Azraili (a.s.) është një, si mundet Ai t’i marrë shpirtrat e të gjithë njerëzve që vdesin në të njëjtin grimëçast?

Në këtë pyetje shohim gjithashtu se si njësitë e matjes dhe kriteret e ngushta njerëzore ndonjëherë arrijnë ta gënjejnë njeriun. Ashtu siç është një gabim përngjasimi i njeriut me engjëllin, ashtu janë gabime edhe shikimi i “nomenit” brenda “fenomenit” si dhe kërkimi i funksionit të shpirtit te trupi i vdekshëm ose, po e quajmë më saktë, kufomës. Nisur nga kjo, nuk do të ketë sukses përpjekja për t’i dhënë përgjigje pyetjes pa shpjeguar deviacionet botëkuptimore dhe gabimet terminologjike që janë bërë shkaktarë për të lindur kjo pyetje.

Nisur nga bota ku ndodhet ose bota e vet, nga krijimi dhe cilësia si dhe nga përgjegjësitë dhe detyrat, engjëlli është një qenie krejtësisht e dallueshme. Analiza e engjëllit sigurisht që do të jetë e gabuar nëse nuk shihet kah bota e tij, nëse nuk paramendohen cilësitë dhe detyrat e tij. Nisur nga kjo, jemi të mendimit se, së pari, është e domosdoshme ta njohim engjëllin me këto aspekte të tij.

Fjala engjëll, melek, rrjedh nga fjala “melk” që do të thotë “fuqi” ose nga fjala “mel’ek” që do të thotë përfaqësues, i dërguar, i ngarkuar me detyrë. Sipas variantit të parë, do të thotë “shumë i fuqishëm” dhe, ndoshta, “fuqi më vete“, kurse sipas variantit të dytë, do të thotë “përfaqësues i urdhrit hyjnor që jep e merr“.

Këto karakteristika ndodhen tek engjëjt e zakonshëm të krijuar prej Providencës Hyjnore. Veçanërisht duhet të ndodhen tek ata që janë të ngarkuar me detyrën e sjelljes së revelacionit, zbulesës hyjnore. Këto qenie eprore, duke nisur me ato që vëzhgojnë jetën dhe vdekjen e deri te ato që bartin rezidencën hyjnore, në një fushë të gjerë, janë të ngarkuar të vëzhgojnë dhe sodisin veprimtarinë e Zotit.

Të gjitha ndryshimet që ndodhin nga makrobota në mikrobotë, të gjitha zbërthimet dhe sintezat ndodhin nën vëzhgimin e këtyre engjëjve përfaqësues të forcës dhe dhënie-marrjes. Po ashtu edhe urdhrat juridiko-fetare të ardhura njeriut prej atributit “kelam – fjalë” të Zotit, përsëri prej këtyre qenieve të fuqishme, të besueshme e të sigurta përfaqësohen. Ç’fuqi të jashtëzakonshme kërkon e ndaj ç’përfaqësimi të besueshëm e të sigurt është i kushtëzuar ky vëzhgim i këtyre punëve të rënda e të holla, nga ligji i tërheqjes dhe shtytjes së përgjithshme ose, siç i themi ndryshe, i gravitacionit universal e deri tek lëvizja me një rregullsi të përsosur e elektroneve përreth bërthamës!

Engjëjt janë aq në brendësi të gjërave e dukurive, saqë pa ta është e pamundur të mendohet as një pikë shiu e as një bubullimë. Ja pra, ashtu siç “ligjet që veprojnë në gjithësi” të ligjshmërisë së krijimit, këto forca të vetëdijshme, sipas dhuntive dhe aftësive të veta, janë identitet i shfaqjes së fuqisë së pafundme të Zotit, që e mban çdo gjë në dorën e Tij, në ato gjëra dhe dukuri ashtu edhe revelacioni dhe frymëzimet që vijnë nga bota hyjnore me qëllim që të rregullojnë veprimet dhe sjelljet e njeriut, qenies më të vyer, pikës qëndrore të vështrimit të kësaj shfaqjeje kaq të madhe e të shkëlqyer, s’janë gjë tjetër veç shfaqjes së Zotit të zbulesës dhe frymëzimit tek gjërat dhe dukuritë.

Nisur nga kjo, t’ia përngjasosh njeriut engjëjt që janë ndërmjetësit mes Krijuesit dhe krijesës, si dhe, mbështetur në fuqinë e shkëlqyer të Krijuesit, të ngarkuarit me detyrën e vëzhgimit e të përdorimit të fuqisë dhe forcës esenciale në një fushë të gjerë, nga atomet deri te nebulozat, e t’i quash efektive edhe për engjëjt një pjesë konvencionesh që i përkasin vetëm njeriut, është deviacion në mendim dhe shprehje e qashtër injorance.

Me të vërtetë, nëse edhe engjëlli, ashtu si njerëzit, do të bartte mbi shpinë një veshje materiale që i themi trup ose kufomë duke iu nënshtruar dekompozimit dhe shpërndarjes, padyshim që edhe ai do të konsumohej nga koha si çdo gjallesë, edhe përfundimet që do të jepnim për të, do të kishin mundësi ta pranonin njeriun si një etalon për të. Mirëpo mes engjëllit dhe njeriut ekzistojnë dallime, madje, të tilla që do të bënin të pamundur çdo lloj analogjie midis këtyre dy klasave!

Engjëjt janë të ndryshëm nga njerëzit edhe për nga krijimi. Ky ndryshim ka të bëjë me përgjegjësitë e tyre në një fushë mjaft të gjerë. Kjo cilësi i bën ata më kompetentë e më efektivë. Engjëjt që zotërojnë veçori të tilla si reflektimi në shumë shpirtra në të njëjtin çast, perceptimi prej shumë syve dhe shfaqja në trajtë të shumuar duke qenë një, sipas një hadithi, të përcjellë prej nënës sonë, Aishes së nderuar (r.a.), janë të krijuar prej drite[1]. Prandaj edhe zotërojnë cilësi të dritës si disa prej atyre që sapo përshkruam.

Ashtu siç trupat e ndritshëm, megjithëse në vetvete janë një, shihen të reflektuar tek çdo trup me sipërfaqe pasqyrore dhe ashtu sikurse hyjnë në të njëjtin çast tek çdo kristalin (sy), ashtu edhe engjëjt, qenia e të cilëve është prej drite, mund të reflektohen në shumë shpirtra në të njëjtin çast dhe mund të hyjnë në marrëdhënie në të njëjtin çast me mijëra syresh.

Kështu pra, engjëjt janë krejt të ndryshëm edhe nga sendet materiale, të ngurta e opake si dielli. Për ta, ashtu siç është e mundshme të marrin trajta dhe pamje të ndryshme, është e mundshme edhe të duken në trajta të ndryshme në të njëjtën kohë.

Kjo rrjedhshmëri dhe ky fluiditet tregojnë se qenia e dytë, në antagonizëm me trupin, është më aktive dhe janë simptomë e funksionit që qëndron mbi ligjet natyrore të engjëllit i cili është më fluid në raport me shpirtin.

Trajtësimi i engjëjve e i shpirtrave është diçka që dihet qëkuri. Profetët dhe shumë njerëz të lartësuar në botën shpirtërore kanë treguar për vëzhgimet e tyre në lidhje me këtë dhe kanë sjellë si dëshmitarë njerëz nga populli.

Fakti që Xhebraili (a.s.) është dukur në pamje të ndryshme e që ka marrë atë pamje që ka qenë e përshtatshme për vendin dhe ngjarjen përkatëse, për shembull, pamjen e përshtatshme për ambasadorin gjatë revelacionit ose të luftëtarit gjatë një lufte, përbën, në secilin rast, shembull për dukurinë e trajtësimit. Trajtësimi i engjëllit është i vërtetë edhe për shumë engjëj, edhe për të, edhe për engjëjt në përgjithësi. Ashtu siç Xhebraili (a.s.) është dukur në pamjen e Dihjes (r.a.)[2], ashtu edhe një engjëll tjetër që s’ia dimë emrin, në luftën e Uhudit, në çastin më kulmor të saj, ka hyrë në trajtën dhe pamjen e Mus’ab bin Umejrit duke luftuar pranë të Dërguarit të Allahut (a.s.) deri në të ngrysur[3]. Po kështu, shumë engjëj, duke marrë pjesë në luftën e Bedrit, në pamjen e Zubejr b. Avami, u kanë dhënë forca fuqisë morale të myslimanëve.[4]

