BESIMI DHE DASHURIA PËR ALLAHUN
Nëpërmjet besimit njeriu ngjitet në shkallën e tij më të lartë dhe bëhet i denjë për në Xhenet. Ndërsa mohimi e shndërron atë nga esenca e tij e natyrshme dhe e bën të denjë për Xhehenem, sepse besimi është lidhje me Krijuesin e Gjithësisë. Vetëm me anë të besimit lexohet te njeriu skalitja e emrave hyjnorë dhe e mjeshtërisë hyjnore në krijimin e tij, ndërsa mohimi e fsheh këtë art e madje e konsideron njeriun si objekt rastësie me një vlerë thjesht kalimtare.
Me dritën e besimit ne e shikojmë njeriun si një krijesë të përkryer të Krijuesit të Gjithëditur. Ai është mrekullia më e hijshme e të Gjithëfuqishmit, të Urtit, i Cili e krijoi që t’i shfaqë tek ai të gjithë Emrat e Tij së bashku me mbishkrimet dhe skalitjet e tyre në formën e një modeli të zvogëluar të universit.
Kur’ani Fisnik fillon me fjalët “Bismil’lahirr-Rahmanirr-Rahim”, që do të thotë “Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit”. Kjo formulë haset në Kur’an 114 herë: e gjejmë në fillimin e të gjitha sureve, me përjashtim të sures Teube, dhe po ashtu e gjejmë në ajetin e 30 të sures “En-Neml”.
Mëshira është një veti e mahnitshme e Allahut. Në të është e përqendruar baza e të gjitha të mirave që përfitojnë njerëzit dhe qeniet e tjera. Allahu xh.sh. e shfaq mëshirën ndaj njeriut atëherë kur e ngjiz atë në barkun e nënës dhe mandej e nxjerr në dritë, kur ia dhuron atij shembëllesën e mrekullueshme dhe mirësitë që nuk kanë të numëruar. Zoti e shfaq mëshirën e Vet ndaj robve të Tij, kur i drejton dhe i nxit të ecin në rrugën e drejtë. Madje, edhe atëherë kur njeriu shfaq mosmirënjohje dhe bën mëkat, Ai ia shtyn afatin e shlyerjes së gabimit dhe i jep mundësi mëkatarit që ta çlirojë shpirtin e tij nga mëkati. Në njërin prej haditheve kudsij Allahu xh.sh. thotë: “Mëshira Ime mbizotëron ndaj zemërimit Tim.”
Në Kur’anin Fisnik përmenden mjaft emra, që flasin për qëndrimin mëshirues dhe tolerant të Allahut xh.sh. ndaj krijesave të Tij. Këta emra mund t’i cilësonim si: Mëshiruesi, Mëshirëbërësi, Zemërgjeri, i Duruari (Toleranti), Falësi, Bamirësi, i Miri, Pendimpranuesi, Dashuruesi, i Dhembshuri, Mirënjohësi, Falënderuesi, Dhuruesi.
Duke bërë shpjegimin e pafundësisë që ka Mëshira e Allahut, Profeti Muhamed a.s. ka thënë: “Allahu e ndan si mëshirën, si përdëllimin në dy pjesë: duke mbajtur për veten e Tij 99% të tyre dhe duke zbritur në tokë vetëm 1% të tyre; falë kësaj të fundit tregojnë mëshirë dhe përdëllim që të gjitha krijesat. Madje edhe kuajt i ngrenë lart thundrat nga frika se mos prekin me to të vegjlit e vet.”
Mëshira dhe përdëllimi janë baza mbi të cilat duhet të ndërtohen marrëdhëniet e ndërsjella të krijesave. Njeriu si qenie e arsyeshme dhe sociale që është, duhet të udhëhiqet në çdo gjë prej kësaj ndjenje të madhe, nëse dëshiron të sigurojë për veten e tij paqe dhe qetësi, por edhe për të afërmit, për popullin dhe për mbarë njerëzimin.
