Abdullah ibn Mes’udi r.a, një i ri që u edukua në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut s.a.s.
Abullah ibnu Mes’udi në atë kohë ishte një djalosh me shtat të njomë dhe ende nuk e kishte arritur moshën e pjekurisë. Kohën e kalonte nëpër kodrat e Mekës, larg njerëzve, duke ruajtur delet e njërit prej zotërinjve të kurejshit, Ukbe ibnu Muajti.
Njerëzit e thërrisnin me ofiqin ibnu Ummi Abd’, por emri i tij është Abdullah, ndërsa i babait të tij Mes’ud.
Djaloshi dëgjonte lajmet e paraqitjes së Pejgamberit në mesin e popullit të vet, por ajo pak fare i interesonte për shkak të moshës së tij të re, në një anë, si dhe për shkak të izolimit të tij nga rrjedhat e shoqërisë së Mekës, në anën tjetër. Ishte mësuar të shkonte herët në mëngjes me delet e Ukbesë e të kthehej me to në orët e vona të mbrëmjes.
Një ditë prej ditësh, djaloshi i Mekës, Abdullah ibnu Mes’udi vërejti prej së largu dy mesoburra hijerëndë, të cilët po shkonin në drejtim të tij, që dukeshin të lodhur e të rraskapitur. Nga udhëtimi i gjatë u ishin tharë buzët dhe fyti. Kur arritën tek ai, e përshëndetën dhe i thanë:
– O djalosh, mile njërën prej këtyre deleve që ta shuajmë etjen!
Djaloshi ia ktheu:
– Nuk mund ta bëj këtë. Delet nuk janë të miat. Ato më janë lënë në besim.
Dy mesoburrat nuk i pritën fjalët e djaloshit me përbuzje, por në fytyrat e tyre u duk një lloj kënaqësie.
Pastaj njëri prej tyre i tha djaloshit:
– Më drejto te një dele, e cila ende nuk ka pjellur. Djaloshi e drejtoi te një dele e vogël aty pranë. Njeriu iu afrua, e lidhi dhe filloi t’i prekë gjinjtë e saj me duart e tij, duke e përmendur emrin e Allahut. Djaloshi e shikoi me habi dhe tha me vete:
– Kur ka ndodhur që delja e cila ende nuk ka pjellur të nxjerrë qumësht?!
Mirëpo, nuk kaloi shumë dhe gjinjtë e deles u frynë dhe qumështi filloi të rrjedhë me bollëk.
Ndërsa njeriu tjetër mori një gur prej tokës, në formë pjate, dhe e mbushi atë me qumësht, nga e cila pinë ai dhe shoku i tij. Pastaj edhe atij i dhamë të pijë prej tij dhe ai nuk mund t’i besonte asaj që ishte duke parë…
Pasi u ngopën me qumësht, njeriu i mirë i tha gjiut të delës: Rrudhu, dhe menjëherë filloi të rrudhet, derisa u kthya në gjendjen e mëparshme.
Atëherë djaloshi i tha atij njeriu të mirë:
– Më mëso mua diçka prej atyre fjalëve që the!
Ai ma ktheu:
– Ti je djalosh i ditur.
Ky ishte fillimi i ngjarjes së Abdullah ibnu Mes’udit me Islamin…
Njeriu i mirë nuk ishte vetëm se i Dërguari i Allahut, ndërsa shoku i tij ishte Ebu Bekër EsSidiku r.a….
Ata të dy kishin dalë atë ditë në kodrat e Mekes, për shkak të keqtrajtimeve dhe presioneve të shumta që bënin kurejshitët mbi ta.
Ashtu sikurse e deshi djaloshi Pejgamberin a.s. dhe shokun e tij, po ashtu edhe Pejgamberi a.s. dhe shoku i tij u mahnitën me djaloshin, e çmuan lart besnikërinë dhe sinqeritëtin e tij të madh dhe parashikuan se ai patjetër do të bëhet njeri i vlefshëm.
Nuk shkoi shumë kohë e Abdullah ibnu Mes’udi pranoi fenë islame dhe iu paraqit Pejgamberit a.s. që të jetë në shërbimin e tij, me çka pëlqeu Pejgamberi a.s.
Prej asaj dite, djaloshi fatlum Abdullah ibnu Mes’ud kaloi prej profesionit të bariut të deleve në shërbimin e zotëriut të të gjitha krijesave dhe popujve.
Abdullah ibnu Mes’udi e përcolli të Dërguarin e Allahut ashtu siç e përcjell hija të zotin. E shoqëronte kur ai qëndronte në shtëpi dhe kur udhëtonte. Ishte me të brenda në shtëpinë e tij dhe jashtë saj… E zgjonte prej gjumit kur flente, e mbulonte kur pastrohej, ia mbathte nallanet kur dëshironte të dilte jashtë, ia zbathte kur ai donte të hynte. Ia mbante shkopin dhe misvakun e tij. Ia pastronte dhomën kur ai hynte në të…
Por, edhe më tepër: Pejgamberi a.s. i lejoi atij të hynte tek ai në çdo kohë dhe të dinte të gjitha sekretet e tij, derisa u quajt njohës i sekreteve të të Dërguarit të Allahut.
Abdullah ibnu Mes’udi u edukua në shtëpinë e Pejgambe-rit a.s., u pajis me moralin e tij dhe e pasoi atë në të gjitha cilësitë e tij, derisa u tha për të: – Ai është njeriu më i afërt i Pejgamberit a.s., në aspektin fizik dhe moral.
Ibnu Mes’udi u shkollua në shkollën e Pejgamberit a.s. dhe ishte prej lexuesve më të mirë të Kur’anit në mesin e ashabëve. Njohës më i mirë i sureve të tij dhe njohës më i mirë i ligjeve të Allahut.
Këtë më së miri e argumenton tregimi i atij njeriu që iu drejtua Omer ibnul Hattabit, kur ai ndodhej në Arafat, dhe i tha:
– Po vij, o prijës i besimtarëve, prej Kufes dhe atje kam lënë një njeri, që po i dikton mushafet përmendsh.
Për këtë, Omeri r.a. u hidhërua së tepërmi dhe pyeti:
– Cili është ai, vaj halli për ty?!
Ai tha: -Abdullah ibnu Mes’udi.
Pas pak kohe, Omerit i kaloi hidhërimi dhe erdhi në gjendjen e tij normale, dhe tha:
– Medet për ty! Betohem në Allahun se nuk di që ka mbetur njeri i cili ka më shumë të drejtë për këtë çështje sesa ai. Do të flas diçka për të.
Omeri e filloi tregimin e vet e tha:
– Një natë prej netësh, Pejgamberi a.s. ishte tek Ebu Bekri, bisedonin për çështjet e muslimanëve dhe unë isha i pranishëm. Nuk shkoi shumë kohë dhe Pejgameri a.s. doli, dhe ne dolëm me të. Kur hymë në xhami, pamë një njeri tek falej, të cilin nuk e njohëm, Pejgamberi a.s. u ndal dhe po e dëgjon, e pastaj u drejtua kah ne dhe tha: – Kush dëshiron ta lexojë Kur’anin, ashtu sikurse ka zbritur, le ta lexojë atë sipas kiraetit (leximit) të Ibnu Ummi Abdit…
Pastaj Abdullah ibnu Mes’udi u ul të lutej e Pejgamberi a.s. filloi të thotë me një zë të vogël të cilin vetëm ne e dëgjonim:
– Lutu, do të jepet ty…
Lutu, do të jepet ty…
Omeri pastaj vazhdoi të flasë.
– Thashë me vete: “Betohem në Allahun se nesër, herët në mëngjes, gjithsesi do të shkoj tek Abdullah ibnu Mes’udi dhe do ta përgëzoj me “aminin” e të Dërguarit të Allahut në lutjen e tij.” U zgjova herët në mëngjes, shkova tek ai dhe e përgëzova, por Ebu Bekri kishte shkuar para meje për ta përgëzuar.
Betohem në Allahun se nuk kam mundur t’i paraprij Ebu Bekrit në asnjë të mirë.
Njohuria e Abdullah ibnu Mes’udit rreth Librit të Allahut xh.sh. ishte aq e gjithanshme dhe gjithëpërfshirëse, saqë ai thoshte: – Betohem në Allahun, që nuk ka tjetër përveç Tij, se nuk ka asnjë ajet të Kur’anit të zbritur e që unë nuk e di se ku ka zbritur dhe për çka ka zbritur. Dhe sikur të dija se dikush tjetër ka më shumë njohuri rreth Librit të Allahut, do të shkoja të mësoja prej tij.
Nuk është e tepërt kjo që tha për veten Abdullah ibnu Mes’udi. Një ditë prej ditësh Omer ibnul Hattabi r.a. takon një karvan në njërin prej udhëtimeve të tij, gjatë një nate të errët që e kishte mbuluar me errësirën e saj karvanin.
Në karvan kishte qëlluar Abdullah ibnu Mes’udi e Omeri e urdhëroi një njeri t’i pyesë ata:
– Prej nga jeni?
– Prej një vendi të largët.
– Për ku jeni nisur?
Abdullahu u përgjigj:
– Për në Shtëpinë Shenjtë.
Omeri tha: “Me siguri në mesin e tyre është ndonjë alim (dijetar) dhe e urdhëroi një njeri dhe i thirri ata:
– Cila pjesë e Kur’anit është më madhështore?
– Allahu është një, nuk ka zot tjetër përveç Atij. Ai është Mbikëqyrës i pëhershëm dhe i përjetshëm. (2:255)
– Pyete, cila pjesë e Kur’anit është më e përsosur?
