Cili është kuptimi i fjalës ‘sadaka’?

Allahu i Lartësuar në sajë të mëshirës dhe bujarisë së Tij ka përcaktuar që rrugët që të çojnë te kënaqësia e Tij të jenë të shumta. Përveç akteve të detyrueshme, njeriu ka mundësi të afrohet te Zoti edhe me shumë vepra të tjera, të cilat feja jonë i ka përcaktuar si të pëlqyeshme. Një prej këtyre veprave të mira dhe me shumë shpërblim, është edhe sadakaja, lëmosha që japim për nevojtarët, apo për diçka që shërben për të mirë. Islami na mëson që të japim prej asaj që na ka dhënë Allahu, sepse në këtë formë ne kryejmë falënderimin për mirësitë e Zotit dhe gjithashtu shprehim solidaritetin tonë për kauza të ndryshme në shoqëri.

Por, ç’do të thotë fjala sadaka dhe si lidhet kuptimi i kësaj fjale me vetë aktin e solidaritetit apo bamirësisë? Fjala ‘sadaka’ vjen nga rrënja e fjalës ‘sa-de-ka’, e cila do të thotë të jesh i vërtetë dhe i sinqertë. Por si lidhet lëmosha që ne japim me të qenit i vërtetë dhe i sinqertë? Për kuptimin e kësaj fjale dijetarët kanë dhënë dy shpjegime të mundshme. Kuptimi i parë lidhet me të qenit i vërtetë në dashurinë që kemi për Zotin dhe kuptimi tjetër ka të bëjë me vërtetësinë e besimit. Sigurisht, këto dy pika janë të lidhura ngushtë edhe më njëra-tjetrën.

Sadakaja dhe vërtetësia e dashurisë sonë për Zotin

Të gjithë jemi të vetëdijshëm për lidhjen që njeriu ka me materialen dhe sidomos me paranë, e cila është ura lidhëse mes njeriut dhe gjërave që ai dëshiron në jetë. Këtë fakt, atë të dashurisë së babëzitur të njeriut ndaj parasë e përmend edhe Zoti në Kuran. Por besimtari ka një koncept ndryshe ndaj pasurisë. Ai nuk ia atribuon atë vetes, por Zotit të gjithësisë. E gjithë pasuria në duart e njeriut është e Tij, madje edhe vetë njeriu. Ky koncept bën që njeriu të dojë më shumë Dhuruesin e mirësive, sesa vetë ato. Për të treguar se ai është i lidhur vetëm me Zotin dhe jo me pasuritë e kësaj bote, ai shfrytëzon çdo rast solidariteti për të dhuruar diçka nga ajo që Zoti i ka dhënë. Vetë akti i dhurimit tregon se njeriu e do më shumë Zotin dhe kënaqësinë e Tij, sesa pasurinë që ka në duar dhe është i gatshëm ta sakrifikojë pasurinë e tij sa herë të jetë nevoja.

Sadakaja dhe vërtetësia e besimit tonë ndaj Zotit

Vetë Allahu është i cilësuar me atributin e bujarisë dhe Ai është Dhuruesi më i madh. Pasuritë e Tij janë të pafundme dhe Ai i dhuron kujt të dojë pakufi. Të japësh lëmoshë dhe të jesh i bindur në besimin tënd për Zotin do të thotë të jesh i bindur se Allahu ta kompenson atë që jep në një formë të caktuar. Si vjen ky kompensim? Ky kompensim mund të vijë në formën e shtimit sasior të pasurisë, por mund të vijë edhe në begatimin e asaj që kemi. Ky kompensim mund të jetë edhe shpërblim i shumëfishtë në botën tjetër. Me besimin e palëkundur që besimtari ka te Zoti, ai është e bindur që çdo grimcë mirësie do të shpërblehet, edhe pse është vetë Allahu Ai që na jep mundësinë të bëjmë punë të mira.

Islami na nxit për bamirësi, bujari dhe zemërgjerësi ndaj të tjerëve. Duke dhuruar në rrugën e Allahut, njeriu kuron edhe disa cilësi negative që mund të gjendet tek ai; siç është koprracia e të qenit dorështrënguar. Besimtari shfrytëzon çdo rast të mundshëm për të shprehur gatishmërinë e tij për të qenë pjesë e nismave të bukura. Allahu thotë në Kuran: “Le të shpenzojë pasaniku sipas pasurisë që ka, por edhe ai që ekonomikisht ka mungesa, le të shpenzojë nga që i ka dhënë Allahu; Ai nuk e ngarkon askënd (më tepër) se sa i ka dhënë. Allahu, me siguri, pas vështirësisë – sjell lehtësi.” (Talak, 7)

Postime të ngashme