A i çmojmë sa duhet mirësitë e Zotit?
Ajeti që Allahu përsërit më shumë në suren “Rrahman” është: “E cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?” Ndoshta nuk i mohojmë drejtpërsëdrejti, por ndoshta i mohojmë ato në mënyrë të tërthortë, fare pa e kuptuar. Për ta kuptuar më mirë këtë, le të pyesim veten se sa e njohim vlerën e mirësive që na ka dhuruar Allahu i Madhëruar dhe sa mirënjohës jemi për to. Shumë sende na janë bërë të zakonshme, madje edhe të pavlera. Por në një çast të caktuar, ato janë gjëja më e shtrenjtë në botë për ne.
Në librin “Gjylistani dhe Bostani”, Sadiu tregon një ngjarje shumë interesante. Një njeri humbet në shkretëtirë dhe shkon vërdallë, pa kuptim, për disa ditë me radhë. Uria po e brente! Etja po e digjte! Kur një ditë, duke ecur gjen një çantë… Ashtu me sy të zgurdulluar, vërsulet drejt saj! O Zot, çfarë dhurate! O Zot, çfarë gëzimi! Mirëpo, kur e hap, zhgënjehet pa masë. Dëshpërohet pafundësisht, sepse çanta nuk kishte as bukë, as ujë, por perla e margaritarë.
A nuk është koha të reflektojmë dhe të jemi mirënjohës ndaj Zotit për mirësitë e pafundme që na ka dhënë?!