Papastërtia fizike 

En-nexhasetu është papastërtia fizike, të cilën myslimani detyrohet që ta pastrojë. Papastërtia ndahet në dy lloje:

1 – Papastërtia e madhe (nexhase mugaledhe)

Papastërti e madhe quhet çdo papastërti, e cila vërtetohet me argument dhe që nuk kundërshtohet me argument tjetër, e nëse ekziston ndonjë argument tjetër që kundërshtohet me të, atëherë është papastërti e lehtë. Në bazë të kësaj, papastërti e rëndë është:

a) Çdo gjë që del nga trupi i njeriut dhe që e prish abdestin, si p.sh.: urina, nevoja e madhe, vjellja me plot gojë, gjaku që rrjedh nga trupi, sperma dhe substanca të ngjashme që dalin nga njeriu janë papastërti të mëdha. Gjaku që del nga gratë gjatë periudhave të menstruacioneve, lehonisë apo për shkak të ndonjë anomalie, bën pjesë në papastërtitë e mëdha. Edhe gjaku që rrjedh nga kafshët (që nuk u hahet mishi i tyre) si dhe jargët e tyre kosiderohen papastërti e madhe.

b) Ngordhësirat, në grupin e të cilave bëjnë pjesë të gjitha ato kafshë, që sipas Sheriatit konsiderohen të ngordhura, si p.sh., kafshët që jetojnë në tokë të ngordhura pa u therur ose kafshët me gjak, të therura jo sipas rregullave përkatëse fetare. Si mishi, po ashtu edhe lëkura e ngordhësirës konsiderohet e papastër.

c) Vera dhe çdo lloj pijeje tjetër dehëse është e papastër.

d) Urina dhe pështyma (jargët) e kafshëve, mishi i të cilave nuk është hallall; si dhe jashtëqitja e të gjitha kafshëve, përveç shpendëve, janë papastërti të mëdha.

Papastërtia e rëndë duhet patjetër të pastrohet nëse është më e madhe se një dërhem, i cili peshon 4.5 gramë, nëse është e tharë, e nëse papastërtia është e lagët, atëherë duhet të jetë e shtrirë sa shuplaka e dorës.

2 – Papastërtia e vogël

a) Urina e kafshëve që u hahet mishi.

b) Urina e kalit.

c) Urina e shpendëve që nuk u hahet mishi.

d) Jashtëqitja e shpendëve, mishi i të cilave nuk hahet.

Postime të ngashme