Biseda midis Omerit r.a dhe Ubej bin Ka’b

“Nuk vjen hair nga ai drejtues, në praninë e të cilit nuk mund të thuhet dot e vërteta!”
Hasani nga Basra tregon: “Njëherë Omeri i nderuar (radijallahu anh) nuk e pranoi një ajet të lexuar prej Ubej bin Kabit, madje edhe e mohoi, dhe Ubeji i tha atij: – “O Omer! Unë këtë e kam dëgjuar nga vetë i Dërguari i Allahut, kur ti bëje tregti në Baki!” Omeri i nderuar: – “E vërtetë! Unë thjesht desha t’ju vija në provë, ‘a do të dalë ndonjëri që ta thotë të vërtetën ashtu siç është.’ Sepse nuk vjen hair prej një drejtuesi që nuk thotë të vërtetën dhe që në praninë e tij nuk mund të thuhet dot e vërteta siç është!”[1]

Qortimi i Beshir bin Sa’dit për Omerin e nderuar: “Nëse vepron ashtu, ne dimë shumë mirë se si të të drejtojmë, njësoj siç drejtojmë shigjetat!”
Një ditë Omeri i nderuar (radijallahu anh) po rrinte ulur me një grup mërgimtarësh dhe ensarësh. Ai i pyeti ata: “Çfarë do të bënit ju, nëse shihni se unë i mbaj me hatër disa prej jush?” Askush nuk u përgjigj. Omeri i nderuar e përsëriti edhe dy a tri herë atë pyetje, mirëpo i vetmi që foli ishte Beshir bin Sa’di (radijallahu anh): “Nëse vepron ashtu, ne dimë shumë mirë të të drejtojmë, njësoj siç drejtojmë shigjetat.” Omerit të nderuar (radijallahu anh) i pëlqeu tejmase kjo përgjigje, ndaj u tha atyre: – “Kështu, vetëm kështu ju do të kishit kryer detyrën tuaj siç duhet! Ja, vetëm kështu do të kishit kryer detyrën tuaj siç duhet!”[2]

Muhamed bin Meslemeja ia thotë gjithçka në fytyrë Omerit të nderuar
Tregon Musa bin Ebu Isai: “Një ditë, Omeri i nderuar (radijallahu anh) shkoi te pusi i fisit të bijve të Harithes. Atje u takua me Muhamed bin Meslemenë. – “Ç’mendim ke për udhëheqjen time, o Muhamed?” – e pyeti Omeri i nderuar.
– “Uallahi, unë të shoh ty ashtu siç duhet të jesh, ashtu siç të shohin edhe të gjithë ata që të duan të mirën! Për shembull, më dukesh shumë i suksesshëm në mbledhjen e tagreve dhe të taksave. Veç kësaj, ti je një udhëheqës që nuk ke sy në pasurinë e përbashkët, e gjithmonë e ndan me drejtësi atë që është për t’iu ndarë të tjerëve. Por po ndryshove, duke hequr dorë nga e drejta dhe drejtësia, atëherë ne dimë mirë se si të të sjellim në vete, njësoj siç i fusim shigjetat në zjarr, për t’i rregulluar!”
– “Me një fjalë, ti po më thua se ‘ne të rregullojmë edhe ty, nëse devijon nga e drejta, njësoj siç fusim shigjetat në zjarr, për t’u dhënë formën e duhur!’, kështu hë? Lëvduar qoftë Allahu i Madhërishëm që më ka bërë mua udhëheqës të një bashkësie që di të më kthejë tek e drejta nëse devijoj prej saj,” – tha Omeri i nderuar.[3]

[1] El-Hindi, Kenzu’l-Ummal 13/236 (36766).

[2] Buhari, Tarihu’l-Kebir 2/98 (1825).

[3] El-Hindi, Kenzu’l-Ummal 12/786 (35763).

Postime të ngashme

%d bloggers like this: