A ËSHTË I MUNDUR MOHIMI I ALLAHUT?
Njeriu që nuk mundet ta mendojë as fshatin, vendbanimin më të vogël, pa kryeplak, si mund ta mendojë gjithë këtë gjithësi pa drejtues? Njeriu që e di se edhe një shtëpi-barakë nuk mund të bëhet pa një plan dhe projekt, a mund ta mendojë se si është formuar pa plan, në mënyrë spontane, arkitektura e kësaj gjithësie pa anë e pa fund?
Vetëm se është një e vërtetë se nga krijimi i njeriut gjer më sot, krahas atyre që e kanë besuar Zotin, ka pasur edhe mosbesimtarë dhe nga ata që e kanë mohuar Atë. Siç ka ndodhur dje, ashtu edhe sot, të dyja këto pole kanë përfaqësuesit e vet. Ç’mund të jetë, vallë, shkaku që madje edhe njerëz në dukje shumë të zgjuar zënë vend në radhët e mosbesimit? Na duhet të qëndrojmë mbi këtë pikë.
Faktorët që e çojnë njeriun në mohim mund t’i trajtojmë nën katër nëntituj:
- Vështrimi sipërfaqësor: Njeriu i krijuar në themel me një konstitucion të përshtatshëm për t’i kuptuar të vërtetat lidhur me qëllimin e ekzistencës, disa herë, si rezultat i një vështrimi sipërfaqësor, nuk tregon lëkundje për ta pranuar një gjë të pamundur. Ai e sheh të pamundurën të mundur, të shtrembrën, të vërtetë. Por po qe se i njëjti njeri do ta vështronte thellësisht të njëjtën gjë, ndoshta nuk do të tregonte lëkundje për ta hedhur poshtë pohimin që pati bërë pak më parë. Për shembull, në botën fizike, njohuritë që mund të fitojë mbi diametrin e diellit njeriu që s’ka asnjë njohuri mbi këtë, që nuk ndjen nevojën për të pyetur ndonjë që di dhe duke e vëzhguar diellin nga larg me sy të lirë, janë të qarta; për të, dielli do të jetë një trup qiellor i ndritshëm në madhësinë e një topi.
Si kjo, edhe njeriu që e sheh gjithësinë me vështrime sipërfaqësore, të pavëmendshme dhe indiferente, nuk mund ta dallojë se gjithësia funksionon me një regjim më të ndjeshëm dhe të përpiktë se një fabrikë ose makineri dhe se ka një bukuri magjepsëse. Ai nuk e sheh dot diturinë dhe fuqinë që e ka krijuar këtë gjithësi që ka një rregullsi të mrekullueshme dhe bie në mohim.
- Sjellja imituese që buron nga nënvleftësimi i mendimit: Një tjetër specifikë që i shtyn njerëzit në mohim është imitimi. Shumë njerëz i pranojnë gjërat që shohin nga etërit e nga mjedisi pa u bërë asnjë kritikë, kurse do të duhej që zakonet dhe traditat si dhe pikëpamjet e personave që u dëgjohet fjala, të testoheshin duke marrë për bazë kriteret hyjnore. Po qe se këta njerëz do të arrinin të mendonin se çdo thënie e çdo njeriu nuk mund të jetë e drejtë dhe e besueshme, se mendja e njeriut është e paaftë për ta konceptuar e vetme çdo gjë të drejtë, nuk do të binin në këtë gabim. Me të vërtetë, a nuk është një argument i hapur i këtij fakti që, gjatë gjithë historisë, veçanërisht filozofët kanë bërë deklarata të tilla që e kanë hedhur poshtë njëri-tjetrin, që asaj që dikush i ka thënë e bardhë, tjetri i ka thënë e zezë? Ja pra, Zoti ka dërguar udhëzues (Profetë) të pajisur me kritere hyjnore me qëllim që njerëzit të mos e humbin toruan, që ta gjejnë të drejtën, të mirën e të bukurën.
- Qëndrimi me paramendim ose i kushtëzuar: Ata që, duke e trajtuar shfaqjen e ekzistencës, i kanë ngritur apo i ngrenë teoritë e tyre duke thënë se “dimensioni transcendental nuk është racional”, i mbyllin qysh në fillim të gjitha rrugët e mundshme që çojnë në një dimension të tillë, me pretendimin se “nuk është racional”.
Në të përgjithshmen e botëkuptimit shkencor materialist, ekzistenca e një krijuesi të padukshëm kundërshtohet dhe hidhet poshtë në mënyrë paraprake. Pra, qysh në krye, zhvillohet një metodë e ashtuquajtur “shkencore” (!), sipas së cilës, “nuk ka krijues, nuk ka dimension transcendental, çdo gjë duhet zgjidhur brenda marrëdhënies shkak-pasojë”. Më qartë, mendësia materialiste e fillon punën duke thënë “nuk ka Zot”. Ç’ndodh pastaj? Meqë materialistët ua zënë shtegun të gjitha pyetjeve me mundësi për të kaluar në çështjen e dimensionit transcendental duke thënë “nuk është shkencore”, vërtiten brenda një rrethi vicioz në kornizën e kufijve të përvijuar nga vetë ata pa i gjetur përgjigje përfundimtare asnjë pyetjeje. Në themel, këta njerëz nuk kanë bërë ndonjë përpjekje për ta dëgjuar zërin e arsyes. Si rrjedhojë e faktit që janë pozicionuar qysh në fillim kundër besimit, kanë shpikur këllëfë të tillë si “shkencor – joshkencor” dhe “racional – joracional”. Meqë kanë vështruar të kushtëzuar nga paragjykimi se arsyeja nuk e pranon ekzistencën dhe domosdoshmërinë e një fuqie transcendentale, nuk e kanë parë dot të vërtetën.
Duke u nisur nga këto, mund të themi se shqetësimi i vërtetë i mendësisë së kushtëzuar në mohimin e Zotit nuk është ta përdorë arsyen për ta gjetur të vërtetën, por ta përdorë arsyen kundër të vërtetës së fesë hyjnore. E thënë ndryshe, arsyeja në duart e tyre është mjet që e përdorin për të kundërshtuar të vërtetat e njoftuara nga shpallja hyjnore. Sa herë që të shfaqet domosdoshmëria për ta shpjeguar me dimension transcendental çështjen që e kanë marrë për ta trajtuar, përgjigjen e kanë gati: “Por kjo nuk është shkencore!” “Ky nuk është qëndrim racional!” Shihet se ata që e kanë vendosur paraprakisht të mohojnë, kanë përgatitur një metodë shkencore sipas tyre për një qëllim të paracaktuar dhe pastaj, çdo lloj qëndrimi apo trajtimi që e përgënjeshtron këtë qëllim të paracaktuar, e kundërshtojnë dhe e hedhin poshtë duke thënë se “s’është shkencore”!
Materialistët, të cilët, duke ia mbyllur qysh në krye zemrën të vërtetës së ekzistencës së një Krijuesi të padukshëm, të fshehtë, përpiqen ta shohin çështjen vetëm nga një këndvështrim, në fund të këtij qëndrimi të tyre mbeten të detyruar ta kërkojnë “Krijuesin” mes gjërave ose materies së krijuar. Për shembull, një shkencëtar materialist vëzhgon gjithësinë dhe ekzistencën, vëzhgon ngjarjet dhe dukuritë dhe fillon interpretimin duke vendosur që më parë me anë të parapranimit “nuk ka gjë tjetër veç këtyre që po shoh”. Ai nuk jep vetëm informacion mbi gjërat që ka vëzhguar. Bie fjala, sheh një qelizë dhe, lidhur me strukturën e ADN-së në bërthamën e asaj qelize, nxjerr një “konkluzion” të përgjithshëm, sipas të cilit, “në kushte të caktuara, ADN-ja kopjon vetveten”, gjë që, më shumë se një dhënie njohurie lidhur me situatën në fjalë, është interpretim i lindur nga një kushtëzim ideor, një konkluzion i dhënë para kohe. Ky konkluzion është një pandehmë.
Duke mos qenë një mundësi e fuqishme e arritur nga arsyeja e shëndoshë si përfundim i një përpjekjeje teorike të saj, kjo pandehmë është një dëshirë e formësuar nën trysninë e paragjykimeve dhe e dobishme për të mbrojtur pasionet e atyre paragjykimeve. Kështu, në vende të ndryshme, Kurani thotë kështu:
“… Në të vërtetë, ata nuk ndjekin gjë tjetër, përveç hamendjes dhe vetëm gënjejnë.…” (Junus, 10/66)
“…Ata ndjekin vetëm hamendjet dhe atë që ua ka qejfi…” (Nexhm, 53/23)
Duke e dënuar arsyen për të menduar dhe gjykuar qysh në krye me këmbëngulje në një drejtim, arrihet në një gjendje të tillë që personi të mos i dëgjojë më fjalët (revelacionin) që janë në pozitën e udhëzuesit të mendimit dhe gjykimit dhe pse s’i dëgjon, nuk është në gjendje të mendojë e gjykojë. Shikimi i kushtëzuar i vlerave besimore dhe islame, duke nisur me të vërtetën e teuhidit, është pengesë për orientimin. Ky është edhe njëri prej mesazheve të faktit që Kurani është udhëzues i rrugës së drejtë për ata që ruhen nga gabimet, të këqijat dhe mëkatet. Nga ana tjetër, mendja dhe arsyeja janë vetëm një mjet. Kur këto ndriçohen me dritën e revelacionit hyjnor, e kryejnë funksionin e tyre të vërtetë nën shoqërimin e zemrës. Ndryshe, njeriu që del në rrugë duke i besuar vetëm mendjes/arsyes, mbetet në gjysmë të rrugës.
- Frika nga humbja e kënaqësive të jetuara. Kokat që me një sërë motivesh egoiste nuk duan ta pranojnë ekzistencën e Allahut, përpiqen që, pasi ta mohojnë Allahun, t’i gjejnë vetes argument qetësues, sepse ata mendojnë se, po t’i besojnë Allahut dhe ringjalljes, do të privohen nga të gjitha kënaqësitë që përjetojnë. E thënë ndryshe, meqë e dinë se besimi te një autoritet (ose fuqi) i lartë që do t’u kërkonte llogari, kërkon shmangien dhe veçimin nga kënaqësitë jolegjitime me të cilat janë lidhur ngushtë, e shohin mohimin si strehim. Sepse ata kërkojnë t’i vazhdojnë kërkesat dhe dëshirat sipas qejfit të vet pa u marrë në llogari. Dhe për këtë bëjnë sikur s’e shohin çdo të vërtetë që nuk u përshtatet këtyre dëshirave ose kërkojnë – me këllëfë gjoja shkencore – rrugë për t’i eliminuar ato të vërteta. Ja, ky është motivi më i fuqishëm që shtrihet në themelin e të gjitha mendësive mohuese. Me të vërtetë, në Kuran thuhet kështu:
“E nëse ata nuk i përgjigjen ftesës tënde, dije se ata janë skllevër të dëshirave dhe pasioneve të veta. E kush është në humbje më të madhe, se ata që udhëhiqen nga dëshirat dhe pasionet e veta, pa udhëzim prej Allahut?” (Kasas, 28/50)
Ky dhe ajete të ngjashëm portretizojnë njerëzit të cilët, ashtu siç ka ndodhur në të shkuarën, edhe në ditët tona, në vend të të vërtetës, e lidhin zemrën pas një sërë fantazish dhe utopish. Në të vërtetë, në themelin e të gjitha konsideratave materialiste ka një kërkim me bazë ikjen nga feja. E thënë ndryshe, është fjala për një pasion materialist mbështetur mbi dëshirën për të bërë një jetë të pakushtëzuar dhe sipas vetes, duke ikur nga përgjegjësia e dhënies llogari për jetën e jetuar.