Dobësia për fëmijën, e cila i hap shteg idhujtarisë.
Rreziku për të rënë në idhujtari, duke mos e ruajtur dot drejtpeshimin në dashurinë e treguar për fëmijën, pasi ai të është falur ashtu i mbarë siç e ke kërkuar, është gjithnjë aty, i pranishëm. Tek disa njerëz kjo ndjenjë është aq e fortë, saqë ata medoemosdo, në çdo çast e në çdo aspekt, do të thonë veç “fëmija im”. Për shembull, nëse ndokush në një takim të caktuar do të nisë ndonjë fjalë që nis po me të njëjtën rrokje si emri i fëmijës së tyre, ata do të përfitojnë menjëherë nga rasti për të hapur ndonjë bisedë, ku do të bëjnë fjalë për fëmijën e tyre. Ta zëmë se ua quajnë djalin Musa. Ndërsa janë duke folur diku, dhe ndodh që dikush të nisë të artikulojë ndonjë fjalë që nis me rrokjen `mu-‘, ata do të fillojnë menjëherë të thonë: “Edhe neve, aq shumë na kanë lumturuar sukseset e Musait tonë… Ai është fëmijë kaq shumë i suksesshëm…”, duke nisur kësisoj menjëherë nga himnet rreth marifeteve të fëmijës së tyre.
Po, kjo dobësi është aq shumë e fortë tek disa njerëz, ata do të gjejnë ngado që të jetë, nga një fjalë, nga një ndodhi a nga një histori e caktuar, një shteg për ta tërhequr fillin e bisedës nga djemtë a vajzat e veta. Kur ne e dimë fare mirë, se fëmijët, të cilët janë secili nga një pasqyrë më vete e “krijimit në trajtë të përsosur”, janë nga një amanet prej Allahut (xh.xh.). Nëse duhet t’i duam, duhet ta bëjmë këtë për hir të artit të Artistit që i krijoi dhe prej të Zotit, që na i fali. Dhe ç’është më e rëndësishmja, këtë dashuri dhe dhembshuri tonën duhet ta përdorim për t’i formuar ata me edukatën islame, meqenëse ata janë krijuar për të qenë kandidatë potencialë të përsosurisë së synuar thelbësisht prej Krijuesit.
Me fjalë të tjera, që ata të rriten në udhë të drejtë, të jetojnë veçse në rrugë të drejtë, duke u kthyer me ngadalë në nga një shembull më vete të mishërimit të rrugës së drejtë. Nënat dhe baballarët, kur i përkëdhelin apo kur u ledhatojnë baluket fëmijëve të tyre, duhet t’u pëshpërisin atyrë në vesh gjithnjë këto të vërteta, që ata të mos tregohen rebelë karshi Zotit, të mos bien pre e mashtrimeve të mosnjohjes së fesë, çka do të ishte një ngritje kryesh që do t’u shkaktonte atyre humbjen e jetës së amshuar. Sepse prindërit janë përgjegjësit e parë, të cilët duhet të kujdesen për çdo gjë të nevojshme, që fëmijët e tyre të kthehen një ditë tek Zoti poashtu, të pastër, siç u patën ardhur foshnje. Sepse edhe realizimi i këtyre është një tjetër fytyrë e tregimit të dashurisë për fëmijet, për shfaqjen e të cilës nuk ka, jo vetëm kurrfarë problemi, por edhe kurrfarë kufiri.
Mirëpo, në agjendën prindërore të njeriut nuk gjendet asnjëra syresh, nëse ai është lidhur pas fëmijës sikur me një idhull të vetin, duke e lidhur medoemos çdo gjë të kësaj bote me fëmijën e vet, asisoj që veç të ketë një mundësi që të flasë për të, ky njeri, që mund të thotë se i beson, si Allahut, ashtu edhe Profetit të Tij, pa e kuptuar as vetë, e ka përfshirë veten në një sjellje të pakëndshme idhujtarie. Për askënd që artikulon fjalën e dëshmisë, “Nuk ka zot tjetër veç Allahut, dhe Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij”, nuk mund të thuhet se ka rënë në idhujtari, mirëpo për të mund të thuhet se bart mbi vete një cilësi nga të idhujtarit, vetëmse prej qëndrimit karshi fëmijës.
Shihni se si shprehet Profeti ynë i Dashur (s.a.s.) në një fjalë të Tijën që hedh dritë mbi këtë çështje: “Ajo, të cilës i frikësohem më shumë për ju, është idhujtari e vogël.” Ndërsa, kur e pyesin, se ç’është kjo idhujtari e vogël, Ai u përgjigjet: “Dyfytyrësia, dëshira për t’u dukur.”( Ahmed bin Hanbel, el-Musned, 5/428-429; et-Taberani, el-Muxhemu’l-Kebir, 4/253.)
Njeriu mund të bjerë pre e dëshirës për të treguar veten nëpërmjet fëmijës së tij. E njeriu, ashtu siç mund të bjerë në idhujtari të vogël, duke dashur të bëjë të dallueshme bukurinë, formën, pasurinë apo çdo gjë tjetër të tijën, mund të përpiqet poashtu, që këtë dëshirë për t’u dukur ta përmbushë nëpërmjet shpërfaqjes së fëmijës.
Nëse do të na duhej, që këtë çështje ta ilustronim me shembuj konkretë, shprehja e vetes nëpërmjet mimikës është një lloj dëshire për t’u dukur. Kryerja e adhurimeve në prani të të tjerëve me një kujdes më të madh prej atij të shfaqur gjatë kohës kur i kryen vetëm është një tjetër shfaqje e dëshirës për t’u dukur. T’ia bësh të ditur gjithë të tjerëve një sërë punimesh të bukura pene, fjale a vizatimi, është një tjetër shfaqje e dëshirës për t’u dukur. Dhe sidomos, nëse përpiqet që fjalët e thëna t’i lëmojë edhe me shprehje të kadifenjta, si “me përpjekjet e mia modeste, me aftësitë e mia të cunguara, etj.”, kjo është shfaqja e një mendjemadhësie edhe më të thellë.
Në thelb, edhe përpjekja e njeriut për ta nxjerrë veten në pah nëpërmjet fëmijës së tij nuk se ka kushedi ç’ndryshim prej shembujve të sipërpërmendur. Ky njeri, do të thotë se po e ndot dashurinë e tij për fëmijën e vet, qoftë djalë apo vajzë, me mëkatin e idhujtarisë. Për mendimin tim, një besimtar duhet të tregojë po të njëjtin kujdes që tregon edhe për të ruajtur cilësitë e tij prej besimtari, apo kur përpiqet për të ruajtur nderin e tij personal apo të familjes. Duhet të përpiqet, që t’i ruajë ndjenjat dhe mendimet prej çdo gjëje që përbën dyshim përsa i përket sinqeritetit të tij, qoftë kjo përballë mendjemadhësisë dhe dëshirës për t’u dukur, qoftë përballë krenimit apo kërkimit të duartrokitjeve. Sepse secila prej tyre është nga një cilësi prej idhujtari. Prania e një cilësie prej idhujtari në shpirtin e një njeriu i ngjan pranisë së një virusi të rrezikshëm në trupin e tij. Disa syresh mund të shkaktojnë veç grip, mirëpo disa të tjera mund të shkojnë gjer aty, sa të shkaktojnë kancer apo AIDS.