Drejtpeshimi në dashurinë për fëmijën.

Sot, disa thonë se familjet janë të ndërtuara asisoj, që bërthamë të tyre kanë fëmijën. Ç’është e vërteta, nuk dihet nëse kjo çerdhe familjare ka me të vërtetë fëmijën në qendër, apo ka egon dhe epshet, apo ka mendjemadhësinë e shfrenuar, pasi edhe kështu mund të thuhet për të. Mirëpo ka diçka që dihet më së miri, që është: nëse njerëzit nisin të jetojnë një lloj jete të formësuar jashtë urdhëresave dhe ndalesave të fesë, ata kthehen në shumëqendrorë, çka është njëfarë hapjeje shtegu ndaj një larmie idhujtarish, të cilat bien të gjitha ndesh me parimin e njësisë hyjnore.

Veç kësaj, ndërtimi i martesës dhe familjeve mbi fëmijën, në atë farë mënyre, që me praninë e fëmijës, familja do të jetë më e lumtur, dhe jo e lumtur në mungesë të familjes, madje se si pasojë e kësaj në familje do të lindin mosmarrëveshjet, të cilat çojnë edhe drejt divorcit, janë gjëra që bien kryekëput ndesh me moralin e myslimanit si besimtar. Sepse një sjellje e këtillë, Zoti na ruajtë, është një shprehje e të mos qenit i kënaqur me paracaktimin e Allahut (xh.sh.), njëfarë goditjeje me gur e asaj ç’është shkruar për të ndodhur, me pak fjalë është një ngritje kryesh ndaj Allahut (xh.sh.). Po, këto lloj vështirësish që përjetohen si pasojë e një ligji të paracaktimit, në të cilin nuk është paraparë ekzistenca e një fëmije, janë veprime, të cilat nuk janë aspak të pëlqyera prej Allahut (xh.sh.). Prandaj, nuk do harruar kurrsesi, se ashtu siç prania e një fëmije është një lloj sprove, edhe mungesa e tij është poaq një sprovë e vështirë.

Një tjetër dëm i të parit të fëmijës si gjithçka, duke treguar ndaj tij një dashuri të tepruar, madje duke e vendosur atë në qendër të familjes, mund të shfaqet në trajtën e tolerimit të disa veprimeve të tij negative, për të cilat duhej ndjekur një rrugë e ndreqjes së tyre. Një sjellje e këtillë, me kalimin e kohës, çon në rritje fëmijësh me probleme. Kur synimi i vërtetë është rritja e fëmijëve të mbarë, me një moral të pastër, të drejtë dhe të mirë. Nënat dhe baballarët duhet të bëjnë gjithçka të mundur për t’ia arritur këtij qëllimi. Mirëpo, kur sheh sot, vëren se shtëpia është zhytur në injorancë, rruga në mungesë të plotë të dhembshurisë, faltorja pa pikën e emocionit, shkolla e pamjaftueshme për vetveten, çka përbëjnë një të vërtetë tejet të hidhur përsa i përket humbjes së dhimbshme të fëmijëve që pritet të formohen në këto vende.

Për një fëmijë të mbarë duhet fillimisht një edukim i mirë i nënës dhe babait. Nga kjo pikëpamje, gjëja kryesore që duhet bërë për formimin e një fëmije të mirë dhe të mbarë, është formimi i mirë i atyre që presin të bëhen nënë ose baba. Prindërve të ardhshëm fillimisht u duhet mësuar se si mund të bëhen prindërit e përsosur, e si duhet të sillen me fëmijët e tyre, që të mund të quhen të tillë. Madje, çiftet që do të martohen, përpara se të kryejnë procedurat e nevojshme, duhet të kalohen nëpër një varg kursesh, prej të cilave, vetëm atyre që arrijnë ta marrin me sukses certifikatën e kalimit duhet t’u lejohet martesa. Në këtë proces edukimi, atyre u duhet shpjeguar se cili është qëllimi i martesës, si ndërtohen marrëdhëniet e shëndosha në çift dhe domosdoshmëria e tyre, cilat duhet të jenë pikat kyçe të marrëveshjes së tyre të ndërsjellë, si dhe një sërë çështjesh të tjera që kanë të bëjnë me edukimin e fëmijëve në të ardhmen e tyre. Sepse, nëse njerëzit që do të martohen do të kenë një formim të këtillë, edhe institucioni i shenjtë që ata duan të ngrenë do të mund të kthehet në një çerdhe prej parajse. E padyshim, që edhe fëmijët e rritur në një familje të këtillë kanë për të qenë nga një fëmijë i mbarë.

Cilindo apo çfarëdogjëje që të duan, në përgjithësi, njerëzit që preken prej një dashurie të tepruar, përballen me një shpullë, që përmban të kundërtën e asaj që ata dëshironin. Nga kjo pikëpamje, nëse prindërit nuk i shohin fëmijët e tyre si nga një amanet i dhënë prej Zotit, por vendosin t’i duan ata thjesht për hir të kënaqësive të tyre egoiste, duke treguar dobësi karshi tyre gjer në një shkallë idhujtarie, vjen një ditë që sprovohen me vetë fëmijët e tyre, duke parë prej tyre nënvlerësim, urrejtje, mllef dhe mohim. Sepse ashtu siç çdo teprim të çon në mungesë, edhe në bark të mungesës fshihet një teprim. Kjo, ashtu siç është e vlefshmë për dashurinë e nënës dhe babait për fëmijën e tyre, është njëherazi e vlefshme për të gjitha llojet e dashurive njerëzore. Po, cilidoqoftë ai, nëse e ngrini një njeri në gradë më të larta se ç’është ai në thelb dhe në të vërtetë, atëherë dijeni se e keni tepruar me dashurinë e shfaqur karshi tij, kështu që mund të goditeni me të kundërtën e asaj që keni dëshiruar. Vjen një ditë, që prej atij njeriu, të cilin e keni dashur si i çmendur, dëgjoni fjalët më negative, e kjo ju shtyn ndoshta që edhe ju t’i përgjigjeni me po të njëjtën monedhë.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: