Etapat e jetës së Ahiretit

a) Jeta në varr

Pas vdekjes me të cilën përfundon jeta e kësaj bote, nuk merr fund çdo gjë për njeriun, por fillon një etapë tjetër e jetës, jeta në varr. Varri është vendbanimi i fundit i kësaj jete dhe vendbanimi i parë i Botës tjetër. Jeta në varr paraqet periudhën e jetës prej vdekjes deri në momentin e ringjalljes, e cila emërtohet edhe si Berzah, jetë e ndërmjetme.

Si fjalë, berzah do të thotë perde, pritë dhe pengesë mes dy gjërave. Kurse si terminologji islame përdoret me kuptimin e jetës pas vdekjes deri në ringjallje. Berzahu është një urë mes kësaj bote dhe Ahiretit. Në Kur’an, kjo fjalë është përdorur edhe me kuptimin leksikor, edhe me kuptimin terminologjik.

Në Kur’an ka shumë ajete që tregojnë për ekzistencën e mundimit dhe ndëshkimit të varrit. Nga këta, në një ajet të sures “Mumin” thuhet kështu:

النَّارُ يُعْرَضُونَ عَلَيْهَا غُدُوًّا وَ عَشِيًّا وَ يَوْمَ تَقُومُ السَّاعَةُ أَدْخِلُوا آلَ فِرْعَوْنَ أَشَدَّ الْعَذَابِ

… Ata (familja e faraonit) do të çohen para Zjarrit në mëngjes dhe në mbrëmje, e, Ditën e Kiametit, do t’u thuhet melekëve: “Hidhni ithtarët e faraonit në dënimin edhe më të rëndë.” (Gafir:46.)

Në këtë botë të ndërmjetme, të quajtur Berzah, mohuesit do të kalojnë një jetë të hidhur e me shqetësime, kurse besimtarët do të kalojnë një jetë të lumtur e pa shqetësime në vartësi të punëve të tyre. Në hadithe njoftohet se dy melekë, të quajtur Munker dhe Nekir, do t’ua drejtojnë njerëzve pyetjet: “Kush është Zoti yt?”, “Kush është Pejgamberi yt?”, “Cili është libri yt?”, etj. dhe do t’i trajtojnë njerëzit sipas përgjigjeve që do të marrin prej tyre.

Jeta e Berzahut vazhdon deri në ardhjen e Ditës së Gjykimit, kur meleku Israfil i bie Surit dhe njerëzit që të gjithë do të ringjallen e do të dalin nga varret. Shpirtrat do të bashkohen me trupat dhe njerëzit do të mblidhen në pritje të Gjyqit Suprem: gjynahqarët do të qëndrojnë pranë shejtanëve, kurse besimtarët do të qëndrojnë pranë Pejgamberëve, predikimet e të cilëve i ndoqën. Myslimanët besojnë në Ditën e Gjykimit, kur do të vendosen Peshoret, në të cilat do të peshohen bëmat e njerëzve:

وَ نَضَعُ الْمَوَازِينَ الْقِسْطَ لِيَوْمِ الْقِيَامَةِ فَلا تُظْلَمُ نَفْسٌ شَيْئًا

Në ditën e gjykimit Ne do të vëmë peshore të drejta, e askujt nuk i bëhet e padrejtë asgjë.” (Enbija: 47)

Mëkatarët, që nuk e besuan Allahun xh.sh dhe i bënë shok Atij, pas mbarimit të Gjyqit, do t’i fusin në Xhehenem, ku do të zënë shkallë të ndryshme në varësi të rëndesës së keqbërjeve e gjynaheve. Besimtarët e devotshëm do të futen në Xhenet, por për të mbërritur deri aty, do t’u duhet të kalojnë nëpër Siratin (urën), që varet mbi greminën, poshtë së cilës ndodhet Xhehenemi e matanë së cilës ndodhet Xheneti. Kjo urë cilësohet si më e hollë se fija e flokut, më e mprehtë se tehu i thikës dhe është aq shumë e rrëshqitshme, saqë mund të qëndrosh vetëm në qoftë se të mban Allahu xh.sh. (në varësi të veprave të mira në këtë botë). Rreth e rrotull është errësirë e plotë, dhe vetëm drita e besimit do të jetë ajo, që do ta ndriçojë rrugën për në xhenet. Besimtarët, të cilët nuk i kanë bërë shok Allahut xh. sh., por që kanë bërë gjynahe, nuk mund të kalojnë dot nëpër këtë urë, ata do të bien në Xhehenem, por nuk do të qëndrojnë aty përgjithmonë. Falë mëshirës së Allahut, këta do të nxirren nga Xhehenemi, sepse për ta do të bëhen ndërmjetës Pejgamberët, të dërguarit dhe besimtarët dhe, pas vuajtjes së dënimit, do të hyjnë në Xhenet.

Sipas Kur’anit, koha se kur do të bëhet Gjykimi nuk dihet, atë e di vetëm Allahu, sepse një dije e tillë nuk është në fuqinë e krijesave të Allahut. Për më tepër, edhe dija për të nuk ua sjell njerëzve ndonjë dobi, sepse rëndësi kanë bëmat që njeriu i kryen në të gjallë:

يَسْأَلُونَكَ عَنِ السَّاعَةِ أَيَّانَ مُرْسَاهَا فِيمَ أَنتَ مِن ذِكْرَاهَا إِلَى رَبِّكَ مُنتَهَاهَا

Ty të pyesin për kiametin: – Kur do të ndodhë ai? Po në çfarë gjendje je ti që t’ua përkujtosh atë? Vetëm te Zoti yt është dijenia për të.” (Naziat:42-44)

b) Ringjallja dhe grumbullimi

Shpërndarja e librave të llogarive tona, llogaridhënia, peshorja, sirati, burimi i Keutherit… janë realitete, që i takojnë jetës së Ahiretit.

Fjala hashr, kuptimi leksikor i të cilës është mbledhje, grumbullim në një vend, si term fetar do të thotë menjëherë pas ringjalljes në Ditën e Kiametit, mbledhje e të gjitha krijesave dhe dërgimi i e tyre në sheshin e grumbullimit.

Mahsheri ose grumbullimi i llogaridhënies është vendi ku njerëzit do të ringjallen shpirtërisht dhe trupërisht. Kur’ani tregon se hashri është dita kur të gjithë njerëzit do të mblidhen bashkë dhe do të dalë në shesh se, me të vërtetë, kush ka fituar dhe kush ka gënjyer.

Pas shpërthimit të Kiametit, ringjalljes dhe grumbullimit në fushën e quajtur mahsher, njerëzve u shpërndahen “librat e punëve”, ku janë shënuar të gjitha veprat që kanë bërë, fjalët që kanë thënë para se të vdisnin. Këta libra, cilësia e të cilëve nuk na bëhet e ditur, shpjegohen kështu në Kur’an:

وَ وُضِعَ الْكِتَابُ فَتَرَى الْمُجْرِمِينَ مُشْفِقِينَ مِمَّا فِيهِ وَ يَقُولُونَ يَا وَيْلَتَنَا مَالِ هَذَا الْكِتَابِ لا يُغَادِرُ صَغِيرَةً وَ لا كَبِيرَةً إِلاَّ أَحْصَاهَا وَ وَجَدُوا مَا عَمِلُوا حَاضِرًا وَ لا يَظْلِمُ رَبُّكَ أَحَدًا

Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: -Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt.” (Kehf:49)

Kur’ani bën të ditur se librat e punëve do t’u jepen nga e djathta njerëzve të caktuar për në Xhenet, kurse njerëzve të caktuar për në Xhehenem nga e majta ose nga pas. Ata, të cilëve u jepet libri nga e djathta, emërtohen as’habi jemin (të djathtët, të vendosurit), kurse ata që u jepet nga e majta ose nga pas, as’habi shimal (të majtët, të shmangurit nga e drejta). Dhënia e librit nga e djathta është lajmërim për një fund të mirë, kurse dhënia nga e majta ose nga pas është lajmërim për një fund të keq.

Pas shpërndarjes së librave fillon procesi i llogaridhënies. Në hadithet e Pejgamberit a.s. bëhet e ditur se, ndërsa besimtarët do t’u përgjigjen pyetjeve me lehtësi, mohuesit do të kalohen përmes një hetimi dhe llogaridhënieje të imtë.

Gjatë hetimit dhe llogaridhënies, përveç librit të punëve, po të duhet, për njerëzit do të dëshmojnë edhe organet e trupit të tyre, edhe toka. Gjatë hetimit dhe llogaridhënies, si ai që ka bërë të mirë qoftë edhe sa grimca, do ta marrë shpërblimin e të mirës së tij, ashtu edhe ai që ka bërë të keqe, qoftë edhe sa grimca, do ta marrë ndëshkimin e të keqes së tij.

Mizani

Pas llogaridhënies veprat e njerëzve peshohen në Mizan. Si fjalë, mizan do të thotë peshore. Ajo që duhet të kuptojmë me peshoren, është peshimi dhe matja (vlerësimi) e punëve me mënyrën e përcaktuar nga Allahu xh.sh.. Lidhur me peshoren, në Kur’an thuhet kështu:

وَنَضَعُ الْمَوَازِينَ الْقِسْطَ لِيَوْمِ الْقِيَامَةِ فَلا تُظْلَمُ نَفْسٌ شَيْئًا وَإِن كَانَ مِثْقَالَ حَبَّةٍ مِّنْ خَرْدَلٍ أَتَيْنَا بِهَا وَكَفَى بِنَا حَاسِبِينَ

Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje!” (Enbija:47)

Sirati

Sirati është një urë mbi Xhehenem, ku do të kalojë gjithkush dhe ata që s’do të mund të kalojnë, do të bien në Xhehenem. Edhe mbi cilësinë e vërtetë të Siratit është e vështirë të thuhet diçka e saktë. Vetëm se një kalim i tillë, sipas një mënyre që e di dhe e përcakton vetëm Allahu, do të ndodhë patjetër. Në hadithet e Profetit  a.s. njoftohet se ata që do të kalojnë të parët mbi Sirat do të jenë Muhamedi a.s. dhe Ymeti i tij dhe gjatë këtij kalimi, njerëzit do të kenë vështirësi apo lehtësi sipas punëve të tyre.