Është e pamundur të numërohen dhuntitë që Allahu i Lartë na ka dhënë. Ai na ka nxjerrë nga hiçi në ekzistencë, Ai e ka krijuar për ne universin dhe e vendosi në shërbimin tonë. Na dhuroi ajrin, që të mund të jetojmë, ujin, që të përfitojmë prej të mirave të tij. Çdo gjë që kemi, i dimë apo jo ato, Ai na i ka dhuruar. Me anë të një vështrimi të përgjithshëm ku jetojmë, ne do të shikojmë se të gjitha gjërat, e në mënyrë të veçantë krijesat e gjalla, kanë nevoja të shumta, të ndryshme dhe kërkesa të llojllojshme. Ato kërkesa e nevoja u përmbushen atyre në kohën e përshtatshme, në mënyra të paparashikuara, nga vende që ato nuk i njohin e që duart e tyre mund t’i arrijnë me aftësitë që kanë. Edhe po të marrim në konsideratë veten tonë, arrijmë në të njëjtin përfundim. Sa shumë nevoja e kërkesa kemi e sa pak mundësi e aftësi që t’i arrijmë. Neve na ofrohen mëshirë dhe bujari jashtë aftësive tona. Për shembull, vetëm ajrin, që është domosdoshmëri dhe kryen funksione pa fund në dobinë tonë, a është e mundur ta sigurojmë me aftësitë tona? Apo mund t’ia atribuojmë rastësisë së verbër? Të gjitha këto, si drita e ditës që tregon Diellin, tregojnë një Ekzistues të Vetëm të Domosdoshëm, dhe tregojnë se Ai, Krijuesi, midis titujve të tjerë, është Kerim, Rrahim, Murebbi, Mudebbir, (Gjithëbujar, i Gjithëmëshirshëm, Edukues dhe Sistemues).
Si përgjigje ndaj këtyre dhuntive, Allahu i Lartësuar kërkon prej nesh ta duam, ta besojmë, ta adhurojmë dhe ta respektojmë.
Dashuria për Allahun xh.sh. është rrjedhojë e domosdoshme e besimit tek Ai. Njeriu që e beson Allahun duhet ta dojë Krijuesin e Lartë që i ka dhënë dhunti të pafundme.
Pejgamberi a.s. është lutur: “Allahu im! Mundësoma të të dua Ty, atë që të do Ty si dhe atë gjë që do të më afronte te Ti dhe dashurinë për Ty bëma më të pëlqyeshme se dëshirën për ujë të ftohtë në vapën e verës.”
Dashuria për Zotin është thelbi i gjithçkaje dhe burimi më i kulluar dhe i pastër për të gjitha dashuritë. Mëshira dhe dashuria vërshojnë në zemrat tona prej Tij. Çdo lloj i bashkëpunimit njerëzor do të ndërtohet në përputhje me marrëdhëniet tona me Atë. Dashuria për Zotin është besimi ynë, bindja jonë dhe shpirtrat tanë në trupin tonë. Ai na bëri të gjallë kur ne u krijuam. Nëse ne jetojmë sot, është vetëm nëpërmjet Tij. Esenca e gjithë ekzistencës është dashuria e Tij dhe fundi është shtrirja e dashurisë së Zotit në formën e parajsës. Ai ka krijuar çdo gjë të kushtëzuar në dashuri dhe ka lidhur marrëdhëniet e Tij me njerëzimin nga kënaqësia e shenjtë për qeniet e dashura.
Ndërsa, për llogari vetëm të kësaj bote që argument dhe arsye për dashurinë kanë aspektet si bukuria, përsosmëria, forma, harmonia në paraqitje, madhështia, fama, forca, pozita, gjendja shoqërore, begatia, familja, prejardhja, ku herë pas here, prej këtej njerëzit kanë rënë në gabimet e partneritetit me Zotin. Për sa u përket besimtarëve, në anën tjetër, ata e duan Zotin para çdo gjëje tjetër dhe ndiejnë dhembshuri për të tjerët përmes dashurisë për Atë. Për arsye të manifestimit dhe bekimit nga Një i Vetmi, ata mbajnë lidhje me çdo njeri dhe gjithçka tjetër, deklarojnë dashurinë e tyre dhe janë mirënjohës për gjithë të mirat në emër të Tij.
Sigurisht, pa marrë Zotin në konsideratë, çdo dashuri për këtë ose atë krijesë është e kotë, e pashpresë, e pavendosur dhe e pafrytshme. Mbi gjithçka, një besimtar duhet ta dojë Atë dhe ka një qëndrim pozitiv ndaj të tjerëve, vetëm sepse ata janë manifestime dhe pasqyrime plot ngjyra të Atributeve dhe Emrave të bukur të Tij. Po ashtu, njeriu duhet t’i mirëpresë këto gjëra me një admirim të madh dhe çdoherë që një person vështron gjëra të tilla, duhet të mendojë se edhe ato janë prej Zotit, duke përjetuar, kështu, një periudhë tjetër bashkimi me të Dashurin.
Besimtarët e duan Allahun, sepse Ai e meriton dashurinë më të pastër, Atij i përulen, sepse Ai e meriton shërbimin më të sinqertë. Kurse shpërblimi në jetën më të fundme nuk është pagesa e merituar nga njeriu për fjalët dhe për veprat e tij në këtë jetë, por është Mëshira e Mëshirëbërja më bujare që tregon Allahu, Bamirësi që e ka shumë për zemër Bamirësinë.
Më e bukura e dashurisë për Allahun është ajo e rrethuar nga njëra anë me respektin, kurse nga ana tjetër me frikën ndaj Tij.
Ç’fitim i madh është për ne që Allahu xh.sh. na ka dhënë mundësinë ta duam!