Besnikëria

Besnikëria është ndër ato trëndafila që rriten në klimën e miqësisë. Atë është e pamundur që ta gjesh në një atmosferë armiqësie. Besnikëria është veçanti e njerëzve që kanë të përbashkëta në ndjenja, në mendime e në ide. Ndjenja si mëria, urrejtja dhe smira janë armiqtë kryesorë të besnikërisë. Ajo hedh shtat në kraharorin e dashurisë e të humanizmit. Ka pasur edhe nga ata që besnikërinë e kanë përshkruar si njësim të njeriut me zemrën. E vërteta është se ndër njerëzit që nuk kanë një jetë të zemrës e të shpirtit nuk është e lehtë të bëhet fjalë për besnikëri. Që kur të thuash të vërtetën kur flet, që të jesh i besës kur jep fjalën a betohesh, është drejtpërdrejt e lidhur me jetën shpirtërore. Nëse dikush nuk e çliron dot veten prej gënjeshtrave e mashtrimeve, nëse sillet në kundërshtim me fjalët që ka dhënë e me betimet që ka bërë dhe nuk e ndien peshën e përgjegjësisë që merr përsipër, nëse mendon se mund të bëjë një jetë shpirtërore si ajo e hipokritëve dhe e mendjemëdhenjve, atëherë është njëlloj sikur ai të mashtronte vetveten.

Në fjalorë, fjala “besnikëri” përkufizohet si e kundërta e mashtrimit dhe e tradhtisë, si vënie në vend e fjalës së dhënë, si mbajtje e fjalës, si pagesë e borxhit. Ajo përdoret, gjithashtu, në kuptimet e dashurisë, të lidhjes së ngushtë e të vendosmërisë në miqësi, të përkujdesjes e të rritjes, të moralit të bukur e të lartës. Njeriu i besës është ai që i zbaton pa mungesa detyrimet që ka mbi vete kundrejt të tjerëve dhe që mbart detyrime vetëm ndaj vetvetes.

Si në Kuranin Fisnik, ashtu edhe në hadithe e madje edhe në veprat më të zgjedhura të letërsisë botërore, tema e besnikërisë është shtjelluar gjerësisht. Allahu i Lartësuar, sikurse pohon që vetë është i besës, përmend se besa, në radhë të parë, është cilësi dhe mirësi themelore e profetëve dhe e njerëzve të zgjedhur (Bekare, 177).

Atëherë, krahas cilësive si mirësia, mbajtja e fjalës së dhënë, kujdesi për të mos përgojuar e paragjykuar njeri, edhe besnikëria është një ndër parimet e bukura të moralit që çdo besimtar duhet ta bëjë sunduese në qenien e tij, si një ndër veçantitë themelore që nevojitet në çdo fushë të jetës. Individi, me ndjenjën e besnikërisë, fiton besueshmëri dhe lartësohet në shoqëri. Familja e ngritur dhe e mbajtur në këmbë mbi ndjenjën e besnikërisë, qëndron në këmbë dhe kthehet në një kënd prej këndeve të Parajsës. Shteti e ruan respektin kundrejt qytetarëve dhe popullit të vet vetëm nëpërmjet ndjenjës së besnikërisë. Në një vend ku ka humbur ndjenja e besnikërisë, nuk është e mundur që të bëhet fjalë as për individë të pjekur, as për vatër familjare që premton siguri, as për shtet të qëndrueshëm e të besueshëm. Në një vend ku nuk ka besnikëri, individët sillen ndaj njëri-tjetrit me dyshim, nuk gëzojnë paqe në vatrat familjare, shteti sillet keq me popullin e vet dhe gjithçka e gjithkush është e huaj për gjithçka e gjithkënd, njëlloj si sendet e pajeta… Edhe në qofshin njëri mbi tjetrin a njëri në tjetrin… Njerëzimi, për t’u çliruar prej problemeve nga të cilat vuan dhe për ta kthyer në parajsë botën e shndërruar në ferr për të, mund ta realizojë me sukses këtë qëllim vetëm duku u angazhuar në marrëdhënie të ngritura mbi ndjenja të besnikërisë ndaj shoqërive dhe kombeve. Historia ka dëshmuar se kombet e shtetet që godasin miqtë e tyre pas shpine, që nuk u përmbahen marrëveshjeve të bëra, që ndjekin politika të mbështetura në interesa të njëanshme, nuk jetojnë dot në pavarësi politike, ekonomike e kulturore dhe nuk gëzojnë respekt. Kurani Fisnik i cilëson njerëzit e përgjegjshëm si njerëz të besës: “Vetëm njerëzit e përgjegjshëm pranojnë këshilla. Ata që janë besnikë ndaj fjalës së dhënë Allahut dhe që nuk i prishin marrëveshjet e tyre.” (Rad, 19-20)

Fjala e dhënë apo besa që duhet mbajtur, miqësitë që duhen respektuar dhe marrëveshjet, kushteve të të cilave duhet t’u përmbahemi janë tri lloje:

§ të njeriut në marrëdhënie me Zotin;
§ të njeriut në marrëdhënie me vetveten;
§ të njeriut në marrëdhënie me njerëzit dhe me krijesat e tjera.
Ekzistencën e këtyre dhe kushtet përkatëse mund t’i njohim ose nëpërmjet Kuranit dhe Sunetit, ose nëpërmjet arsyes, përvojës dhe të ushtruarit.

Nga ana tjetër, besnikëria ka lidhje me koncepte fetare si pendesa, sinqeriteti, përgjegjshmëria, mbajtja e fjalës së dhënë, këmbëngulja në të vërtetën, hixhreti, durimi, qëndrueshmëria etj.. Kurse e kundërta e saj janë konceptet e lidhura ngushtë me mashtrimin, tradhtinë, dyfytyrësinë, mosmirënjohjen e të tjera si këto. Në të vërtetë, thuajse në të gjitha konceptet që gjenden në grupin e parë është e mundur të vërehet besnikëria, ndërsa në të dytat pabesia. Për shembull, nëse pas njëfarë shthurjesh e zvetënimesh të brendshme, njeriu bën pendesë duke iu kthyer sërish drejtësisë dhe duke u njësuar me thelbin e vet, kjo përbën një lloj besnikërie. Po ashtu, të penguarit e daljes në shesh të së vërtetës, mbulimi i saj, loja e dyfishtë, zbatimi i atij që në ditët tona është bërë modë të quhet “standard i dyfishtë”, përbën pikërisht pabesinë ndaj të drejtës dhe drejtësisë. Shkurt, ndërsa nga njeriu i besës kërkohen apo priten pendesë, sinqeritet, përgjegjshmëri, mbajtje e fjalës së dhënë, këmbëngulje në të drejtën, hixhret, durim dhe qëndrueshmëri, nga njeriu i pabesë, herët a vonë, priten të shfaqen sëmundje si mashtrimi, tradhtia e dyfytyrësia. Ndaj edhe besa qëndron në krye të atyre virtyteve që, marrëdhëniet e ndërsjella dhe në sjelljet tona, duhen përdorur si një etalon.

Në Kuranin Fisnik, besnikëria është shtjelluar në pesë kuptime:

1. Besnikëria në marrëveshje.

Ajeti që vijon tërheq vëmendjen në këtë lloj besnikërie: “Mos e shfrytëzoni pasurinë e jetimit ndryshe, përveçse në mënyrë të mirë (për t’ia shtuar), gjersa ai të arrijë pjekurinë e vet. Premtimin çojeni në vend, sepse për premtim ka përgjegjësi. Masën mbusheni kur matni dhe peshoni me peshore të saktë. Kjo është më e dobishme dhe sjell përfundim më të mirë.” (Isra, 34-35)

2. Besnikëria në fjalë

Ka kuptimin e mbajtjes së fjalës së dhënë. Ajeti i mposhtëm tërheq vëmendjen te kjo cilësi: “Sepse ai (Ismaili) e mbante fjalën dhe ishte një profet i dërguar nga Ne.” (Merjem, 54)

3. Besnikëria në blatim.

Me blatim në këtë rast kuptojmë vendimin personal për të kryer një vepër të lejuar, me qëllim të ibadetit dhe të arritjes së kënaqësisë së Allahut. Blatimi, ajo çka blatojmë, mbart kuptimin e një dhurate që ia dhurojmë një individi apo institucioni. Në lidhje me këtë çështje mund të kujtojmë këtë ajet: “Ata janë që i vënë në vend blatimet e tyre dhe i tremben një dite, dëmi i së cilës ka përmasa të mëdha.” (Insan, 7)

4. Besnikëria në peshë e masë.

Të maturit dhe të peshuarit e saktë e pa mangësi, kryesisht në tregtim. Kjo çështje argumentohet, ndër të tjera, me këtë ajet: “Matni saktë dhe mos u bëni ndër ata që lënë mangët.” (Shuara, 181).

