Kush e vuan ndëshkimin e xhehenemit, shpirti apo trupi?
Ndërsa disa filozofë, mistikë dhe krishterë thonë se vetëm shpirti do të vuajë, ne, sunitë, siç besojmë se bashkë me shpirtin do të ringjallet edhe trupi, ashtu edhe besojmë se bashkë me shpirtin do të vuajë edhe trupi. Sepse puna e shpirtit me trupin është si puna e qorrit me topallin. Qorri e merr në shpinë topallin, kurse topalli i tregon rrugën qorrit dhe, kështu, së bashku, arrijnë të shkojnë atje ku duan! Si në këtë botë, ashtu dhe pas ringjalljes, shpirti me trupin i ndajnë së bashku vuajtjet dhe kënaqësitë. Fundja, ajetet dhe hadithet bëjnë fjalë qartë edhe për ndëshkimin dhe vuajtjet që do të heqin, edhe për kënaqësitë që do të shijojnë kurmi dhe gjymtyrët. Si mund të bëhet fjalë për përfitimet nga të mirat pa menduar një trup gjithsesi të përshtatshëm për jetën e botës së pasringjalljes? Pastaj, Allahu që ka krijuar, së bashku me shpirtin, edhe atomet e kurmit tonë, do të na e ringjallë kurmin së bashku me shpirtin dhe ose do të na ndëshkojë, ose do të na shpërblejë. Fuqia dhe dituria janë të Tij, Ai bën si të dëshirojë! Njeriu do ta mësojë të vërtetën e çdo çështjeje kur të shkojë në atë botë dhe të përballet me surprizat e atjeshme, sepse as syri ka parë, as veshi ka dëgjuar dhe as imagjinata s’ka përfytyruar dot se ç’ka atje!