Ç`është bërë në rrugën e dashurisë për Profetin Muhamed (s.a.s.)? (II)
Kishte prej atyre që ishin dashuruar aq shumë me të dashurin e Allahut (s.a.s), aq sa për të mësuar një hadith nga burimi, kishin shëtitur vise.
Xhabir b. Abdullahu (r.a) për të pyetur për një hadith rreth kisasit, udhëton për një muaj prej Medines në Sham. Ebu Ejub el Ensariu (r.a) për të vërtetuar vetëm një hadith, që kishte dëgjuar prej Profetit (a.s) shkon nga Medineja pranë Ukbe b. Amirit (r.a), i cili ndodhej në Egjipt. Ahmed b. Hanbeli për të mësuar hadithe prej Abdurrezak b. Hemmamit, ngaqë nuk kishte para të mjaftueshme, bëhet kujdestar i deveve të karvanit dhe udhëton drejt tij nga Bagdati për në Jemen. Said b. Musejibi, një person prej atyre që kishte parë sahabët, për të mësuar një hadith të vetëm kishte ecur me ditë të tëra.
Mushrikët e Mekes i vendosën si kusht shpëtimi Hubejbit, nëse ai do të dëshironte apo jo, që në vendin e tij të ishte Muhamedi (a.s). Ai iu përgjigj: “Jo, pasha Allahun. Jo që ai të ekzekutohet në vendin tim dhe unë të shpëtoj, por nuk jam i kënaqur që atij t`i ngulet qoftë edhe një gjemb në Medine.”
Komandanti i madh Halid b. Velidi (r.a) në fund të një lufte kishte humbur takkijen e tij dhe po e kërkonte me ngulm atë. Një sahabi nuk po i jepte dot kuptim kësaj gjëje dhe kur e pyeti, Halidi iu përgjigj: “Nuk doja që ajo takkije të binte në duart e mushrikëve, sepse brenda saj kishte disa fije floku të Profetit (a.s).”
Para luftës së Bedrit, Sad b. Ubade (r.a) i tha kështu Profetit (a.s): “Të betohem o i Dërguar i Allahut, që jo vetëm të sulmojmë armikun, por të na urdhërosh që të hidhemi në det, ne do të hidhemi pa hezitim.”
Mahmud Gazneliu nuk e përmendte emrin “Muhamed”, pa qenë me abdes.
Edhe në ditët tona të dashuruarit pas tij (s.a.s), për të shprehur dashurinë që kanë për të, kanë bërë gjëra të mahnitshme. Ka prej tyre që kur ulen në sofër me shokët dhe të dashurit e tyre, një vend mbetet bosh, kjo vetëm për të ndier pranë atë shpirtëroren e Profetit Muhamed (s.a.s).
Nëse këto ngjarje vlerësohen vetëm me mendje, ndoshta atyre nuk u jepet ndonjë kuptim. Nëse ato shihen me dritën e ndërgjegjes, atëherë do të kuptohen shumë gjëra dhe çështja do të shihet në një formë më të pastër. Kjo është çështje të kuptuari. Ai person që kërkon rreth vendit që zë kjo në fe, le të shohë ajetet që flasin reth dashurisë dhe bindjes ndaj Profetit (a.s) dhe atëherë ato do t`i dalin dhe teprojnë. Nuk duhet harruar se ndoshta këto sjellje mund të jenë kodi që të çon në njohjen hyjnore përmes rrugës së dashurisë ndaj Profetit (a.s). Me zgjidhjen e këtij kodi mund të zbresë edhe mëshira hyjnore.
Të gjitha këto që përmendëm deri tani, nuk janë gjë tjetër, veçse një pikë në oqeanin e veprimeve të bëra në rrugën e dashurisë për të (s.a.s).
Çfarë përfitimesh sjell dashuria ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s)?
Kur vetë Ai, Zoti i botëve e do Profetin (a.s), ta duam ne atë si besimtarë, sjell si përfundim faljen e gjynaheve tona dhe dashurinë e Tij.[1] Për më tepër, të ndiesh shijen e imanit, të ndiesh kënaqësi prej adhurimeve dhe të përballesh me vështirësitë në rrugën e fesë, janë të lidhura fort me dashurinë që kemi ndaj të Dërguarit të Allahut (s.a.s). Si një pikë të tretë mund të përmendim, që besimtari në botën tjetër, do të jetë me ata që ka dashur në këtë botë. Për këtë arsye Hz. Enesi (r.a) thotë: “Unë e dua Allahun, të Dërguarin e tij, Ebu Bekrin dhe Omerin. Edhe pse me vepra nuk jam njësoj me ta, shpresoj se do të jem bashkë me ta në botën tjetër.” Kështu, ai na rikujton të vërtetën e shprehur prej të Dërguarit të Allahut (s.a.s) se: “Njeriu do të jetë në ahiret bashkë me ata që do.”
Marrë nga libri “Isim ve sifatlari ile Efendimiz”.
[1] Ali Imran, 3/31.