Ç’kuptohet ose ç’duhet të kuptojmë me fjalën drejtësi?

Drejtësia është një rrugë e mesme midis qëndrimit të ashpër, të rreptë, të pamëshirshëm, nga njëra anë, dhe qëndrimit indiferent, tolerant, të pakujdesshëm e mospërfillës, nga ana tjetër. Duke u nisur me faktin se drejtësia bëhet shkak për shumë dobi, ajo është identiteti i përdorimit të një pjese dhuntish të karakterit të njeriut në drejtimin e përcaktuar nga Krijuesi. Po, disa energji dhe dhunti që ndodhen tek njeriu, si epshi, zemërimi, ndrojtja dhe mendimi, po të kanalizohen mirë e bukur, do të kemi drejtësi, po të kalohet në skaje, në ashpërsi ose mospërfillje, ajo që do të shohim do të jenë perversiteti dhe mbrapshtia.

Le ta konkretizojmë këtë. Në kuptim të përgjithshëm, epshi është ekzistenca ose gjendja brenda njeriut e dëshirës për të jetuar jetë si dhe për gjëra të tilla që do të bëheshin shkak për të vazhduar gjininë njerëzore. Një aspekt i kësaj dëshire është ngrënia, pirja si dhe veprimtari të tjera jetësore me anë të të cilave njeriu realizon vazhdueshmërinë e ekzistencës elementare e të shëndetit të vet. Tani, po të dilnim jashtë kuadrit të trajtimit të arsyeshëm të kësaj ndjenje a dëshire, do të kalonim në qëndrime të tejskajshme. Nga njëra anë, duke e parë atë si një xhelat që na ka zënë udhën drejt përsosmërisë, do t’i shmangeshim plotësisht asaj ashtu siç bëjnë etërit e kishës e ky do të ishte një qëndrim i njëanshëm mohues dhe mospërfillës. Nga ana tjetër, me gjykimin e sotëm vulgar, duke mos njohur asnjë lloj kufizimi, do ta quanim legale çdo marrëdhënieje të kësaj natyre, gjë që do të ishte skaji tjetër i teprisë dhe ekspansionit.

Po kështu qëndron puna edhe me zemërimin: një grafullim, një shfryrje ndaj gjërave pothuaj të paqena, një tepri e skajshme, siç thotë populli: për një plesht djeg jorganin; skaji i kundërt me këtë, është qëndrimi i qetë e mospërfillës përballë nëpërkëmbjes së gjërave më të vyera e të shenjta, përballë asgjësimit të nderit përmes shkeljes së virtytit. Kurse drejtësia – një bulurimë, një kërcënim ndaj mohimit, padrejtësisë, shtypjes, ndërsa një qëndrim i butë dhe mirëkuptim ndaj anës tjetër, veçanërisht ndaj rasteve që do të bëheshin shkak për durim dhe dobi.

E njëjta gjë ndodh edhe me paranojën. Është një qëndrim i skajshëm i karakterizuar nga dyshimi dhe frika ndaj gjërave pothuaj të paqena, gjë që e kthen jetën në mundim(1); e kundërta është qëndrimi mospërfillës ndaj gjërave për të cilat duhet patur dyshim e frikë. Në rastin e parë është frika ndaj çdo gjëje në përgjithësi, për pasojë, mendimi për t’i ngarkuar çdo gjëje cilësi hyjnore, një shqetësim dhe telash ky që ka mbushur plot me idhuj rrethinat e Gangut. Në rastin e dytë kemi të bëjmë me marrëzinë për të mos ndjerë ndrojtje e shqetësim nga asgjë e askush në tokë e në qiej, me çmendurinë që di t’i zvarrisë gjer në vdekje të lidhurit a të varurit ndaj një personi të tillë. Kurse drejtësia, duke futur në llogari gjëra që priren kah rëndësia jetësore, njëkohësisht me konsideratën ndaj kujdesit e maturisë, është të mos dhënit shumë rëndësi një pjesë supozimesh shqetësuese me mundësi shumë të largët.

Edhe për mendimin mund të parashtrohen shqyrtime të ngjashme. Është teprim t’i besosh vetëm mendjes pa futur në llogari variantet e zhgënjimit e të perceptimit; është mospërfillje dhe indiferencë t’i hysh një pozitivizmi kategorik duke mënjanuar plotësisht mendjen; ose, duke konsideruar esenciale vetëm ndërgjegjen, të mohosh çdo gjë jashtë saj. Në qëndrimin e parë të skajshëm shohim llafazanërinë hileqare të logjistëve të vjetër si dhe dialektikën e materialistëve bashkëkohorë; në skajin tjetër, pozitivizmin e August Komtit dhe misticizmin kristian. Drejtësia në mendim është realizimi i kombinimeve të reja duke vlerësuar frytet e vëzhgimit e të perceptimit, përpjekja për të konceptuar elementet që s’hyjnë në sferën e vëzhgimit e të perceptimit. Kurse orientimi i mendjes duket i mundur vetëm nën spektrin ndriçues të revelacionit. Një mendje që ua ka kthyer shpinën frymërave qiellore, është dënuar të jetë ose një faraon nën aureolën e një krenarie Aristoteliane, ose diçka e tillë si një mizë dimri e vetmuar brenda mureve të një kishe.

