Kush është njeriu i vërtetë?
Njeriu i vërtetë beson dhe është i vetëdijshëm që Ai, që i ka dhuruar ekzistencën e tij në këtë botë, e ka bërë këtë që ai ta njohë dhe ta adhurojë Zotin.
I pajisur me moral e virtyte të larta që e bëjnë njeri të vërtetë, ai është një altruist që me dashurinë e tij përfshin gjithë njerëzimin dhe madje, është gjithmonë i gatshëm të sakrifikojë veten për të mirën e të tjerëve.
Njeriu i vërtetë bashkon në karakterin e vet një shpirtmadhësi të madhe, njohuri të gjera, një temperament shkencor dhe një veprimtari të gjerë. Ai, asnjëherë nuk është i kënaqur me atë që ka arritur, me atë që ka mësuar dhe ka dëshirën e pasosur për të rritur vazhdimisht njohuritë e tij; mbi veten, natyrën dhe Krijuesin.
Njeriu i ri është pushtues dhe zbulues; pushtues i vetvetes, pushtues i mendimeve e zemrave dhe zbulues i asaj që akoma është e panjohur në univers. Ai e konsideron kohën të humbur nëse nuk arrin të bëjë një hap të ri në thellësinë e vetvetes dhe të universit. Duke hequr nëpërmjet besimit dhe njohurive të tij, perden që mbulon fytyrën e vërtetë të realitetit, ai ndihet më i etshëm për të ecur më tej, mbështetur në mesazhet dhe përgjigjet që ka marrë nga qiejt, toka dhe detet, për të vazhduar udhëtimin e tij derisa të kthehet te Krijuesi.