Këtë urë do ta kenë mjaft të lehtë për ta kaluar besimtarët që kanë bërë punë të mira, kurse mjaft të vështirë për ta kaluar mohuesit dhe mëkatarët; mund ta interpretojmë edhe si “urë të ndërtuar nga njeriu gjatë gjithë jetës së tij në këtë botë me anë të punëve të tij të mira apo të këqija.”

Sipas njoftimit të haditheve, në Ditën e Kiametit, çdo Pejgamberi do t’i dhurohet një burim. Ndërkaq, uji i burimit që do t’i jepet Pejgamberit Muhamed a.s., do ta ketë ngjyrën më të bardhë se qumështi dhe aromën më të këndshme se parfumi. Kush do të pijë prej tij, nuk do të ketë më etje kurrë. Pejgamberi Muhamed a.s. do të jetë i pari që në Ditën e Kiametit do të pijë ujë në këtë haud (burim), pastaj, me radhë, besimtarët që janë përpjekur në rrugën e Allahut dhe që i kanë shërbyer Islamit.

Fjala kevther përmendet në Kur’an në ajetin e parë të sures “Kevther”, ku thuhet: “Pa dyshim, Ne të dhamë ty Kevtherin (Burimi i Mirësive)” (Keuther, 108/1).

Shefati

Një tjetër ngjarje e madhe që vijon në Ditën e Ringjalljes është çështja e shefatit (ndërmjetësimit). Fjala shefat që do të thotë ndërmjetësim, në terminologjinë fetare shpreh shfaqjen e mëshirës së Allahut në një dimension tjetër përmes përdorimit prej Tij si pretekst të Pejgamberëve, dijetarëve, dëshmorëve dhe besimtarëve sipas gradës së tyre për faljen në jetën e pasme, Ahiret, të mëkateve të besimtarëve gjynahqarë dhe për lartësimin në gradë të besimtarëve jomëkatarë.

يَوْمَئِذٍ لّا تَنفَعُ الشَّفَاعَةُ إِلاَّ مَنْ أَذِنَ لَهُ الرَّحْمَنُ وَرَضِيَ لَهُ قَوْلا

Atë ditë nuk do të bëjë dobi shefaati (ndërmjetësimi) i askujt, përveç ndërmjetësimit të atij, që i jep leje i Gjithëmëshirshmi dhe që i është pranuar fjala.” (Taha:109)

Në hadithet e Pejgamberit a.s. ka njoftime të hapura lidhur me shefaatin. Kështu, në një hadith, Pejgamberi a.s. ka thënë se ai do të ndërmjetësojë për faljen e atyre personave nga bashkësia e tij që kanë bërë gjynahe, kurse në një hadith tjetër ka bërë të ditur se për çdo Pejgamber ka një lutje të posaçme që i pranohet. Lutjen e vet ai do ta bëjë në Ahiret për të ndërhyrë për falje për ymetin e tij. Gjithashtu, në një hadith tjetër, Pejgamberi a.s. ka thënë se, ndërkohë që njerëzit në mahsher do të jenë duke pritur që të merren në pyetje, ai do t’i lutet Allahut që hetimi dhe llogaridhënia të mbarojnë një çast e më parë. (Buhariu)

Nisur nga kjo e dhënë, ajo që i bie si detyrë njeriut për të merituar një ndërmjetësim (shefaat) të tillë, është të qenët i vëmendshëm në kryerjen e detyrimeve të kërkuara prej tij nga Allahu dhe i Dërguari i Tij dhe, duke pasur frikë nga ndëshkimi i Allahut, prandaj i duhet t’i kërkojë ndërmjetësimin Atij.

c) Xheneti, Xhehenemi dhe E’arafi

Xheneti dhe Xhehenemi janë dy përfundime të rëndësishme për njeriun. Për myslimanin është obligim të besojë edhe Xhenetin edhe Xhehenemin. Xheneti është vend kënaqësie i përgatitur për besimtarët, kurse Xhehenemi vend ndëshkimi për jobesimtarët. Në suren “Rrahman” thuhet:

يُرْسَلُ عَلَيْكُمَا شُوَاظٌ مِّن نَّارٍ وَ نُحَاسٌ فَلا تَنتَصِرَانِ فَبِأَيِّ آلاء رَبِّكُمَا تُكَذِّبَانِ

Mbi të dy dërgohet flakë zjarri e përhapur dhe një tym krejt i kuq (ose bakër i shkrirë), kurse ju nuk mundi ta mbroni veten. Dhe, tani cilën nga të mirat e Zotit tuaj e mohoni?!” (Rrahman:35-36)

Postime të ngashme

%d bloggers like this: