Çfarë është rijaja (shtirja) (II)

Shtirja më e rrezikshme është e atyre personave që i tregojnë të tjerëve gjërat që duhej t’ia shfaqnin vetëm Allahut. Kjo, sepse edhe nëse ky person duket se i bindet Zotit, ai në fakt po i bindet dikujt tjetër. Prandaj, shtirja është konsideruar një shirk i fshehtë.

Dijetarë të tjerë islamë, veçanërisht sufitë, e kanë konsideruar gjithashtu shtirjen si “shirk i fshehtë, ose hipokrizi”. Sipas sufive, personi dyfytyrësh i ngjason hipokritëve. Ata kanë thënë se ajo lëviz si milingona te personat të cilët kanë qëndruar larg mbrojtjes së Allahut dhe se ndjenjën e shtirjes mund ta shfarosë vetëm sinqeriteti.

Shkalla në të cilën shtirja i dëmton veprat është diskutuar në burime të ndryshme. Bazuar në to, në përputhje me rrethanat, privatësia është thelbësore në kryerjen e adhurimeve, sepse shpëtimin nga shtirja e siguron vetëm privatësia dhe sinqeriteti. Sidoqoftë, ka situata në të cilat nuk ka asnjë pengesë për të kryer haptazi vepra të mira ose adhurime, madje ka situata të tilla kur kjo është shumë e dobishme. Sepse, në Kuranin Famëlartë thuhet: “Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju…” (Surja Bekare, 2/271)

Për më tepër ka dhe adhurime të tilla si haxhi, agjërimi i Ramazanit, namazi i xhumasë, pesë namazet farz ditore, të cilat nuk është e mundur të fshihen. Por disa adhurime të tjera si namazi e agjërimi nafile, apo edhe sadakaja, të cilat është mirë të kryhen fshehur, ndonjëherë për të inkurajuar edhe të tjerët që të përfshihen në punë të hajrit, mund të kryhen edhe haptazi. Profeti (s.a.s) ka thënë që kushdo që vepron në këtë mënyrë do të fitojë dyfishin e masës së shpërblimit, si për shkak të veprave të veta ashtu edhe për shkak të shembullit të tij të mirë.

Çështja më e rëndësishme në çdo rast është të pasurit qëllimin e pastër dhe të qenurit i sinqertë. Nëse nuk ekziston një rrezik i tillë, është e dobishme të adhurosh haptazi si shembull për dikë tjetër, por nëse ekziston shqetësimi për kalim në shtirje a dyfytyrësi, atëherë privatësia është më e hajrit.

Postime të ngashme