Kush njeh veten, njeh Zotin
Adhurimi rrjedh nga të njohurit e Allahut. Njohja e Allahut është kulmi i çdo njohurie dhe paraqet pikën fundore në rrugën e njohjes, e cila fillon me lindjen e njeriut.
Gjëja e parë që fëmija njeh pas lindjes është nëna. Më pas me rritjen e tij fillon të njohë më mirë nënën, babain, familjen, shoqërinë dhe mjedisin. Më vonë fillon ta shfrytëzojë mjedisin, i cili i bëhet si një kraharor i dytë i nënës; nga ky mjedis ai merr dhe shfrytëzon begati të shumta për mirëqenien e tij.
E gjitha kjo paraqet kënaqësinë e dytë të njohjes. Nga njohja e mjedisit tokësor, njeriu kalon në njohjen e hapësirës qiellore…Ai ka arritur të pushtojë hënën, të dërgojë anije kozmike në Mars dhe synon të lundrojë në botën e panjohur, duke u kënaqur me kënaqësinë e zbulimit dhe njohjes së gjithësisë. Pas kësaj, edhe vetë kozmonauti, ky lundërtar i hapësirave qiellore i shtron pyetjen vetes: kush jam unë, që arrita këtë njohje?
Me këtë pyetje ai nis një rrugë të re udhëtimi, udhëtimin e njohjes së vetvetes, me qëllim që t’i njohë dhe zotërojë aftësitë dhe fuqitë e veta, për t’i vënë në shërbim të vetvetes dhe të tjerëve. Me njohjen e vetvetes vjen njohja që paraqet kulmin e njohjes për çdo njeri, dhe kjo është njohja e Allahut, i cili krijoi shpirtin dhe qenien e njeriut.
Me këtë njohje të fundit, njeriu arrin lumturinë më të lartë, sepse takohet me më të Përkryerin, më të Lartësuarin, më të Bukurin e çdo gjëje.