Ashtu si mendja është thelbësore brenda këtyre ndjenjave, në të cilat jemi zotërues, është një fundament edhe në tërësinë e gjërave për të cilat, po ashtu, duam apo s’duam jemi përgjegjës. E drejta, e mishëruar në këtë formulim, është kusht në besim dhe rrjedh, së pari, nga fakti që ekzistenca e Zotit aprovohet e cilësuar me atribute përsosmërie, ndërkaq, krejtësisht e pastër nga çdo lloj atributi që mund të shfaqë. Sepse, ashtu siç quhet ilhad dhe ta’til, ateizëm dhe mohim, mospranimi i ekzistencës dhe atributeve të Zotit, ashtu edhe kategorizimi se Allahu është një trup i përbërë prej elementesh e organesh dhe ka një vend të caktuar, quhet teshbih[1] dhe kufër, pra krijimi i ngjashmërisë së diçkaje me Qenien Supreme, që është blasfemia më e rëndë. Kurse pikëpamja dhe dogma se Allahu ekziston me cilësi të një shkalle të përsosur, duke qenë sakaq i pastër nga gjëra të tilla si trupi, lënda, organet dhe mjetet, si dhe i pavarur nga hapësira, është një qëndrim i drejtë dhe njëkohësisht një rrugë e mesme midis dy rrëshqitjeve të skajshme që u përmendën më sipër.

Ekzistojnë një sërë çështjesh të tjera që do të ishte më afërmendsh nëse do t’i merrnim në shqyrtim me të njëjtën metodë. Për shembull, të thuash që njeriu nuk zotëron forcë, si dhe mundësi zgjedhjeje, përbën njëfarë dhunimi ndaj krijimit; cilësimi i njeriut si krijuesi dhe zotëruesi i të gjitha gjërave që kryen, është një protagonizëm i tepruar. Kurse të pranosh vullnetin e njeriut dhe të trajtosh esencialisht se çdo gjë është e krijuar nga Allahu, e gjitha kjo, sipas një kushti të thjeshtë, është diçka e drejtë.

Ne bëhemi dëshmitarë të zbatimit të drejtësisë shumë herë edhe në specifikat praktike. Së pari, është e drejtë të trajtosh të gjitha punët tona në kuadrin e drejtpeshimit midis kësaj bote dhe amshimit, midis trupit dhe shpirtit. Përkundër kësaj, vegjetimi dhe jetesa materiale, pa kushtuar kurrfarë kujdesi ndaj jetës ndjesore dhe botës shpirtërore, është një materializëm i qëllimshëm, ndërsa spiritualizmi mistik, që mohon dhe refuzon tërësisht lëndësoren, është njëkohësisht një qëndrim i skajshëm dhe mospërfillës në anën e kundërt të së drejtës. Ndërkaq, drejtpeshimi midis këtyre dy skajeve përbën një qëndrim të mirëorientuar.

Nëse ndër këto dy specifika skajore, është hebraizmi ai që përfaqëson njërën, tjetrën e përfaqëson krishtërimi. Për shembull, në hebraizëm, në vrasjen me paramendim është e detyrueshme vrasja e vrasësit pa u diskutuar mundësia e aktit të faljes, kurse në krishtërim, falja është e detyrueshme. Në këto kushte, në rastin e parë kemi një ashpërsi skajore, kurse në të dytin kemi të bëjmë me një mospërfillje po ashtu skajore. Kurse e drejta është dënimi duke mbajtur hapur udhën e faljes.[2] Në këtë mënyrë është e mundur të vërehet e të tregohet drejtësia brenda një jete të tërë mendore.

Drejtësia shoqërore që bëhet subjekt diskutimi as padrejtësia shoqërore ndërmjet tyre.

Ndoshta do të ketë edhe ndër ata kureshtarë që do të donin të pyesin për çka kuptojnë nga drejtësia shoqërore. Por, sa keq që një specifikë e tillë nuk mund të shtrëngohet në suazën e ngushtë të një subjekti pyetje-përgjigje, kështu që edhe ne, duke mos dashur të bëjmë një trajtim spekulativ, nuk po i hyjmë kësaj analize.

[1] Është fjala për antropomorfizimin që konretizon Zotin duke ia përngjasuar njeriut.

[2] Shih: Sureja Bekare, 178,179; Sureja Maide 45; Sureja Isra, 33.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: