Cili është qëllimi i dërgimit të profetëve? (1)
Ashtu sikurse krijimi i çdo gjëje vërtitet rreth një qëllimi të caktuar, edhe dërgimi i profetëve, njerëzve të përzgjedhur të Allahut, fsheh qëllime dhe urtësi të shumta.
Para së gjithash, çdo njeri i ndërgjegjshëm duhet ftuar të besojë tek një Zot i vetëm. Qëllimi thelbësor i ardhjes së qenieve njerëzore në këtë botë është njohja e Krijuesit dhe adhurimi i Tij ashtu siç e meriton. Në një ajet Zoti thotë: “Xhindet dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Dharijat: 56) Pra, arsyeja kryesore e dërgimit të profetëve është të treguarit në mënyrën më të qartë se si bëhet adhurimi ndaj Zotit.
Nevoja për të besuar në diçka më të fortë, më të qëndrueshme dhe më eprore se vetja është pjesë e natyrshmërisë së çdo njeriu. Ka nga ata që ia atribuojnë këtë status “ligjeve të natyrës”, ndërsa të tjerë strehohen te idhujt e ndërtuar me duart e tyre. Çdo i dërguar ka thirrur popullin e tij ose të gjithë njerëzimin t’i besojë dhe t’i bindet një të Adhuruari të vetëm e të denjë për adhurim. Historia na provon se njeriu, me mendjen e vet, nuk mund ta njohë ashtu siç duhet Krijuesin e tij. Njerëzit, edhe në intervalin kohor midis dy profetëve janë dhënë pas adhurimit të gjërave të kota e pavlerë duke iu lutur sendeve prej të cilave nuk kishin as dëm, e as dobi: statujave, gjërave pa jetë, yjeve, etj. Çdo profet i dërguar e ka ftuar popullin e tij për tek Allahu, është stërmunduar në këtë rrugë, u ka folur njerëzve për të Adhuruarin e vërtetë!
Një qëllim tjetër i dërgimit të profetëve është shpjegimi dhe kumtimi i fesë. Nëse nuk do të kishin ardhur ata, ne nuk do t’i dinim çështjet e adhurimit, nuk do t’i kuptonim urdhëresat dhe ndalesat dhe nuk do t’i plotësonim asnjëherë detyrimet tona fetare. Çfarë është namazi, haxhi, zekati? Nuk do ta dinim me siguri se cili është gjykimi për pijet alkoolike, kumarin (lojërat e fatit), tradhtinë bashkëshortore dhe kamatën. Po, vetëm falë profetëve kemi mundur t’i mësojmë këto dhe shumë çështje të tjera.
Nuk mund të mohohet se për t’i drejtuar njerëzit kah urdhëresave dhe ndalesave hyjnore duhet një “i përzgjedhur”. Veçse ky i fundit duhet të jetë njëri prej tyre, i bërë njësh me ta. Prandaj, Allahu të gjithë të dërguarit i ka caktuar prej njerëzve. Ata të gjithë e kanë përmbushur misionin e tyre deri në fund dhe nuk kanë mbetur pas në shpjegimin e Allahut.
Një qëllim tjetër i dërgimit të profetëve është që ata të përfaqësojnë një shembull ideal për njerëzit. Natyra e profetëve është e pastër, aspekti shpirtëror i tyre shumë i lartë, ndërsa vullneti shumë i fortë. Kurani e urdhëron të Dërguarin e Allahut që të ndjekë rrugën e profetëve të tjerë, duke theksuar se kjo është një udhë shembullore për të gjithë njerëzimin. “Pikërisht ata (të dërguarit e përmendur) ishin që Allahu i vuri në rrugë të drejtë, andaj ti merri shembull në udhëzim!” (Enam: 90)
Mbi të gjitha, vetë jeta e profetëve është një shembull i shkëlqyeshëm i moralit dhe drejtësisë. Pa ushqyer ndonjë brengë për përfitime vetjake, ata kanë menduar vetëm për ndërgjegjësimin e njerëzve mbi të vërtetat fetare e morale, si dhe për shërbimin dhe dobinë që mund t’u ofronin atyre. Saktësia e parimeve dhe vlerave morale që ata sollën në emër të fesë janë aktuale edhe pas kaq shekujsh. Kurani Famëlartë, përmes ajetit “Të gjithë ishin prej të mirëve të përsosur.” (Enam: 85) ka dhënë vendimin dhe gjykimin për lartësinë e tyre (profetëve). Kjo do të thotë se ata janë udhëzuesit dhe shembujt më të bukur për të gjithë njerëzimin. Ndërkohë, të gjithë janë vetvetiu të detyruar të pasojnë udhën e tyre duke iu përshtatur atyre.