5. Besnikëria në kontrata.

Me kontratë kuptojmë arritjen e dy personave ose të dy palëve në një marrëveshje për një çështje pune apo angazhimin e tyre në një premtim të ndërsjellë (si akti i nikahut)

Në lidhje me këtë çështje mund të mjaftohemi me këtë ajet: “O ju që besuat! Zbatojini kontratat!” (Maide, 1)

Në radhët që pasojnë, do të përpiqemi të sqarojmë, sipas radhës, rreth kuptimit që ithtarët e tasavvufit i kanë dhënë besnikërisë ndaj Profetit, ndaj prindërve, ndaj miqve e shokëve dhe ndaj bashkëshortëve e bashkëshorteve.

Besnikëria ndaj Allahut.

Pa dyshim që në krye të të gjithë atyre që u duhet treguar besnikëri qëndron Allahu, që e solli njeriun në ekzistencë nga asgjëja, që i dha atij formën më të bukur, që e pajisi me pasurinë e mendjes, që i bëri të njohur Veten e iu zbulua nëpërmjet profetëve dhe librave që i dërgoi, që, duke futur në llogari edhe vullnetin e individit, e udhëzoi njeriun në rrugën e drejtë. Prej njeriut që tregohet i pabesë ndaj Allahut nuk mund të pritet të tregohet i besës ndaj ndonjë qenieje tjetër. Sidoqoftë, duke e ditur se njeriu mund të thyhet në betejën me nefsin dhe Shejtanin, Allahu e paralajmëroi atë që në hapin e parë të ekzistencës dhe mori prej tij fjalë e premtime se nuk do të tregohej i pabesë ndaj hakut dhe hakikatit. Kjo është e mundur të quhet marrëveshje e natyrshme (fitri), sepse është fjala për një të vërtetë të rrënjosur në natyrshmërinë e çdo njeriu. Më pas, nëpërmjet profetëve që dërgoi, u kujtoi njerëzve dhënien e kësaj fjale të natyrshme, por të harruar prej tyre, dhe i paralajmëroi që të bëjnë atë që është e nevojshme. Kështu, në Kuran, në lidhje me bijtë e Izraelit jepet një shembull i tillë: “O bij të Izraelit, kujtoni mirësinë Time ndaj jush, mbajeni fjalën që më dhatë që edhe Unë të mbaj fjalën që ju dhashë. Dhe të ma kini frikën veç Mua.” (Bekare, 40) Në lidhje me fjalën e dhënë, që bijve të Izraelit u duhet ta mbajnë, janë paraqitur tri mendime themelore:

1. Fjala e dhënë për zbatim ka të bëjë me vënien në vend të të gjitha urdhëresave të Allahut pa përjashtim dhe me bindjen ndaj të gjitha ndalimeve të Tij. Kundrejt kësaj sjelljeje, Allahu i fal ata dhe, duke qenë i kënaqur prej tyre, i çon në Parajsë.

2. “Në të vërtetë Allahu pati marrë zotimin e bijve të Izraelit. Dhe ndër ta dërguam dymbëdhjetë prijës. Allahu tha: ‘Unë jam me ju!’ Në qoftë se falni namazin, e jepni zekatin, u besoni të dërguarve të Mi dhe u ndihmoni atyre, huazoni për hir të Allahut hua të mirë, Ai patjetër do t’ju shlyejë mëkatet tuaja dhe do t’ju fusë në kopshte nën të cilët rrjedhin lumenj. E kush nga ju kundërshton pas kësaj, ai e ka humbur rrugën e drejtë.” (Maide, 12).

3. Sipas një mendimi të tretë, është fjala e dhënë prej tyre se kur t’u dërgohej Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!), ata do të duhej t’i besonin atij. Kështu, në librat hyjnorë të dërguar më herët, cilësitë e Profetit tonë u ishin shpjeguar atyre dhe u ishte bërë e ditur se do të duhej ta ndiqnin atë. Çështja sqarohet me ajetet që vijojnë. Duke folur për ata që besuan prej bijve të Izraelit, thuhet kështu: “Që pranojnë të Dërguarin, Profetin arab, që nuk shkruan as nuk lexon, të cilin e gjejnë të cilësuar ndër ta në Teurat dhe në Inxhil…” (Araf, 157)[1] Kundrejt kësaj, Allahu do t’i çlirojë ata prej robërisë e skllavërisë.[2]

Ky ajet, që bën fjalë në veçanti për bijtë e Izraelit, është e natyrshme që i drejtohet mbarë njerëzimit dhe shpreh një gjykim të përgjithshëm.

Një ndër shembujt e pabesisë, të hipokrizisë e të mosmirënjohjes së njeriut është përmendur edhe në këto ajete: “E prej tyre pati të tillë që i patën dhënë besën Allahut: ‘Nëse na jep nga mirësia e Tij, ne do të ndajmë lëmoshë dhe do të bëhemi prej vepërmirëve. Kur Zoti u dha prej mirësive të Veta, ata u bënë koprracë, e thyen besën dhe u zmbrapsën nga respekti ndaj Allahut. E për shkak se e thyen besën që i patën dhënë Allahut dhe për shkak se gënjenin, Allahu u ngjeshi hipokrizinë në zemra gjer në ditën që do të përballen me Të. A nuk e dinin ata se Allahu di për fshehtësinë e tyre, për bisedën e tyre, dhe se Ai i di të gjitha të fshehtat?” (Tevbe, 75-78)

Besnikëria e profetëve

Profetët janë personalitete të shkëlqyera, të ngarkuara nga ana e Allahut për të përfaqësuar hakun dhe hakikatin. Ata u kanë hequr udhë shoqërive ku kanë dalë, ndërsa shumëkush për çështjen e tyre ka dhënë jetën me plot dëshirë. Mirëpo përgjatë historisë, profetët kanë përjetuar edhe pabesitë më të pamëshirshme. Ndër pabesitë më të rënda që janë përjetuar, njëra përmendet në ajetin që vijon: “‘O Musa, ne kurrë nuk futemi atje gjersa ata janë aty. Shkoni, pra, ti dhe yt Zoti e luftoni, ndërsa ne po rrimë këtu!’ Tha Musai: ‘Zoti im! Unë nuk kam në dorë kurrkënd veç vetes sime dhe tim vëllai. Ndana, pra, ne prej popullit të fëlliqtë.’” (Maide, 24-25) Nga njëra anë një profet që përpiqet për shpëtimin e shoqërisë, në të cilën është i ngarkuar me detyrë, dhe nga ana tjetër, turma e të pabesëve që e shpotisin duke i thënë: “Ik e lufto ti me tët Zot!”…

Të gjithë profetët kanë qenë njerëz që e kanë mbajtur fjalën e dhënë e janë treguar shumë besnikë ndaj Allahut, ndaj njerëzimit, ndaj mbarë krijimit. Kjo përbën, pa dyshim, një ndër virtytet e tyre themelore. Kurani, në shumë raste, na bën fjalë për ata besnikë të pashoq. Për shembull, Ademi (a.s.), me çelësin e besnikërisë së magjishme që mbartte në zemër, i çeli një nga një dyert që iu mbyllën në fytyrë dhe mbërriti në gurrat e mëshirës hyjnore. Ndërsa Iblisi, që në të njëjtën ngjarje u mbush me kryelartësi, shkoi me plot vetëdije e u hodh me këmbët e veta në honin e pabesisë dhe u mbyt aty. (shih: Araf, 11-30)

Për Ismailin (a.s.), që porsi një qengj e kapërceu me sukses sprovën e mundësisë për t’u therur me thikë, thuhet: “Kujto në Libër edhe Ismailin. Vërtet, ai ishte besnik në fjalë, ishte i Dërguar dhe Profet.” (Merjem, 54) Ndërsa për Ibrahimin (a.s.), që iu nënshtrua sprovës së mundësisë për të therur birin e tij të dashur, gjenden këto shprehje: “Apo mos vallë nuk është njoftuar për fletët e Musait dhe të Ibrahimit që u tregua i besës në premtimin e dhënë?” (Nexhm, 36-37) Veç kësaj, për etiketimin e Ibrahimit (a.s.) si njeri i besës, Profeti ynë na tregon edhe këtë qëndrim të tij: “Lëvdatat i përkasin veç Atij prej gjithçka që është në qiej e në tokë, edhe në mbrëmje, edhe ditën. Ai krijon të gjallin prej të vdekurit dhe të vdekurin prej të gjallit, e ngjall tokën pas vdekjes së saj e po ashtu edhe ju do të nxirreni (nga varret).” (Rum, 18-19) Miku i Zotit të Vërtetë, babai i profetëve, Ibrahimi (a.s.) kur u përball me zjarrin e Nemrudit, nuk kishte humbur kurrgjë prej besnikërisë së vet. Teksa ktheu mbrapsht ofertën për ndihmë të Xhebrailit, ai ishte i shqetësuar se mos nuk tregohej i besës ndaj Allahut, Zotëruesit të fuqisë së vërtetë. Kjo besnikëri, natyrisht, nuk mund të mbetej pa u shpërblyer dhe zjarri iu kthye në freski e paqe (Shih: Enbija, 69). Ndjenja e besnikërisë ka jetuar ndër shekuj si një virtyt mes pasardhësve të Ibrahimit, arabëve. Kjo gjendje vazhdoi edhe mes arabëve të kohës paraislamike.

Profeti i furtunës, Nuhu (a.s.), jetoi një jetë shekullore plot vuajtje, por edhe plot besnikëri. Për vite e vite me radhë, përmes paralajmërimesh e thirrjesh, u mundua të ushtronte ndikim te populli i vet, por në një masë të madhe të njerëzve nuk ia doli dot. E megjithatë, kjo nuk e ktheu atë kurrë mbrapsht prej portës së besnikërisë. Në një kohë kur mbi njerëzimin u lëshua zemërimi i qiejve e i tokave, ishte pikërisht kjo ndjenjë e besnikërisë brenda tij ajo që u shndërrua në barkë shpëtimi për të. (Shih: Hud, 40, Muminun, 27)

Shuajbi (a.s.) vuri re se në shoqërinë ku ai lindi, më e madhja sëmundje ishte pabesia në masë e në peshë dhe i paralajmëroi njerëzit sa e sa herë që të ndiqnin drejtësinë e të mos mashtronin në këtë mënyrë. Është e natyrshme që në këtë rast, ajo që të vjen e para në mendje është nevoja për të qenë i kujdesshëm në tregtimin e të mirave materiale që janë të nevojshme të maten e të peshohen. Mirëpo brenda kufijve të këtij paralajmërimi hyn masa në çdo çështje, materiale e shpirtërore, qoftë edhe në kuptimin e ruajtjes së vlerave dhe të masës së caktuar prej Zotit të Madhëruar në lidhje me të vërtetën. Nuk duhet harruar se asnjë profet nuk është ngarkuar vetëm me detyrën e përmirësimit të shtrembërimeve materiale. Për këtë arsye, nuk ka ndonjë të keqe që kufijtë e masës dhe të peshës në këtë kontekst të shihen nga një këndvështrim më i gjerë. Si shembull për këtë, dëshirojmë të sjellim ndërmend një grup ajetesh: “Kur Shuajbi u tha atyre: ‘A nuk ruheni? Unë jam i dërguar te ju; jam i besueshëm! E pra, kini frikë Allahun dhe dëgjomëni mua! Unë nuk kërkoj për këtë ndonjë shpërblim prej jush. Shpërblimi im është prej Zotit të botëve! Përmbusheni matjen dhe mos u bëni prej atyre që e lënë atë mangët! Dhe matni me peshore të saktë, mos u cenoni të drejtën njerëzve e mos shkaktoni trazira në tokë!’” (Shuara, 177-183)[3]

Besnikëria e Profetit tonë.

Duke ardhur te Profeti ynë, ai, nëpërmjet ndjenjës së besnikërisë që mbartte në shpirtin e vet, u nderua me Miraxhin, që nuk i kishte takuar kurrkujt më parë. Mbërriti në vende që nuk mbërritën as engjëjt, por në atë botë ku sytë verbohen prej shkëlqimit dhe shpirtrat e humbin toruan prej çudisë, ai, me ndjenjën e besnikërisë ndaj umetit të vet, pa ngurruar, u largua që andej dhe u rikthye mes shokëve të vet.

Edhe profetët e tjerë përpara Profetit tonë janë treguar të afërt e të dashur me umetet e tyre, tek të cilët kanë gjetur mbështetje në shërbimin ndaj çështjes së tyre. E si të mos i donin, kur ata, edhe në çastet më të vështira, nuk i braktisën kurrë. Por në vlerat e shpërfaqura prej Profetit tonë ka një dallim të tillë: më parë, me vdekjen e një profeti, në rastet më të shumta vinte një tjetër profet dhe veprimtaria vazhdonte. Ndërsa pas Profetit tonë, këtë mision e vijuan së pari sahabët dhe pastaj evlijatë e umetit. Pikërisht për shkak të një shërbimi të tillë të rëndësishëm, Ai e donte umetin e tij me një dashuri të veçantë dhe këtë e shprehte përmes besnikërisë së vet.

Po, Ai ishte një njeri i besës. Jo vetëm kundrejt njerëzve, por edhe kundrejt dheut e gurëve ishte i mbushur me besnikëri. I ndezur nga malli për Mekën, dilte në Uhud dhe shpesh shkonte të vizitonte vendbanimin e tij të parë në Kuba, sepse ky ishte vendi që, pas ndarjes nga Meka, i kishte hapur i pari zemrën për t’i thënë: “Mund të rrish tek unë.” Dhe Profeti ynë, sikur të donte t’i thoshte: “Ti më pranove e më mbajte në gji si mik”, çdo të shtunë përpiqej të shkonte patjetër në xhaminë e Kubas. Ai vizitonte edhe malin e Uhudit, për të cilin thoshte: “Ne e duam atë dhe ai na do ne.” Po kështu, shkonte në Baki, në varrezën e Medinës, përshëndeste me selam ata që preheshin aty dhe lutej për ta. E pra, dashamirë e dashakeqë që hulumtojnë për Profetin tonë në këtë kontekst thonë: nuk ka bashkësi më të lidhur me profetin e vet sesa ajo e lidhur me Profetin e Islamit dhe asnjë prijës kaq i lidhur me bashkësinë e vet as nuk ka ardhur, as ka për të ardhur ndonjëherë. E ç’ka më të natyrshme sesa mirënjohja e një bashkësie për një prijës mirënjohës?

Allahu i Lartësuar, duke u betuar, na shpjegon kështu: “Për besë, ju erdhi një i Dërguar nga mesi juaj që e brengosin vuajtjet tuaja, që shqetësohet për besimtarët, që është i butë e i mëshirshëm.” (Tevbe, 128)

Besnikëria ndaj Profetit tonë.

Dërgimi i Profetit tonë në botë, i ngarkuar me mesazhin hyjnor, sikurse përbën një ngjarje me rëndësi të gjithësishme, mund të shihet edhe si rilindja e njerëzimit. Me mesazhin e pashoq të Kuranit në duar, ai i solli botës një plan e projekt për një rend e rigjallërim të ri. Njerëzimi i detyrohet atij për shumë gjëra në çështje të fesë, të moralit, të dijes e të qytetërimit. Kush e di, sikur të mos kishte qenë ai, në ç’gjendje do të ishte njerëzimi? Shkurtimisht, me fjalët e Mehmet Akifit mund të themi se:

Bota për gjithë ç’ka, i detyrohet atij,

Borxh i ka bashkësia sikurse çdo njeri,

Në borxh është me të e gjithë kjo njerëzi,

O Zot, në mahsher na mblidh me këtë dëshmi!

Shokët e Profetit tonë, që jetuan në të njëjtën epokë me të, duke qenë se e kuptonin shumë mirë këtë madhështi të tij, qëndruan të lidhur me të plot besnikëri e respekt. Më shumë sesa për vete dhe për njerëzit e tyre të afërt mendonin për Të dhe viheshin në mbrojtje të Tij. Për shembull, gjatë hixhretit, pranë Hz. Ebu Bekrit nuk ishin familjarët e tij, madje as bija e tij 7-8 vjeçare, Aishja. Po kështu, edhe Hz. Omeri, gjatë hixhretit të tij, ishte vetëm dhe nuk kishte pranë as djalin e tij të vogël, Abdullahun. Nëse do të përshkruanim këtu të gjitha historitë e sahabëve, do të na duhej të zgjateshim shumë. Edhe në ruajtjen e Kuranit, në një mënyrë të ngjashme, ata që ndodheshin pranë tij tregonin shembujt më mbresëlënës të besnikërisë duke u munduar të transmetonin çdo fjalë e çdo sjellje të Profetit.

Edhe ata që erdhën pas sahabëve duhet të kenë treguar të njëjtin kujdes, përderisa krahas fjalëve e sjelljeve të përshkruara në shkrime e vepra, neve na kanë mbërritur gjer në ditët e sotme edhe shumë kujtime e amanete të shenjta. Vetëm prej një kohe të shkurtër, disa njerëz të pabesë, me një sjellje të përbuzshme ndaj haditheve dhe amaneteve të tjera, gati sa s’po bëjnë përpjekje që ato të harrohen. Mirëpo njerëzimi ende nuk duhet ta ketë humbur krejtësisht ndjenjën e besnikërisë që në anketat e kryera nga perëndimorët çdo dhjetë vite, Profeti ynë radhitet i pari me largësi të madhe nga personalitetet e tjera, si njeriu me ndikimin më të madh në shoqërinë njerëzore. Atyre që mundohen të punojnë për të kundërtën u këshillojmë që një orë e më parë të heqin dorë nga mbyllja e syve dhe të rendin drejt lumturisë në këtë botë e në botën tjetër. Ndërsa detyra që i mbetet umetit të Tij është që, duke shfaqur një mënyrë jetesë që i shkon për shtat Atij, të tregojnë edhe një herë besnikërinë ndaj Tij.

Besnikëria ndaj prindërve.

Njerëzit më të afërt për gjithkënd janë nëna dhe babai dhe si në çdo mirësi, e drejta e përparësisë u takon atyre. Ai që tregon mangësi në respektin ndaj tyre ka dalë kundër vetë Zotit. Për atë që i keqtrajton ata, herët a vonë, do të vijë dita që do të keqtrajtohet edhe vetë. Njeriu, që nga dita kur nis të ekzistojë si një gjallesë e vogël, gjithmonë zhvillohet e rritet nën përgjegjësinë e prindërve. Në këtë çështje është e pamundur që të matet thellësia e dashurisë dhe e mirësisë së tyre kundrejt fëmijëve, si dhe përmasat e vështirësive që ata kanë hequr për fëmijët. Në këtë këndvështrim, respekti dhe besnikëria ndaj tyre përbëjnë edhe një borxh njerëzor, edhe një çështje etike, edhe një detyrë. Kurani na e mëson këtë etikë përmes lutjeve të zgjedhura: “O Zoti ynë! Në Ditën e Llogarisë falmë mua, fali prindërit e mi dhe besimtarët!” (Ibrahim, 41). Që do të thotë se e para është individi vetë dhe pas tij vijnë prindërit. Në të vërtetë, kjo veçanti është shprehje e të qenit njeri, shprehje e stolisjes me ndjenja njerëzore. Pas hakut të Zotit, ajo ndaj së cilës duhet bërë kujdes është haku i prindërve. Respektimi i prindërve është vlerësuar me lëvdata, ndërsa sjellja e kundërt është llogaritur ndër mëkatet e mëdha. Po mjaftohemi duke sjellë vetëm përkthimin e disa ajeteve: “Ne i këshilluam njeriut prindërit. Nëna e tij e mbarti atë me vështirësi pas vështirësish. Ndarja prej gjirit, gjithashtu, u bë brenda dy viteve. ‘Mua dhe prindërve t’u jesh mirënjohës, sepse kthimi juaj është tek Unë’, këshilluam.” (Lukman, 14) “Zoti yt ka urdhëruar prerazi që të mos adhuroni tjetër veç Tij, që të silleni me mirësi ndaj prindërve. Nëse njërin prej tyre, ose të dy bashkë, i ka zënë pleqëria nën kujdesin tënd, atëherë mos u thuaj atyre as: “uf!” e “oh!”, as mos u trego i vrazhdë me ta, por thuaju fjalë të ëmbla. Dhe në shenjë bamirësie, shtrije përulësisht e me respekt dorën ndaj tyre dhe thuaj: “O Zoti im! Mëshiroji ata, sikurse më edukuan mua kur unë isha i vogël!” (Isra, 24)[4]

Njeriu, për aq sa tregohet besnik ndaj prindërve, tregohet besnik edhe ndaj Krijuesit të vet. Nëse dikush nuk ka respekt e besë ndaj prindërve, është shumë e vështirë që të bëhet fjalë për respekt ndaj Allahut. Në ditët tona, jo vetëm ata që nuk kanë respekt ndaj Allahut, por edhe ata që mëtojnë të duan Atë, sa respektues e besnikë ia dalin të tregohen, vallë, ndaj prindërve? E ç’i duhet thënë, vallë, atij biri që i sheh si ngarkesë e si të tepërt prindërit që për vite e vite me radhë, në kushtet më të vështira, e kanë mbajtur në gji, e kanë ushqyer pa u ushqyer vetë, e kanë veshur pa mundur të vishen vetë e i kanë ndenjur në krye pa gjumë netëve të gjata!

Besnikëria e bashkëshortëve.

Familja e shëndoshë, si guri i themelit të shoqërisë, është e lidhur me dashurinë, dhembshurinë e besnikërinë e ndërsjellë që duhet të shoqërojë marrëdhënien mes bashkëshortëve që nga dita e parë. Kjo përbën një ndër parimet e gjithësishme që ekziston në shkallë të ndryshme në të gjitha kulturat. Madje edhe në botën e kafshëve shpërfaqen sjellje që mund të vlerësohen në kuptimin e besnikërisë e të dhembshurisë mes bashkëshortëve. Pas vdekjes së bashkëshortit a bashkëshortes të hidhërohesh e të mbash zi, t’i ruash sendet e tij a të saj, të mos martohesh sërish për njëfarë kohe për hir të kujtimit të tij a të saj, të mos stolisesh, të mos shkosh në vende argëtimi e të mos dalësh nga shtëpia për njëfarë kohe, apo sjellje të tjera të ngjashme, janë të gjitha shprehje të besnikërisë mes bashkëshortëve. [5]

