BESIMI NË EKZISTENCËN E ENGJËJVE

Shtylla e dytë e besimit islam është, besimi në ekzistencën e  melekëve. Allahu urdhëron në Kur’an:

آمَنَ الرَّسُولُ بِمَا أُنزِلَ إِلَيْهِ مِن رَّبِّهِ وَ الْمُؤْمِنُونَ كُلٌّ آمَنَ بِاللَّهِ وَ مَلائِكَتِهِ وَ كُتُبِهِ وَ رُسُلِهِ

Edhe i Dërguari i besoi asaj që iu zbrit nga Zoti i tij, edhe besimtarët; secili prej tyre i besoi Allahut, melekëve të Tij, librave të Tij, të dërguarve të Tij…” (Bekare:285)

Urtësia kërkon që sikurse Toka, megjithëse shumë e vogël në krahasim me qiejt, që ka banorët e saj të vetëdijshëm, edhe qiejt me yjësitë e tyre madhështore si pallate të zbukuruar, duhet të kenë krijesa të vetëdijshme që vlerësojnë e lartësojnë me lavde mjeshtërinë e skalitur në krijim nga Krijuesi i Gjithëditur e Fuqiplotë.

Melekët janë krijesa të krijuara prej “dritës”, jo prej dritës që njohim ne, por të një lloji të quajtur “nur”. Ata nuk mund të perceptohen e të njihen me anë të organeve të shqisave. Për rrjed­hojë, njohuri të drejta mbi melekët mund të marrim prej Kur’anit dhe haditheve të Pejgamberit a.s.

Në një hadith, Pejgamberi a.s. ka porositur: “Melekët janë krijuar prej drite, xhinët prej flake, kurse Ademi prej dheu…” (Muslimi)

Nga arabishtja fjala melek mbart kuptimet: i dërguar, përfaqësues, i ngarkuar, mbikëqyrës, i fuqishëm. Melekët nuk kanë sprova si njerëzit, ndonëse ato janë krijesa që zbatojnë urdhrat e Allahut duke mos e kundërshtuar as edhe një herë. Ata nuk kanë ndjenja negative si zemërimi, nxitimi, urrejtja, smira apo zilia. Melekët kanë një pozitë fikse, ata janë shërbëtorë të Zotit që ndërtojnë marrëdhënie ndërmjet botës metakozmike dhe asaj materiale, përcjellin urdhrat e Zotit, me lejen e Zotit drejtojnë veprat dhe jetët e gjallesave, si dhe kryejnë adhurimet që iu takon. Drita është ajo që i mban gjallë, aromat e mira iu japin kënaqësi dhe adhurimi që kryejnë iu fal atyre lumturi. Me adhurimin e tyre universal e gjithëpërfshirës, melekët përfaqësojnë lavdërimet e fuqishme dhe gjithëpërfshirëse të universit, sepse arti dhe dekori i hollë, delikat dhe i shkëlqyer në gjithë universin, në këndvështrimin e urtësisë, kërkon vlerësues të nivelit që ta kuptojnë, admirojnë dhe vlerësojnë atë. E kështu Profetët, Librat e shpallur, njerëzit e dijes na njoftojnë se këto krijesa ekzistojnë dhe janë melekët. Pavarësisht paaftësisë sonë për t’i parë, arsyetimi i shëndoshë e pranon dhe e beson pa asnjë mëdyshje ekzistencën e tyre.

Heshtja dhe qetësia e qiejve, organizimi dhe rregullsia e tyre, gjerësia dhe dritësia e tyre, tregojnë se banorët e tyre nuk janë si ata të tokës. Ata janë të bindur, ata e bëjnë atë për të cilën urdhërohen.

Postime të ngashme