Besimtari i vërtetë, që shqetësohet për fundin e tij

Ebu Bekri i nderuar (r.a.) është modeli i një njeriu që ka besuar me të vërtetë. Ai trembej gjithnjë se cili do të ishte fundi që e priste. Po njësoj shqetësohej mjaft edhe Omeri i nderuar (r.a.) se cili do të ishte fati i tij në fund. Po ashtu, edhe Esued ibni Jezid en-Nehaiu, i cili ka qenë një prej imamëve më të rëndësishme të shkollës nehaie në Kufe, kishte aq shumë frikë teksa po jepte shpirt, saqë në fytyrë pati nisur t’i shfaqeshin shtrembërime muskulore dhe ai kalonte nga një gjendje në tjetrën, duke marrë njëherë një ngjyrë e njëherë një tjetër. Akame ibni Kajsi që po i rrinte te koka e pati pyetur: “Ç’ke kështu, ke frikë prej mëkateve?” Mirëpo, shihni se si i përgjigjet ai: “Për çfarë mëkatesh e ke fjalën? Unë kam frikë mos vdes si mosbesimtar.”( Shih: Ebu Nuajm, Hiljetu’l-eulija 2/103-104; edh-Dhehebi, Sijeru a’lami’n-nubela 4/52.)
Edhe lidhja me vdekjen është një nga çështjet e domosdoshme që duhet trajtuar medoemos. Me lidhje me vdekjen kemi parasysh të menduarit rreth vdekjes dhe ç’vjen pas saj, sjelljen ndërmend të vuajtjeve dhe vetmisë së varrit, kujtimin e rreziqeve që e presin njeriun në rrugëtimin e pasvdekjes drejt amshimit dhe të jetuarin pa u ndarë asnjëherë prej mendimit se vdekja mund të vijë nga çasti në çast. Thënë me fjalë të tjera, lidhja me vdekjen nuk do të thotë assesi të mendosh “Hajt, se unë jam ende i ri. Tani jam ende njëzet vjeç, sido që të jetë do të kem edhe gjashtëdhjetë e kusur vite jetë. Se njerëzit po jetojnë gjer te të tetëdhjetat.” Përkundrazi, ta shohësh vdekjen si një mik që nuk dihet se kur do të mbërrijë dhe vetëm të përgatitesh për të. Siç e shpreh edhe një poet arab: “Vdekja të vjen e të godet kur s’e pret/e në vdekje gjithë ç’ke bërë të pret.”( Ibni Haxher, el-Munebihat, fq. 4.) Kështu që, gjithë ç’ka bërë, njeriu ka për ta marrë atje me vete si pajë.

Një ndjesi e këtillë është tejet e rëndësishme përsa i përket përgatitjes për në amshim. Sepse, nëse njeriu nuk ka ecur nëpër një rrugë të sigurt e të drejtë në këtë botë, as që mund të bëhet fjalë për ndofarë sigurie në rrugëtimin që do të nisë për të pas vdekjes. Kështu që ai do të jetë i detyruar që të bëjë një rrugëtim plot të papritura të rrezikshme. Nga ky pikëvështrim, lidhja me vdekjen e bën njeriun që të mos ndahet për as një çast prej vdekjes dhe kjo është diçka e qenësishme, duke qenë se do ta shtyjë vazhdimisht atë që të mendojë për gjithë ç’ka të bëjë me përtej varrit.

Nëse do të marrim parasysh mendimet e trajtuara në shënimin e dymbëdhjetë, duhet t’ju kujtohet se cila ishte ndjeshmëria e Bediuzamanit në këtë pikë para se të niste të shkruante Traktatet e Dritës. Ai nuk lë fjalë pa i thënë egos së vet.( Shih: Bediuzaman Said Nursi, Shkrepëtimat, fq. 160-162. (Shkrepëtima e Shtatëmbëdhjetë).) Ç’është e vërteta, po të shihen edhe lutjet e përgjëruara të Ebu’l-Hasan esh-Shazeliut, edhe Abdulkadir Gejlanit apo Hasan el-Basriut, ku ata e gjykojnë aq rëndë veten, vërehet se edhe ata kanë treguar po të njëjtën ndjeshmëri.

Siç e dini, i Dërguari i Allahut (pqmT), ka gjasa ngase njerëzit shfaqnin nganjëherë sjellje të pahijshme karshi varreve, ua pati ndaluar besimtarëve vizitimin e varrezave. Mirëpo, kur qasja ndaj tyre pati filluar të ndryshonte, Ai iu qe drejtuar besimtarëve me këto fjalë: “Dikur unë jua pata ndaluar që t’i vizitonit varret. Tani ju them që t’i vizitoni ato, sepse ato do t’ju kujtojnë juve vdekjen.” (Tirmidhi, xhenaiz 60; Ebu Daud, xhenaiz 75.)

Si përfundim, kryerja, si e “urdhërimit për mirë dhe parandalimit të së keqes”, si prurja vazhdimisht në qendër të vëmendjes të të gjitha çështjeve që kanë të bëjnë me “finesën” në të jetuarin e fesë, janë si arteriet dhe kapilarët e gjakut në trupin e njeriut. Njësoj siç jeta e trupit njerëzor varet prej tyre dhe venave. Po ashtu, ruajtja e gjallërisë në jetën fetare varet prej realizimit të plotë të këtyre pikave kyçe të jetës fetare. Sepse kësisoj njeriu do të ketë një zemër edhe më të ndjeshme, e cila do të thellohet pandalur në të menduarit rreth fundit të saj, çdo hap do ta hedhë me kujdesin dhe maturinë më të madhe, duke bërë që çdo çast i jetës të kalojë nëpërmjet një ndjenje tejet të fortë vetëgjykimi.

Postime të ngashme