Cilësitë e Allahut xh.sh.
Për ta njohur edhe më mirë Allahun Fuqiplotë, Ai e cilësoi Vetveten me cilësi dhe emra të shumtë. Këtë na e bën të ditur Kur’ani Famëlartë dhe i Dërguari i Tij, Muhamedi a.s. Qysh në fillim, doemos duhet të themi se perceptimi, njohja e vërtetë e qenësisë së këtyre cilësive për mendjen e njeriut është vështirë, bile edhe absurde, për shkak se ajo (mendja) është e paaftë të dijë shumë gjëra të fshehta të kësaj bote materiale e të mos flasim më për metafizikën, respektivisht për cilësitë e Allahut xh. sh. e për botën shpirtërore.
Shkalla e parë e intuitës së njohjes së Zotit është vështrimi dhe ndjenja e emrave ose atributeve të Zotit që na rrethojnë nga të katër anët.
Meqë nuk mund ta njohim dhe ta mendojmë Njëshmërinë e Allahut, ne e njohim Atë me anë të emrave e atributeve dhe ashtu e besojmë. Lidhur me këtë çështje, në Kur’an urdhërohet:
لآ تُدْرِكُهُ الأَبْصَارُ وَ هُوَ يُدْرِكُ الأَبْصَارَ وَ هُوَ اللَّطِيفُ الْخَبِيرُ
“Shikimet nuk mund ta shohin Atë, por Ai i sheh shikimet. Ai i njeh mirë sendet dhe ka dijeni për gjithçka.” (En‘am:103)
Edhe Pejgamberi ynë ka folur për këtë. Ai ka thënë: “Mendoni për krijesat e Allahut, por mos mendoni për qenësinë e Allahut. Pa dyshim ju s’keni aspak fuqi për këtë.”
Zoti është krejt tjetër nga gjërat që ka krijuar, nga e vërteta dhe relativiteti i tyre. Në këtë botë të kufizuar, njeriu mendon në mënyrë të kufizuar, sheh në mënyrë të kufizuar, dëgjon në mënyrë të kufizuar.
Arsyeja njerëzore e ka të pamundur të depërtojë në thellësinë e njohjes së qenësisë së Allahut xh.sh. përmes të menduarit dhe meditimit, sepse forca e mendjes dhe e imagjinatës së njeriut është tejet e kufizuar. Myslimanët mësojnë për Allahun xh.sh. nga Kur’ani dhe nga Syneti, duke u njoftuar dhe me Emrat që e lartësojnë Allahun, me vetitë që e karakterizojnë Atë. Allahu xh.sh. është i pastër nga çdo e metë. Ai nuk ka asnjë mangësi, për këtë arsye edhe emrat që Ai ka, përmbajnë të ngërthyera brenda vetes veti të përsosura e të lartësuara.
Në gjithësi ka me mijëra gjuhë dhe mijëra akorde që na e kujtojnë këtë. Kur’ani, me gjuhën e tij oratorike, është rikujtuesi më i madh, kurse Pejgmaberi ynë – kumtuesi më i shkëlqyer i kësaj.