Agjërimi i jep pushim trupit

Është një e vërtetë e pranuar dhe e mbrojtur nga mjediset mjekësore se sistemi i tretjes që fillon të funksionojë sapo të vijë në botë, ka nevojë të pushojë herë pas here. Dobia e agjërimit i cili është pushim i trupit një muaj në vit, me këtë aspekt të tij për trupin e njeriut, nuk mund të mohohet. Stomaku ka shumë “punëtorë”, veç këtyre janë edhe shumë ndjenja njerëzore që kanë lidhje me të. Po qe se stomaku nuk bën pushime ditore një muaj në vit, sjell si rrjedhojë që “punëtorët” dhe ndjenjat njerëzore të harrojnë adhurimet e tyre të posaçme, të merren vetëm me të, t’i marrë ata nën urdhrin e vet, ta tërheqë vazhdimisht nga vetja vëmendjen e tyre, t’i bëjë ata t’i harrojnë detyrat e tyre të larta. Me anë të agjërimit të ramazanit, “punëtorët” e stomakut e kuptojnë se s’janë krijuar vetëm për të. Edhe aparatet dhe organet e tjera, në vend të dëfrimeve të ulta të stomakut, në ramazan kënaqen me dëfrime engjëllore e shpirtërore dhe i ngulin shikimet në ato kënaqësi shpirtërore. Prandaj ndodh që në muajin e ramazanit, besimtarët meritojnë, sipas gradës shpirtërore të secilit, veç e veç bukuri, begati, kënaqësi moralo-shpirtërore. Në atë muaj të bekuar, me anë të agjërimit zhvillohen shumë cilësi delikate të njeriut si shpirti, arsyeja dhe fshehtësia dhe, ndërsa stomaku qan, ato qeshin pafajësisht.

Çdo makinë, pas një kohe të caktuar funksionimi, ndalohet për t’iu bërë mirëmbajtja e nevojshme. Po nuk u bë kjo, ose makina shkatërrohet plotësisht, ose i shkurtohet jetëgjatësia. Pas një periudhe mësimi, nxënësit i jepet pushim. Një punëtor punon nga mëngjesi në mbrëmje, por në mbrëmje tërhiqet në pushim. Pa këto pushime dhe rimbledhje forcash, është e pamundur të punohet me të njëjtin ritëm e të jepet prodhim. Trupi i njeriut është si një fabrikë, kurse gjymtyrët e tij si makineritë e asaj fabrike. Agjërimi është pretekst që trupi ynë-fabrikë të pushojë, të mos vjetrohet, por të punojë në mënyrë të përsosur. Me anë të agjërimit hidhen jashtë yndyrnat e dëmshme të grumbulluara në trup, treten mishrat e tepërta që bëhen shkak për ngjallje, trupi lehtësohet. Sot janë një tufë njerëzish që kërkojnë andej-këtej shpëtim nga ngjallja (obeziteti). Dhe është një e vërtetë e pranuar nga shkenca e mjekësisë se obeziteti bëhet pengesë për qarkullimin e gjakut dhe funksionimin e ngadalshëm të trupit. Kurse agjërimi është edhe shpëtim për këto sëmundje, edhe pretekst i rëndësishëm për të fituar mirësi e shpërblim.

Postime të ngashme