Çdo njeri atë priste

Numri i atyre që e prisnin dhe që jepnin myzhden për të, nuk ishte i kufizuar vetëm në dy-tre vetë. Ata ishin shumë dhe Zejd b. Amri ishte njëri prej tyre. Zejdi, i ati i Said b. Zejdit, pasuesit të njohur dhe njërit prej personave të cilësuar “Ashere-i Mybeshere” si dhe ungji i Hz. Omerit, ishte nga Hanifët. Ky person bënte pjesë në grupin e njerëzve që, pak para se të lindte Profeti qenë distancuar nga idhujt duke deklaruar se ata nuk kishin mundësi për të bërë mirë ose keq. Edhe Zejdi pati bërë parashikime ndër të cilat më të rëndësishmet janë këto fjalë: “Unë njoh një fe, ardhja e së cilës është shumë afër, hija e së cilës qëndron mbi kokat tuaja. Por nuk e di në se do t’ia mbërrij unë asaj dite apo jo!”

Zejdi ishte një njeri i prekur nga një frymëzim, ndërgjegjja e të cilit ishte zgjuar plotësisht kah e Vërteta. Ai i besonte Allahut që ishte një i vetëm dhe Atij dëshironte t’i dorëzohej. Veçse as mundej t’i thoshte “Allahu im!”, as dinte se si i duhej bërë adhurim.

Amir b. Rebia, një ndër Sahabe-i Kiram, pasuesit profetikë, na përcjell këto: “Dëgjova nga Zejd b. Amri një ditë të thoshte kështu: “Unë pres një të dërguar që do të vijë nga soji i Hz. Ismailit e i Abdulmuttalibit. Nuk pandeh se do ta arrij atë, por besoj, vërtetoj dhe pranoj se Ai është profet i vërtetë. Në se ti do të jetosh dhe do t’ia arrish atij, t’i bësh të fala prej meje! Do të të flas për portretin e tij, por mos u çudit! “Urdhëro e folë, i thashë”. Dhe ai vazhdoi: “Eshtë trupmesatar. As shumë i gjatë e as shumë i shkurtër. Flokët i ka as krejt të drejta, as edhe krejt kaçurrela. Emrin e ka Ahmed. Vendlindja e tij është Meka. Po aty do të dërgohet si profet. Mirëpo më pas, fisi i tij, me që nuk do të jetë i kënaqur me porositë e tij, do ta nxjerrin nga Meka. Ai do të emigrojë në Jethrib (Medine) dhe feja e sjellë prej tij që atje do të përhapet. Kujdes, të mos të të gjejë të papërgatitur! Unë shëtita vend më vend dhe kërkova fenë e Hz. Ibrahimit. Të gjithë dijetarët çifutë dhe krishterë me të cilët bisedova, më treguan po ato gjëra që të thashë pak më parë dhe e përfunduan fjalën gjithmonë po njëlloj: “Ai është profeti i fundit, pas të cilit nuk do të vijë më tjetër profet.”

Amir b. Rebia vazhdon: “Erdhi dita dhe unë u bëra musliman. Ia tregova të Dërguarit të Allahut fjalët e Zejdit një për një. Kur ia dhashë të falat, u përqëndrua dhe iu përgjegj përshëndetjes. Dhe shtoi: “Unë e pashë Zejdin në xhenet tek ecte duke përveshur palët e rrobës së gjatë.”.

Varaka b. Nevfel ishte një dijetar kristian dhe, gjithashtu, farefis me Hz. Hatixhenë. Kur të Dërguarit të Allahut pati filluar t’i vinte revelacioni i parë, pati shkuar tek ai për të marrë vesh si qëndronte puna dhe pati marrë këtë përgjigje prej tij: “O Hatixhe! Ai është një njeri fjalëdrejtë. Ato ç’ka parë, janë gjithë ç’duhen parë në fillimet e profetësisë. Ai që i ka ardhur, është Virtyti i Madh. Eshtë po Ai që u pati ardhur edhe Hz. Musait dhe Hz. Isait. Në një të ardhme të afërt Muhamedi do të bëhet profet. Në se do t’ia arrij asaj dite, edhe unë do t’i shpreh besimin tim dhe do të bëhem përkrahës i tij.”

Kurse Abdullah b. Selam ishte një dijetar çifut. Le ta dëgjojmë personalisht prej tij se si hyri në Islam. “Kur i Dërguari i Allahut emigroi në Medine, edhe unë, si gjithë të tjerët, shkova për ta parë. Përreth kishte shumë njerëz. Kur hyra brenda, nga buzët e bekuara po i derdheshin këto fjalë: “Kur t’u vijë kush, përshëndeteni dhe i jepni për të ngrënë!” Kisha mbetur i mahnitur para magjisë së fjalëve dhe thellësisë që shprehte fytyra e tij. Aty për aty dëshmova dhe u bëra musliman, sepse portreti i tij mund të vërehej vetëm te një profet!”.

Abdullah b. Selam ishte një personalitet i rëndësishëm. Sipas shënimit të Ibni Haxherit në librin e tij “Isabe”, rridhte nga brezi i Hz. Jusufit. Ishte njeri i nderuar. Dëshmia e tij vlerësohej në vetë Kuranin duke u përmendur në nivelin e argumentit: “Thuaj: Pa mendoni, në se ju e mohoni këtë (Kuran) që është prej Allahut e, megjithëse një dëshmitar nga të bijtë e Israelit e beson si të tillë, ju përsëri tregoni mendjemadhësi, a nuk përbën kjo një padrejtësi? Pa dyshim që Allahu nuk e orienton në udhën e shpëtimit një popull të padrejtë.” (Ahkaf: 10).

Dëshmitari prej të bijve të Izraelit, i përmendur në ajet, është Abdullah b. Selam. Sado që disa komentues të kenë thënë se personi i përmendur duhet të jetë Hz. Musai, duke mbajtur parasysh se kjo sure është mekase, pikëpamja se ky ajet është medinas, është më e fuqishme. Domethënë se sureja “Ahkaf” është mekase, kurse vetëm ajeti në fjalë është medinas dhe bën fjalë për Abdullah b. Selamin.

Postime të ngashme