BESIMI NË LIBRAT HYJNORË
Besimi në të gjithë Librat e Shpallur nga Allahu xh.sh. Pejgamberëve të Tij është ndër shtyllat e besimit dhe kusht për t’u quajtur mysliman. Allahu xh.sh., këta Libra i shpalli për të qenë udhërrëfyes dhe udhëzues për njerëzit. Në terminologjinë fetare “libra të shpallur” quhen: tërësia e Fjalëve që Allahu xh.sh. ua ka komunikuar Pejgamberëve të Tij, për t’ua bërë të ditur se ç’kërkon prej robërve të Vet dhe për t’u treguar atyre rrugën e shpëtimit në të dyja botët.
Në Librat e Shpallur përfshihen urdhrat e Zotit për veprim dhe për mosveprim. Aty përfshihen udhëzime e këshilla akaidore (akaid quhet shkenca e besimit) dhe morale për ndërtimin praktik të jetës së njeriut. Pra, thënë shkurt, përfshihet jeta e njeriut. Urdhrat për veprim dhe ndalim, besimtarët i kanë për detyrim t’i mësojnë dhe të veprojnë sipas tyre. Gjatë gjithë historisë, Allahu xh.sh. ka dërguar shumë libra, disa të mëdhenj e disa më të vegjël. Njerëzit, përmes leximit të këtyre librave, kanë bërë adhurime, i kanë zbatuar urdhrat e Zotit dhe janë përpjekur ta fitojnë kënaqësinë e Tij.
Mirëpo, kohë pas kohe, për shkaqe të ndryshme, Librat e Shpallur që ishin në duar të njerëzve, ose janë harruar, ose u janë nënshtruar ndryshimeve. Në situata të tilla, Allahu xh.sh. ka dërguar një libër tjetër të ri, duke vazhduar kështu t’iu mësojë njerëzve kujt t’i besojnë dhe si të sillen.