitë e veta dhe askush nuk mund ta refuzojë këtë, sepse kjo na bën të jemi njerëz të gabueshëm. Ajo që kërkohet prej nesh pas besimit, është të formojmë dhe të ndërtojmë mekanizmat e duhur për të ecur pa lëkundje në rrugën drejt Zotit. Kjo natyrisht duhet të shoqërohet me lutje e përgjërime ndaj Krijuesit që të na ndihmojë në rrugëtimin tonë drejt përmirësimit. Sigurisht rruga që të çon në xhenet është e gjatë, e lodhshme, me sakrifica pa fund… Ndërsa e kundërta ndodh me rrugën që të çon në xhehenem; ajo është si një autostradë pa pengesa, ku përbri gjen lëndina e mjedise të bukura. Aty shikon bukurinë dhe ngjyrat e natyrës që të bëjnë për vete.
Është i çuditshëm fakti që sa herë që njeriu bën përpara në rrugën drejt Zotit, djalli menjëherë reagon duke e sulmuar atë nga dobësitë e tij. Duke i njohur shumë mirë dobësitë e secilit, djalli vepron me dredhi për ta rrëzuar njeriun, madje kur përpiqet për këtë, dëshiron që ky rrëzim të jetë i fortë. Dredhitë e tij janë nga më të ndryshmet, sidomos kur luan me një kartë shumë të rrezikshme, siç është pesimizmi. Në çdo rrëzim që i bën, djalli sikur dëshiron t’i thotë njeriut që të dorëzohet; ai lë imazhin e vështirësisë dhe të pamundësisë së mbarimit të kësaj rruge.
Kur’ani i afrohet njeriut në të gjitha drejtimet si një i gjithi, duke iu referuar mendjes, zemrës, ndjenjave, emocioneve, që njerëzit me natyrë dhe karakter të ndryshëm ta marrin mesazhin hyjnor nga rruga e krijimit të tyre. Sot, për hir të Allahut është një punë për t’u bërë në vlerën e të gjithë botëve. Kjo punë është që botës t’ia bëjmë të njohur Allahun dhe t’i tregojmë për profetin Muhamed a.s. Atëherë le t’i lëmë pretendimet e mëdha, fjalët boshe dhe të përpiqemi për të përmbushur këtë detyrë fisnike. Të kërkojmë dhe të gjejmë rrugët që fenë tonë ta përcjellim tek të tjerët në mënyrën më të drejtë. Këto të vërteta të çmueshme që Allahu na dhuroi, vallë si mund t’ia përcjellim fëmijëve, të rinjve, grave, burrave, gjithë botës?! Ky është dhe duhet të jetë preokupimi ynë.
Si rrjedhojë, gjithmonë çështja më e rëndësishme te myslimanët është edhe një herë rizgjimi i shpirtit islam, rizgjimi i shpirtit të fesë. Deri kur do të harrohet vetvetja dhe do të mendohet lumturia e përhershme njerëzore?! Nëse ne kujtojmë dhe jetojmë vetëm për veten tonë, atëherë nuk mund të kujtojmë atë që duhet. A mos vallë nuk na shkatërrojnë ne, grupet e njerëzve që mendojnë vetëm për veten e tyre?!