Janë të shumta sa nuk mund të numërohen kontaktet e miqve të Zotit me banorët e botës së fshehtë në një mënyrë të ngjashme me këtë. Sidomos shfaqja e tyre tek njerëzit e thjeshtë me anë të ëndrrave, i përfton çështjes sonë fuqi në një mënyrë të pamohueshme. Pothuaj çdo njeri është bërë dëshmitar i faktit se si një shpirt që e njeh atë njeri, e di dhe që duket se është i interesuar nga afër për të, me anë të ëndrrave i ka treguar se ç’rrugë duhet të ndjekë, ia ka ndriçuar mendjen atij. Por ç’e do që ca njerëz, duke e përgjithësuar çështjen e diskutueshme të nënvetëdijës (subkoshiencës) vetëm për një pjesë ëndrrash, përpiqen që këtë punë ta sjellin në një trajtë sa më të pakuptueshme. Mjerë injorantët!

Duke ua lënë librave, ku këto përshkruhen në tërë hollësitë e tyre, trajtimin tërësor të kësaj çështjeje dhe specifikat lidhur me engjëjt, shpirtrat dhe trajtësimin , si përfundim mund të themi se ashtu siç çdo qenie duket në pasqyra me shëmbëllimin e vet, edhe engjëjt mund të duken në të gjitha vendet që mund t’u bëhen, mund t’u shërbejnë si pasqyra atyre, si dhe, ashtu si trupat materialë dhe opakë, jo vetëm si trajtë, por identikisht dhe me të gjitha funksionet.

Dhe, në këtë kuadër, nuk ka asnjë dëm që engjëlli të jetë një individ. Duke u reflektuar si një rreze a tufë drite prej aty ku ndodhet, mundet ta zgjasë dorën në vendin ku dëshiron dhe mund të kryejë çfarëdo pune që dëshiron. As largësia e distancave dhe as sasia e personave me të cilët hyn në marrëdhënie, nuk mund t’i bëhen Atij pengesë. Ashtu siç dielli, megjithëse është një, shihet dhe ndihet në çdo vend dhe bëhet dëshmitar i ndikimit të vet sipas kapacitetit të receptorëve dhe pasqyrave përkatëse që i japin mundësi atij të shihet dhe ndihet, engjëjt që janë krejtësisht dritë dhe dritësorë, me përparësinë e tyre mund të shihen në çdo vend e të veprojnë. Mund të fryjnë jetë dhe mund të marrin shpirtrat…

Mirëpo është Allahu (xh.xh.) në personalitetin e Vet Ai që i merr shpirtrat. Sa për Azrailin (a.s.), ashtu siç ka në çdo punë të Zotit një sërë vëzhguesish dhe miratuesish, ashtu edhe ai është, në marrjen e shpirtrave, një vëzhgues dhe miratues. Ndërkaq, Krijuesi që është i gatshëm dhe mbikqyrës në çdo vend, bën aq punë përnjëherësh, saqë nuk mund të llogaritet e nuk mund të imagjinohet, po kështu edhe miliarda qenie edhe mund t’i krijojë, edhe mund t’i asgjësojë në të njëjtin çast. Ja pra, janë kjo fuqi marramendëse dhe kjo dituri e pafund që e sheh dhe e di tërë materien në çdo çast, që edhe nëse disa e shohin si larg mendjes, i kryen të gjitha punët gjer në imtësi, në të njëjtin çast dhe pa gabuar duke i rrëmbyer shpirtrat e atyre që vdesin pavarësisht vendit ku ndodhen.

Veçanërisht, edhe sikur shpirtrat t’i marrë Krijuesi i Lartë, edhe sikur t’i marrë Azraili, çdo personi, kur t’i mbushet afati, i drejtohet dhe i merret shpirti. Për të dhënë një ide, po paraqesim këtë shembull. Le të mendojmë mijëra marrës si radio që punojnë në të njëjtën frekuencë. Sapo të nisë të funksionojë dhënësi që punon në të njëjtën frekuencë, tek të gjithë marrësit, në të njëjtin çast, dëgjohet sinjali i dërguar apo shenja të alfabetit mors, nëse transmetimi bëhet në mors. Në të njëjtën mënyrë, sapo të gjitha krijesat me çehren ku u lexohet dobësia, varfëria dhe nevojtaria, që ndodhen me fytyrën të kthyer kah një portë e fuqishme dhe e kamur, me sinjalin e mbarimit të afatit të hapen ndaj Individualitetit që fryn jetë e merr shpirtra, nisin të ndiejnë sinjale bërëse ose zhbërëse në shpirtrat e tyre. Nëse njeriu i dobët arrin të luajë, me anë të një radiomarrësi, me aparate që ndodhen kilometra të tëra larg, e pse atëherë Individualiteti që është i pastër prej çdo të mete a mangësie që mund të na kushtëzojë ne, si qenie njerëzore, të mos mundë, në të njëjtin çast, të vihet në marrëdhënie me shpirtin e njeriut që është identitet i një makine të gjallë, ta komandojë atë si të dojë duke e marrë, kur të dojë, e duke i dhënë vazhdimësi, kur të dojë?

Përveç këtyre të gjithave, në lidhje me marrjen e shpirtrave, ekzistojnë konsiderata të ndryshme.

  1. Ashtu edhe siç e shprehëm, siç është Allahu Ai që i jep jetë çdo gjallese, është po Allahu Ai që ia merr asaj jetën. Sipas kësaj, detyra e Azrailit (a.s.) është vetëm ta vëzhgojë e ta duartrokasë këtë veprimtari të shkëlqyer.
  2. Shpirtrat i merr Azraili (a.s.); në lidhje me mundësinë e kryerjes së aq shumë punëve nga një individ i vetëm, më sipër u përpoqëm ta ndriçojmë çështjen duke dhënë shembuj të ndryshëm.
  3. Ashtu siç ka shumë engjëj që, nën kryesinë e një përfaqësuesi, vëzhgojnë të gjitha punët që kryhen në përmasat e gjithësisë, ashtu edhe Azraili i nderuar (a.s.) ka shumë engjëj që e ndihmojnë në detyrën e marrjes së shpirtrave e që janë të ndarë në klasa të ndryshme. Ndërsa një pjesë engjëjsh janë të tillë që i marrin shpirtrat pa i ngacmuar, pa krijuar shqetësim, një klasë tjetër, shpirtin e rrëmbyer e çojnë tek i Larti i të lartëve duke notuar nëpër qiej si të ishin re; Kurani jep shenjë për të gjitha këto klasa: “Pasha ata që marrin shpirtrat me rrëmbim dhe ata që marrin shpirtrat me lehtësim dhe ata që notojnë me shpejtësi…[5]

Nisur nga kjo, janë shumë engjëj që i dërgohen veç e veç njeriut të cilit do t’i merret shpirti dhe të gjithë ata janë nën komandën e Azrailit (a.s.)[6]. Me urdhër të Allahut (xh.xh.), Ai u dërgon engjëj të ndryshëm shpirtrave të mirë, e të tjerë shpirtrave të këqij, duke ia marrë shpirtrat me anë të tyre.[7]

Si përfundim, mund të themi se ajo çka i ka dhënë shkak pyetjes në krye, së pari është një deviacion në botëkuptim. E thënë ndryshe, me përngjasimin e engjëjve me njeriun, është e lehtë të bihet në këtë farë gabimi. Kurse ne pamë dhe formuam opinionin kategorik se engjëlli nuk i përngjet njeriut as nga krijimi, as nga cilësitë; po kështu, edhe veprimtaria e engjëllit është krejt e ndryshme nga ajo e njeriut. Krejt si shpirti i njeriut, engjëlli trajtësohet, mund të ndodhet në të njëjtin çast në shumë vende dhe të hyjë në marrëdhënie me shumë gjëra. Po kështu, ai hyn në marrëdhënie edhe me njerëzit, ku një vend të veçantë zë pikërisht marrja e shpirtrave.

 

Të vërtetën e çdo gjëje Ai e di!

[1] Muslim, zuhd 10; Ahmed ibn Hanbel, el musned 4/168.

[2] Buahri, menakib 22; Muslim, fedailu sahabe 100.

[3] Ibn Sa’d, tabakatu’l kubra 2/121.

[4] Lidhur me zbritjen e engjëjve, shih: Muslim, xhihad 58; Ibn Kethir, Tefsiru’l Kur’an 3/560-561.

[5] Sureja Naziat, 1-3.

[6] Shih: Sureja En’am, 61.

[7] Shih: Sureja Enfal, 50; Sureja Nahl, 32.

Postime të ngashme