Arafati, porta e mëshirës

Ferit Lika

nga ditari i një gazetari

Në ditën e 9 të muajit dhulhixhe sipas kalendarit Islam, falëm namazin e sabahut në Mina dhe pas lindjes së diellit u nisëm për në Arafat.
Vajtja në Arafat ishte ajo ҫ’ka unë mezi e prisja prej kohësh. Të shkosh në malin e Arafatit është një prej kushteve themelore të haxhit edhe pse vetë Arafati nuk është një vend i shenjtë, edhe njëherë dëshmi e asaj që rëndësinë e gjërave nuk e përcakton dot kush tjetër veҫ Allahut.

Rrugës për në Arafat, qëndrova në këmbë përpara me shoferin e autobusit, doja të shihja rrugën, atë rrugë nëpër të cilën ka shkelur Profeti ynë shekuj më parë. Përpiqesha të përfytyroja dhe imagjinoja karvanin e tij me deve duke ecur në atë terren të ashpër. Përpiqesha të përjetoja përmes imagjinatës, sepse kushtet tona të të udhëtuarit ishin luks, krahasuar me atë se si është realizuar ky ritual në kohën e Profetit.

Edhe Arafati, ashtu si Minaja është prej rrethinave të Mekës. Rrugës shfaqeshin malet shkëmborë njëri pas tjetrit, të ngritura nga fusha në lartësi të mëdha, të thepisura dhe në ngjyrë të zezë, një përzierje e kromit me shtufin.

Vendqëndrimi ynë ishte një fushë në majë të kodrës, shumë pranë malit të Arafatit. U strehuam nëpër ҫadra. Këtu ҫadrat ishin në kushte më primitive, ca hunj të ngritur lart, të mbuluar nga pëlhura të grisura dhe të djegura prej diellit, por nuk bënte aq vapë sa në Mina. Në fakt sa më pak kushte të kishim aq më shumë më pëlqente, sepse në fund të fundit edhe qëllimi i tërë këtij rituali ishte të bënim, ndjenim dhe përjetonim ato ҫka profeti ynë i nderuar kishte ndjerë.
Kushtet bashkëkohore duket se e largonin pak këtë ndjesi. Aty në Arafat i vetmi burim jete ishin disa pemë të vogla dhe ato të mbjella nga njerëzit dhe vetëm kaq.

Mendohet që dikur Arafati të ketë qenë një vend i gjelbëruar, një lulishte xheneti, ndërsa sot, një kodër e shkretë, e thatë dhe me gurë të mëdhenj. Por se si ka përfunduar kështu, vetëm Zoti e di.

Një ndër lutjet që bëhen në këtë vend është edhe “Allahu im, jepi dritë e bukuri zemrës sime, jepi dritë e bukuri dëgjimit tim, jepi dritë e bukuri shikimit tim”.
Këtë dritë të shpirtit e shihje dhe e gjeje në Kodrën e Arafatit, shumë pranë ҫadrave ku ishim vendosur. Arafati, ky vend takimi dy njerëzve të parë mbi dhè, Ademit dhe Havasë, aty ku filloi gjithçka, aty ku filloi ekzistenca jonë; vend i vizituar nga çdo profet, sot është një vendtakim i milionave besimtarëve myslimane çdo vit, një portë e Mëshirës Hyjnore!

Në Arafat, shikojmë se si miliona njerëz njëherësh, thonë Allahu Ekber (Allahu është më i Madhi), lexojnë Kur’anin në më shumë se njëzet gjuhë. Të tjerë prej tyre thërrasin Lebejke Allahume Lebejke (i përgjigjemi thirrjes tënde, o Zoti ynë, i Përgjigjemi). Të tjerë lotojnë prej dashurisë dhe pendimit për gjynahet që kanë bërë. Të tjerë qajnë prej dashurisë ndaj Krijuesit.

Bashkë me operatorin, doktorin dhe një prej murshidëve, nisemi për te kodra, që në fakt unë e kisha imagjinuar një mal të madh, por s’ishte gjë tjetër veҫ një kodër e vogël. Rrugës për shkak të turmave të mëdha të njerëzve që gëlonin duke shkuar drejt saj, ndahemi nga njërit-tjetri dhe askush nuk denjoi ta kërkonte tjetrin sepse atje doje të qëndroje vetëm dhe të luteshe.

Kodrina ishte e mbuluar nga njerëzit që ishin ngjitur sipër saj si milingonat mbi plis. Ndriҫonte e tëra për shak të veshjeve të bardha të haxhinjve. Ishte gati në perëndim dhe Qabja kah së cilës duhej të ktheheshe dhe kah së cilës ishin kthyer gjithë ajo mori njerëzish ishte andej nga dielli po perëndonte. Përpara të shfaqej një panoramë magjepsëse.

Duar të ngritura lart, fytyra të përlotura, të përvuajtura, buzë që lëviznin në heshtje, të gjithë të kthyer në një drejtim, andej nga dielli ngrihej si një rreth gjigand, i kuqërremtë që shikonte mbi horizont, e ku vargmalet nën ndriçimin e përflakur krijonin një festival të vërtetë ngjyrash. Ky ishte kulmi i kënaqësisë së shpirtit.

Ndjesi e çuditshme! Interesante, tërheqëse, mbresëlënëse, mbërthyese, ngadhënjyese! Një ndjesi që nuk do doje të mbarojë kurrë!
Mallëngjim, përulje, përgjërim dhe dëshira më e madhe që mbizotëronte aty, ishte që koha të ndalej, minutat të heshtnin dhe dielli të mos perëndonte kurrë, të ngrinte mbi horizont e ti të luteshe përjetësisht. Por përjetësia nuk është e kësaj bote, pas perëndimit të diellit duhet të largoheshim, kështu ishte rituali.

Pasi dielli kapërceu malet, besimtarët përmbyllën lutjet dhe në pak minuta, ajo turmë e madhe njerëzish ishte zhdukur e tëra, pas kishin mbetur vetëm gurët e heshtur, të cilët duket sikur ishin çliruar nga pesha e rëndë që mbanin mbi supe dhe një beduin me deven e zbukuruar që të kërkonte të bëje një foto.

 

Postime të ngashme

%d bloggers like this: