A mund të bëhen zap gjuha, epshi dhe oreksi?!

Përgjigjja paraprake është pozitive. Po, është e mundur, megjithëse është e vështirë. Një temë e tillë është shumë e gjerë dhe e mundimshme për t’u trajtuar, por këtu ia vlen të ndalemi vetëm në disa aspekte.

Gjuha, epshi dhe oreksi janë tre aspektet ku më së tepërmi godet fenomeni i ngutjes së njeriut. Ato përbëjnë pjesët kryesore të Unit, të Egos së njeriut, prandaj janë shumë të dobishme në jetën e tij individuale dhe sociale, kur përdoren me masë, por janë po aq të rrezikshme dhe të dëmshme, kur me to kalohet masa, duke shkaktuar shkatërrime dhe prishje të mëdha në jetën individuale dhe shoqërore.

Gjuha. Të gjithë jemi të vetëdijshëm për nevojën dhe domosdoshmërinë që ka njeriu për të folur, për t’u shprehur, për të komunikuar me të tjerët. Për këtë na shërben gjuha, si transmetuese, përcjellëse e ndjenjave dhe mendimeve të njeriut. Fjala është pjesë e Unit njerëzor, pasqyrë e tij. E kundërta e të folurit është heshtja. Shpesh herë heshtja është më e mirë. Mbase je më i fituar nëse hesht. Kur fillon të flasësh engjëjt nisin e shkruajnë, për mirë ose për keq. Dhe libri yt rëndohet, sepse pesha e fjalës së njeriut është e rëndë. Shumë kuptimplote është fjala e urtë e përcjellë ndër shekuj “Heshtja është thesar, fjala është flori!”

Në rininë time të hershme pata shkruar :

“Se një i ditur tha ca fjalë:

Përpara gjuhës mendja të dalë!

Fjalën e urtë s’e shpika unë:

Fol, vetëm kur heshtja prish punë!”

Epshi përfaqëson dëshirën e madhe të njeriut për të plotësuar kënaqësitë trupore dhe jo vetëm; është një zjarr i madh i mishit dhe i gjakut. Epshi është faktor kryesor në ruajtjen, përtëritjen dhe vazhdimësinë e qenies njerëzore. Epshet shfaqen në disa forma dhe janë disa llojesh. Veçojmë epshet seksuale, të cilat ndizen dhe shuhen sipas bioritmeve dhe impulsive jetësore në varësi ose jo të ndërgjegjes njerëzore. Është shumë e vështirë që njeriu t’i sundojë, drejtojë dhe t’i mundë epshet e veta. Për këtë duhet durim i madh dhe edukatë e fortë; duhet besim, ndjenjë e fortë frike dhe turpi.

Libri i Urtësisë Universale, përvoja dhe porositë profetike na mësojnë drejtpërdrejt se si duhet t’i frenojmë dhe t’i bëjmë zap gjuhën dhe epshin, se si ta frenojmë egërsinë e tyre natyrore me qëllim që nga veprimi i tyre për së mbari e në rrugë të drejtë të sigurojmë kënaqësinë e Krijuesit dhe tonën njëkohësisht.

Oreksi shpreh një dëshirë ose një ëndje të njeriut për të ngrënë, për ushqim dhe jo vetëm. Oreksi është një formë e lehtë e urisë. Ne themi se njeriu ka oreks të madh, por themi gjithashtu se oreksi vjen duke ngrënë. Oreksi shfaqet gjithashtu edhe si një dëshirë a etje për të pasur diçka, për të ngrënë një gjë, për të nuhatur një aromë, për të parë një gjë të bukur, etj. Shfaqet si një synim për t’ia arritur diçkaje, duket edhe si një lloj lakmie ose një lloj qejfi për t’u marrë me një punë, argëtim, lojë, etj. Oreksi i tepruar, tej mase kalon në fenomenin e Nepsit.

Nepsi përfaqëson një dëshirë të madhe të njeriut për të ngrënë gjithçka që ka përpara ose që i shkon ndër mend. Është një lakmi e tepruar për të shijuar diçka. Themi për dikë që ka neps të madh, që e ngacmon nepsi, ose se ai tjetri është njeri me neps, nepsqar. Shpesh njeriu nepsqar barazohet me njeriun epshor, megjithëse kjo barabitje nuk tregon të njëjtën dukuri.

Sqarimet e mësipërme mendoj se nuk janë të tepërta dhe janë bërë me qëllim që të kuptohet thelbi fillestar i gjuhës, epshit dhe oreksit dhe të merret me mend rrezikshmëria në teprimin me to, për të marrë masa në shfrytëzimin e tyre jo në dëm, por në dobi të njeriut. Çdo sëmundje përmban edhe shenjat e ilaçit për kurimin e saj.

Një nga mrekullitë e shumta të Librit të Urtësisë Universale, Kur’anit Kerim, është porosia, ligji i ruajtjes së masës në çdo gjë, në gjithçka, si në anën materiale të botës ashtu edhe në atë ndjesore, shpirtërore të njeriut.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: