NJERËZIMI DHE BESIMI NË ZOT

Është pothuaj e pamundur të gjesh në histori ndonjë popull jobesimtar. Çdo popull apo shoqëri ka besuar në një fuqi të lartë. Fundja, besimi në një fuqi të lartë përmbahet në natyrën e njeriut.

Sot, studimeve antropologjike të kryera vazhdimisht qysh herët nga ana e specialistëve të historisë së feve për çështjen e besimeve të para mbështetur mbi fetishizmin, totemizmin dhe animizmin, i është shtuar edhe një e re. Studimet e fundit të kryera mbi fiset primitive në juglindje të Australisë, që i takojnë formës më të thjeshtë të jetës njerëzore, kanë parashtruar faktin se ata i besojnë një qenieje të lartë. Studimet e reja të kryera në fushën e historisë së feve, dokumentojnë se edhe në shoqëritë primitive ekziston një konsideratë e mbështetur mbi ekzistencën dhe unitetin e Zotit, se politeizmi ka dalë më vonë si një deviacion. Nga dita e ekzistencës së parë të njeriut e gjer më sot, ky shpjegim dhe përshkrim besimi ka ekzistuar gjithmonë edhe pse në forma të ndryshme. Prania ose, të paktën, dukja e këtij besimi në të gjitha sistemet e mendimit të djeshme e të sotme, brenda të cilave ndodhet njeriu, tregon se në asnjë periudhë njerëzimi s’është privuar nga ky mesazh. Kurani na njofton se njeriu qysh nga fillimi nuk është lënë i paorientuar e pa qëllim: “… dhe nuk ka asnjë bashkësi që të mos i ketë ardhur një i Dërguar për ta paralajmëruar.” (Fatir, 35/24)

Dhe përsëri lidhur me këtë specifikë, në një ajet tjetër thuhet kështu: Dikur, të gjithë njerëzit përbënin një bashkësi të vetme. Pastaj Allahu u dërgoi profetët me lajme të mira dhe paralajmërime. Bashkë me ata, Ai zbriti edhe Librin me të vërtetën, për t’i gjykuar njerëzit në çështjet për të cilat nuk pajtoheshin.” (Bekare, 2/213)

Edhe ky ajet na njofton se nga Profeti Adem, njeriu i parë dhe Profeti i parë mbi tokë, e gjer më sot, njerëzit kanë pasur vazhdimisht mundësinë për t’u ndodhur dhe zhvilluar nën vëzhgimin e një Profeti. Njerëzit e parë qenë një bashkësi në sajë të Profetëve të parë. Me ndikimin që linte në ndërgjegjet e tyre fakti që vinin prej një origjine e prej një rrënje, ata qenë një e tërë dhe një bashkësi, nuk qenë të pafe, të egër e agresorë. Por më vonë, për një sërë shkaqesh simptomatike, ranë në mosmarrëveshje e në kundërshtim me njëri-tjetrin dhe e prishën bashkimin.

Fuqia e Pafundme që nuk e ka lënë milingonën pa kryetar dhe bletën pa mbretëreshë, edhe njerëzimin kurrë nuk e ka lënë pa Profet. Profetët, si njerëz të pajisur në mënyrë të posaçme u kanë kumtuar njerëzve se si mund të jetohet një jetë në përputhje me pëlqimin e Allahut. Dhe të vërtetat që kumtuan, i jetuan thellësisht dhe para gjithë të tjerëve, gjë që quhet përfaqësim me anë të shembullit personal.

Duke u dhënë njerëzve shpresë me rezultatin e të mirës dhe duke ua treguar fundin e të keqes, Profetët u kanë treguar atyre rrugët që shkojnë për tek pëlqimi i Allahut.

Allahu ka dërguar Profetë njëri pas tjetrit me qëllim që ta përshtatin ndaj origjinales natyrën njerëzore të programuar në themel të pastër e të orientuar dhe për të eliminuar pengesat mes zemrës së tij dhe të vërtetave dhe e ka mbushur njeriun me shpresë me anë të rezultateve të të mirës dhe e ka ftuar për maturi dhe syçelësi duke i treguar fundin e të keqes. Por ç’e do se ngaqë disa nuk kanë shpëtuar dot nga robëria e dëshirave dhe pasioneve të veta, kurse disa të tjerë, nga rënia në rrjedhat e mendjemadhësisë, padrejtësisë dhe dhunës, në çdo periudhë të re, duke i ndryshuar pak mosmarrëveshjet dhe kontradiktat mes tyre, por me siguri duke i shumëfishuar, kanë ecur në rrugë të veçanta.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: