Mua më duhesh Ti!

Dashuria jote më largoi nga vetja,

Ti je Ai që më duhet, je Ai që dua.

Ditën dhe natën digjem, i kapur nga agonia,

Ti je Ai që më duhet, je Ai që dua.

S’gjej gëzim të madh që të jetoj,

S’hidhërohem, edhe nëse s’ekzistoj.

I vetmi ngushëllim, e Jotja dashuri,

je Ai që dua, më duhesh vetëm Ti.

Dashuria Jote vret ashikët,

i dalldis në detin e dashurisë.

U shfaqesh nëpër humbëti,

je Ai që dua, më duhesh vetëm Ti.

Të dehem nga dashuria,

të marr malet si Mexhnuni.

Je kryefjalë e mendimeve të mia,

më duhesh vetëm Ti, je Ti Ai që dua.

Sofistët duan biseda mes miqsh,

njerëzit amshimin si sihariq.

Lejlaja kërkon një Mexhnun,

Je Ai që dua, vetëm Ti më mjafton.

Edhe po më vranë mua,

hirin ta shpërndajnë nëpër qiell,

qenia ime do të jehojë nën diell,

më duhesh vetëm Ti , je Ai që dua.

 

Nuk i përulem asgjëje,

nuk fluturoj më kot.

Kam qarë e vajtuar shumë për Ty,

je Ai që dua, më duhesh vetëm Ti.

Ajo që quajnë parajsë, bukuri,

katër-pesë pallate e ca hyri,

jepua atyre ç’të duan,

je Ti ai që dua, më duhesh vetëm Ti.

 

Junus ma thonë emrin.

Çdo ditë digjem për ty,

kam një qëllim të përbotshëm,

je Ti Ai që dua, më duhesh vetëm Ti.

Përshtati: Arjola Zaçi

Postime të ngashme