Ata që besuan dhe bënë punë të mira.
Sot do të trajtojmë shkurtimisht një formulë të rëndësishme të Kur’anit Famëlartë, e cila përsëritet shpesh në shumë sure të Kur’anit. Aty gjendet i gjithë qëllimi dhe misioni i jetës së besimtarit. Kjo është një formulë e thjeshtë, nuk është e komplikuar dhe gjithësecili prej nesh mund të veprojë me të. Gjithçka nis me farën e besimit, rrënjët e së cilës gjenden në zemrën tonë. Ajo pemë ushqehet prej besimit dhe më pas frytet reflektojnë dhe burojnë në të gjitha gjymtyrët tona. Kjo nuk është thjesht një teori, kjo është një mënyrë jetese, kjo është vetë jeta.
Shumë sahabë shkonin tek i Dërguari i Allahut dhe kërkonin këshilla të shkurtra prej tij, këshilla që do t’i mjaftonin për të gjithë jetën e tyre. Profeti a.s. i jepte këshilla të ndryshme, ndonjëherë varësisht situatës së gjithësecilit, por edhe mësim për ata që vinin më pas. Shprehja “ata që besuan dhe bënë punë të mira”, është një këshillë e këtij lloji, që të mjafton për të gjithë jetën. E shprehur bukur, e mbushur me kuptim dhe që na mjafton për të qenë besimtarë të mirë dhe qytetarë të ndershëm.
Gjithçka fillon me besimin tek Allahu. Jo thjesht si një formulë, si një shprehje, por diçka më tepër se kaq, një ndenjë e vërtetë, një rrahje e fortë e zemrës, një drithërim i saj. Ky besim do të thotë që zemra të rrahë për Allahun, të përmallohet dhe të drithërohet për të. Ashtu sikurse kalliri i shkupëtur prej bimës së tij. Ky besim duhet të jetë i mbushur me sinqeritet, një dorëzim i plotë dhe një kënaqësi e veçantë. Ti ke gjetur të vërtetën më të madhe të universit. Një univers që drejtohet prej një Krijuesi. Gjithçka e vendosur në mënyrë perfekte dhe e përsosur. Ti në çdo aspekt duhet të shohësh dorën vepruese të Tij. Jetën tënde ta lësh të drejtohet prej Tij, në kuptimin që të jesh i kënaqur me caktimin e Tij. Ai padyshim që zgjedh më të mirën për ty, prandaj edhe ti zgjidh më të mirën për veten. Besimin tënd lartësoje në gradën e Ihsanit. Ndieje prezencën, shikimin dhe kontrollin e Tij.
Pas besimit menjëherë vijnë punët e mira. Një fjalë e përmendur në numrin shumës, e cila të lë të kuptosh që ato janë të pafundme, ashtu sikurse numri i rrugëve që të çon tek Allahu. Ato janë aq të shumta, saqë nuk ke mundësi t’i veprosh të gjitha, por sigurisht që mund të bësh mirë. Janë aq të shumta saqë marrin rëndësi pikërisht prej besimit që ke në zemër. Ti i jep vlerë punës që bën, ajo mund të jetë shumë e lehtë, por dëshira dhe pasioni që ke për të, i’a zmadhon shumë vlerën. Ajo mund të jetë shumë e madhe, por mungesa e dëshirës dhe pasionit e bën shumë të vogël në peshoren e veprave të tua. Profeti (a.s) thotë në disa hadithe në lidhje me mosnënvleftësimin e asnjë lloji vepre të mirë: “Mos nënçmo prej të mirës asgjë.” “Ruhu prej zjarrit qoftë edhe me një gjysëm hurme.” “Mos neglizho asgjë prej të mirës, qoftë edhe ta takosh vëllain tënd me fytyrë të buzëqeshur.” “Besimtari nuk ngopet së bëri mirë, derisa përfundimi i tij të jetë Xhenneti.”
O njerëz, fusha është e hapur për të gjithë. “Garoni pra në vepra të mira.” “Dhe pikërisht në këto, le të garojnë garuesit e vërtetë.” Nga të gjitha këto kuptojmë se një besim i gradës së lartë, sjell me vete edhe një dëshirë të madhe për të bërë vazhdimisht mirë. Shihni shembullin e Profetit tonë të dashur, sesi e gjente kohën dhe mundësinë për të vepruar mirë. Ai ishte shembulli ideal i sjelljes qytetare, ai i jepte rëndësi çdo personi dhe vraponte të zgjidhte hallin e tij. Aq sa një herë tha: “Të eci bashkë me një vëllain tim, t’i zgjidh atij një hall, është më e mirë për mua sesa të bëj itikaf në xhaminë time për një muaj.” Ishte sërish ai që rreth nxitimit për vepra të mira dhe krijimit të mundësive për të bërë mirë thotë: “Edhe nëqoftëse është duke ndodhur Kiameti dhe në dorën tuaj gjendet një filiz, atëherë mbilleni atë.”
Imagjinoni sesi do të ishte kjo botë me njerëz që mbjellin dhe kultivojnë të mirën. Ka shumë shembuj nga historia jonë e lavdishme, sesi besimtarët e mirë nuk ngopeshin së bëri mirë. Ata ishin aq të kujdesshëm në jetët e tyre, saqë koha i mjaftonte për shumë gjëra. Ebu Bekri (r.a) teksa ishte kryetar shteti, kishte mbi supe çështjet e besimtarëve, shkonte te shtëpia e një të moshuareje të verbër, i pastronte shtëpinë dhe i plotësonte të gjitha nevojat. Ata nuk ngopeshin së bëri mirë, ata nuk ngopeshin nga veprat vullnetare, ata ishin vazhdimisht me të mirën. Zejnel Abidini i kishte shërbyer popullin të tij për vite me radhë, duke mbajtur thesin mbi shpinë dhe duke e çuar në shtëpitë e tyre. Njerëzit e morën vesh vetëm kur vdiq ai, thesi nuk vinte më në dyert e tyre dhe mbi shpinë kishte plagët dhe shenjat e mbajtjes së thasëve për vite me radhë.
Kurani thotë: “Kush bën mirë, ajo është në favorin e tij dhe kush bën keq ajo është në dëmin e tij.” Kur ndihmon të tjerët ke ndihmuar veten, kur i bën dëm të tjerëve ke dëmtuar edhe më keq veten tënde. O njerëz kërkojini rrugët e mirësisë, mos u kënaqni me pak, zgjerojini më shumë kraharorët tuaj. Në këtë botë kanë lënë gjurmë vetëm njerëzit që kanë punuar shumë dhe fort. Ata i kërkonin rrugët e mirësisë, i kishte rrethuar mirësia dhe si të tillë u lartësuan tek Allahu i Lartësuar. O njerëz, bëhuni përkrahës dhe ndihmues të së mirës. Allahu i do punëmirët, Ai është me ta dhe do t’i ndihmojë ata.