Çfarë është rijaja (shtirja)? (I)
Rija (shtirja), ka kuptimin e bërjes së veprave të mira dhe adhurimeve për t’u dukur nga të tjerët dhe jo për të fituar kënaqësinë e Allahut. Në kuptimin terminologjik Rija (shtirje) vjen nga fjala re’j (ria’) do të thotë “të dukesh, të shtiresh”. Në librat e haditheve dhe ilmihalë të ndryshëm, bashkë me fjalën “sum’a” (të rendësh pas famës), shtirja përkufizohet si “sjellje e shtirur bindëse për të fituar respekt e famë midis njerëzve, për qëllime të kësaj dynjaje.”
Shtirja është përkufizuar si: – “Të braktisësh sinqeritetin ndaj adhurimeve për hir të Allahut, që të marrësh vlerësimin e respektin e njerëzve.”
-“Të bësh sikur i bindesh Allahut për t’u vlerësuar nga të tjerët.”
-“Të bësh punë të mira e adhurime për të të parë njerëzit, pra të mos kesh qëllim çuarjen në vend të urdhërave të Allahut, por të kesh qëllim të dukesh tek të tjerët.”
-“Të kryesh adhurimet haptazi për të të parë e vlerësuar të tjerët.”
Termi i rijasë kalon në tre ajete si emër (Bakara, 2/264; Nisâ, 4/38; Enfâl, 8/47) dhe në dy ajete të tjerë si folje (Nisâ, 4/142; Mâûn, 107/6).
“ O ju që besuat, mos i prishni lëmoshat tuaja me të krenuar e me ofendim siç bën ai që e jep pasurinë e vet sa për sy e faqe të njerëzve…” (Bakara, 2/264)
“Edhe ata që e japin pasurinë e tyre për sy e faqe të botës, e nuk e besojnë All-llahun as ditën e mbrame…” (Nisâ, 4/38)
“Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre sa për krenari e për t’i parë bota…” (Enfâl, 8/47)
“Munafikët përpiqen të mashtrojnë All-llahun (duke u paraqitur rrejshëm si besimtarë), por All-llahu mbizotëron dinakëritë e tyre. Ata edhe kur falen, falen me përtaci dhe vetëm sa për t’u dukur te njerëzit dhe fare pak e përmendin All-llahun.” (Nisâ, 4/142)
“Ata që vetëm shtiren (sa për sy e faqe).” (Mâûn, 107/6)
Në hadithe të ndryshme kalon edhe fjala rija edhe fjalë të tjera të prejardhura prej saj. Në një hadith Profeti (s.a.s) ka thënë: “Shqetësohem për ummetin tim nga rënia në shirk dhe dhënies pas dëshirave.” Dhe kur u pyet nga sahabet: “A do të ketë shirk edhe pas ardhjes Tënde o i Dërguari i Allahut?” Ai (s.a.s) u përgjigj: “Po, veçse s’do të jetë në formën e adhurimit të idhujve, diellit, hënës apo gurëve. Njerëzit do kryejnë adhurime vetëm për sy e faqe (për t’u dukur).”
Në një hadith Kudsij Allahu thotë: “E mohoj atë person bashkë me shirkun e tij, në rast se ai adhuron dhe dikë tjetër bashkë me Mua!”
I Dërguari i Allahut (s.a.s) shtirjen e ka cilësuar si “shirk i vogël” dhe duke iu referuar personave që i kryejnë adhurimet e tyre për t’u dukur mes njerëzve thotë: “O ju që shtireni! Shkoni dhe kërkojini ata për të cilët i keni kryer adhurimet tuaja, a do t’i gjeni?” Me këtë Ai (s.a.s) dëshiron të theksojë se në ditën e Kiametit këta persona do të jenë përjashtuar nga mëshira e Allahut.