– Vërtet Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve. (16:90)
– Pyete, cili ajet i Kur’anit është më gjithëpërfshirës?
– “E kush bën ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush bën ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë” (99:78)
– Pyete, cili ajet i Kur’anit është më frikësues?
– Nuk është (shpëtim) sipas shpresave tuaja e as sipas shpresave të ithtarëve të Librit. Kushdo që bën keq, do të ndëshkohet me të dhe nuk do të gjejë pos Allahut, as mik as ndihmës. (4:123)
– Pyete, cili ajet i Kur’anit është më shpresëdhënës?
– Thuaj: O robërit e mi, që e keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, sepse vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet. Ai, njëmend, fal shumë dhe është mëshirues. (39:53)
Omeri tha:
– Pyete, a është në mesin tuaj Abdullah ibnu Mes’udi?
Ata u përgjigjën:
– Betohemi në Allahun se ai është në mesin tonë.
Abdullah ibnu Mes’udi nuk ishte vetëm lexues i mirë i Kur’anit, dijetar dhe njeri i devotshëm, por në të njëjtën kohë ishte i fuqishëm, i vendosur, luftëtar dhe i guximshëm, kur e kërkonte nevoja.
Mjafton për të që ishte muslimani i parë në rruzullin tokësor që e lexoi Kur’anin me zë të lartë pas Pejgamberit a.s.
Një ditë prej ditësh, sahabët e Pejgamberit a.s. u tubuan në Mekë ishin në numër pak dhe të pafuqishëm dhe thanë:
– Deri më tani asnjë herë nuk iu dha rasti kurejshitëve të dëgjojnë leximin e Kur’anit me zë të lartë. A gjendet dikush në mesin tonë, i cili mund ta bënte këtë?!
U paraqit Abdullah ibnu Mes’udi dhe tha:
– Unë do ta bëj këtë.
Shokët ia pritën:
– Ne kemi frikë për ty. Por, dëshirojmë që këtë ta bëjë dikush që ka familje e cila mund ta marrë nën mbrojtje, në rast se kurejshitët ia dëshirojnë të keqen atij. -Ai ia ktheu: -Më lëni mua, sepse Allahu do të më mbrojë prej sherrit të tyre.
Pas kësaj u nis në drejtim të Qabes, derisa arriti te “Mekami Ibrahim”. Ishte mesditë. Kurejshitët ishin ulur rreth Qabes. Ai u ndal te “Mekami Ibrahim” dhe nisi të lexojë me zë të lartë: “Bismillahirrrrahmanirrrrahim. Errrrahman Allemel Kur’ane. Halekal insane. Allemehul bejane”.
Ai vazhdoi të lexojë derisa tërhoqi vëmendjen e kurejshitëve, të cilët të habitur pyetën: “Çka tha Ibnu Ummi Abdi?!
– Medet për të… Ai po lexon atë që i është zbritur Muham-medit!
Kurejshitët u ngritën të mllefosur. Filluan ta grushtojnë, t’i mëshojnë në fytyrë, por megjithatë ai vazhdoi të lexojë derisa e përfundoi. Pastaj shkoi te sahabët e tij e gjaku i rridhte rrëke prej fytyrës. Ata i thanë:
– Për këtë ta kishim frikën.
Ndërsa Abdullahu ua ktheu:
– Betohem në Allahun se armiqtë e Tij, tani janë më të dobët në sytë e mi dhe nëse dëshironi, unë do ta përsëris këtë nesër.
Ndërsa ata ia pritën: – Jo. Mjafton kjo që bëre sot, sepse ata dëgjuan prej teje atë që e urrejnë.
Abdullah ibnu Mes’udi jetoi deri në kohën e halifatit të Osmanit r.a. Kur u sëmur rëndë, atë e kishte vizituar Osmani r.a. dhe e kishte pyetur:
– Prej çka po ankohesh?
Abdullahu ia ktheu:
– Prej mëkateve të mia.
Osmani pastaj shtoi:
– Cila është dëshira jote?
Ai u përgjigj:
– Dëshiroj mëshirën e Zotit tim.
Pastaj Osmani e pyeti:
– A të urdhëroj të ta japin rrogën tënde, të cilën nuk e ke marrë vite me radhë?!
Abdullahu iu përgjigj:
– Nuk kam nevojë për të.
Osmani i tha:
– Do t’u mbetet vajzave të tua pas teje.
Abdullahu ia ktheu:
– A ke frikë se vajzat e mia do të vuajnë nga varfëria?!
– Unë i kam urdhëruar ato që ta lexojnë për çdo natë surën “ElVakia”, sepse unë e kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut duke thënë: “Kush e lexon suren “El Vakia” për çdo natë, assesi nuk mund të jetë i varfër.
Kur arriti nata, Abdullah ibnu Mes’udi kaloi në botën e amshueshme, ndërsa gjuha e tij ende ishte e freskët duke përmendur Fjalët e Allahut xh.sh.