Cilësitë qenësore të Allahut

Cilësitë qenësore të Allahut/ Sifati thubutije

Këto cilësi që ndryshe quhen edhe tipare pozitive dhe, në mënyrë të kufizuar, ndodhen edhe te krijesat, pra ndodhen edhe te njeriu. Megjithatë, ato nuk mund të përqasen me të njëjtat atribute të Zotit, sepse atributet e Zotit janë të pakufizuara, kurse të njeriut janë të kufizuara. Cilësitë qenësore mund t’i përmbledhim kështu:

  1. Jetë (hajat).

Zoti është i Gjallë. Ky atribut ekziston pa fillim e pa fund te Zoti. Në Kur’an bëhet e ditur se Allahu është i Gjallë:

وَ تَوَكَّلْ عَلَى الْحَيِّ الَّذِي لاَ يَمُوتُ

 “Dhe mbështetu tek i Gjalli që nuk ka për të vdekur asnjëherë…” (Furkan, 58).

  1. Dituri (Ilm).

Zoti ka njohuri për gjithçka. Dituria e Zotit është e pakufishme dhe e pafundme. Me diturinë e Tij Zoti njeh gjendjen e të gjitha qenieve. Zoti njeh të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen. Ai njeh të fshehtën si dhe atë që është dhe duket sheshit.

Kur’an thuhet:

وَ يَعْلَمُ مَا فِي الْبَرِّ وَ الْبَحْرِ  وَ مَا تَسْقُطُ مِن وَرَقَةٍ إِلاَّ يَعْلَمُهَا

…Ai di gjithçka që ndodhet në tokë e në det. Jashtë dijes së Tij as edhe një gjethe nuk bie….” (En’am:59)

3.Vullnet (irade).

Çdo gjë që dëshiron Zoti, bëhet në çast. Mjafton Ai me thënë “Bëhu!” dhe ajo bëhet. Gjithashtu, gjëja që s’dëshiron Zoti, s’bëhet. Ç’do gjë ndodh dhe përfshihet në vullnetin e Tij. Në Kur’an thuhet:

إِنَّمَا قَوْلُنَا لِشَيْءٍ إِذَا أَرَدْنَاهُ أَن نَّقُولَ لَهُ كُن فَيَكُونُ

 Kur Ne dëshirojmë diçka, vetëm i themi “Bëhu!” dhe ajo menjëherë bëhet.” (Nahl, :40).

  1. Fuqi (kudre).

Zoti ka fuqi për çdo gjë. Ai është i Fuqishëm. Ai s’ka nevojë për mbështetjen e dikujt apo diçkaje tjetër. Zoti ka fuqi të pafundme. Në Kur’an thuhet:

إِنَّ اللَّه عَلَى كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ

…Pa dyshim, Allahu ka mundësi për të bërë çdo gjë, ka fuqi për çdo gjë.” (Bekare:20).

  1. Dëgjim (sem’).

Zoti dëgjon. Fuqia e Zotit për të dëgjuar është e pakufizuar. Ai dëgjon dhe kupton për çdo çast dhe në tërë gjithësinë se ç’thonë krijesat e Tij. Për të dëgjuar, Zoti s’ka nevojë për ndonjë organ. Në Kur’an thuhet:

وَ اعْلَمُواْ أَنَّ اللَّهَ سَمِيعٌ عَلِيمٌ

…Dijeni se Allahu Dëgjon dhe Di gjithçka.” (Bekare: 244).

  1. Shikim (basar).

Zoti sheh. Edhe shikimi i Zotit është i pakufizuar. Ai e sheh atë që është larg, afër, i fshehur e i dukshëm. Në Kur’an thuhet:

وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ

… Allahu sheh saktë ato që bëni.(Enfal :72)

  1. Fjalë (kelam).

Zoti flet. Për të folur, Zoti s’ka nevojë për mjete të tilla si gjuha, tingulli, zëri etj. Allahu i Lartë, me disa prej profetëve, ka folur. Ai ka folur me Pejgamberin Muhamed a.s. Natën e Miraxhit dhe me Pejgamberin Musa a.s. në kodrën Sina. Lidhur me këtë, në Kur’an thuhet:

 وَ كَلَّمَ اللَّهُ مُوسَى تَكْلِيمًا

… e Allahu vërtet i foli Musait me fjalë.” (Nisa :164)

  1. Krijim (tekvin)

Zoti krijon. Ai krijon diçka nga hiçi. Me dijen dhe fuqinë e Tij të pafundme Zoti e ka krijuar gjithësinë dhe të gjitha qeniet që ndodhen në gjithësi. Për të krijuar, Atij s’i nevojitet asgjë. Akte të tilla si krijimi, plotësimi i nevojave të krijesave, vdekja, ngjallja (ringjallja), falja, dhënia e dhuntive kryhen si rrjedhojë e domosdoshme e atributit “krijim” të Zotit. Lidhur me këtë atribut, në Kur’an thuhet:

اللَّهُ يَبْدَأُ الْخَلْقَ ثُمَّ يُعِيدُهُ ثُمَّ إِلَيْهِ تُرْجَعُونَ

Allahu e fillon krijimin, pastaj e përsërit atë (pas vdekjes i ringjall). Më në fund, tek Ai do të ktheheni.” (Rrum :11).

Postime të ngashme