Allahu (xh.xh.) na thotë se bashkëshortët, gjatë nikahut, duhet të tregojnë besnikëri në premtimet që shkëmbejnë me njëri-tjetrin.”Nëse dëshironi të martoheni me një grua e të ndaheni nga një grua tjetër dhe kësaj të fundit i keni dhuruar një shumë të madhe, mos merrni mbrapsht prej saj asnjë send. A do t’ia merrni pa të drejtë e në mënyrë mizore atë çka ia keni dhuruar? E si mund t’ia merrni, kur njëri-tjetrit i jeni bashkuar e kur keni dhënë një besë të fortë?” (Nisa, 20-21) Në këtë rast, garancia është marrëveshja serioze e lidhur gjatë aktit të martesës (nikahut) me urdhrin e Allahut, me fjalën e Profetit dhe në prani të dëshmitarëve. Pa dyshim që në këtë marrëveshje, edhe mehri (dhurata martesore) është vënë nën garanci. Shtrati i përbashkët, besnikëria e ndërsjellë, respekti, dashuria, ruajtja e nderit dhe e pastërtisë, qëndrimi pranë njëri-tjetrit në çaste të lumtura e të vështira, mbështetja morale e materiale për njëri-tjetrin etj., janë të gjitha çështje që mbajnë në këmbë familjen dhe për të cilat jepet premtim i ndërsjellë. E pra, bërja e gjithçkaje të nevojshme për mbajtjen e këtyre premtimeve të dyanshme bën pjesë në detyrimet e përbashkëta të bashkëshortëve. Në ditët e sotme, kur besnikëria e dhembshuria mes bashkëshortëve ka rënë tej mase dhe për këtë arsye shumë familje përballen me rrezikun e shkatërrimit, madje në një kohë kur kjo çështje është kthyer në çështje parësore të rendit të ditës në shoqëri, është e thjeshtë të kuptohet se sa nevojë ndiejmë për besnikërinë në këtë drejtim.

Profeti ynë ka tërhequr vëmendjen në rëndësinë e kësaj çështjeje duke thënë: “Marrëveshja më e rëndësishme, kushtet e së cilës duhet t’i përmbushni pikë për pikë, është marrëveshja e martesës, e lidhur me bashkëshorten tuaj.”[6] Gjithashtu, Profeti ynë ka dhënë shembullin më të bukur të kësaj besnikërie në familjen e vet. Kështu, edhe pas vdekjes së bashkëshorteve të tij, ai është sjellë me respekt ndaj shoqeve e mikeshave të tyre, i ka nderuar ato dhe nuk i ka ndërprerë lidhjet. Për shembull, kur i vinte ndonjë dhuratë në shtëpi, thoshte: “Dërgojini edhe kësaj e asaj, sepse Hatixhja, sa ishte gjallë, i donte shumë”, dhe u dërgonte edhe atyre pjesë nga dhuratat.

Një ditë, një grua e moshuar erdhi pranë Tij. Profeti i dashur, për ta njohur, e pyeti se kush ishte. Kur ajo tha: “Unë jam Xhusame el Muzenije”, Profetit iu kujtua menjëherë dhe i bëri kompliment duke i thënë: “Ah, ti je Husane (e Bukura) el Muzenije!” Më pas u interesua për gjendjen e saj, e pyeti për shëndetin: “Ka kohë që s’shihemi, si keni qenë?” E moshuara iu përgjigj: “Tim atë e time më i bëfsha kurban për ty, o i Dërguar i Allahut! Mirë kam qenë.” Më pas, atyre që e pyetën se kush ishte ajo grua, Profeti i dashur u tha kështu: “Kjo grua shkonte e vinte te ne kur ishte gjallë Hatixhja.” T’i përmbahesh fjalës së dhënë në mënyrën më të bukur është pjesë e imanit.[7] Shihet se në të gjitha këto bëjnë pjesë fjala e dhënë gjatë aktit të martesës, si dhe ruajtja e interesimit dhe e lidhjeve me farefisninë, me bashkëshortët, me shokët e me miqtë; për më tepër, kjo gjendje është aq e rëndësishme saqë konsiderohet si pjesë e besimit.

[1] Veç kësaj, shih: Maide, 5/12, 70.

[2] Për njohuri më të zgjeruara, shih: Radi, Tefsiru’l-Kebir, III, 33-35.

[3] Veç kësaj, shih: Araf, 85; Hud, 84.

[4] Veç kësaj, shih: Bekare, 83, 180, 215; Nisa, 36, 135, Enam, 151; Lukman, 14; Merjem, 14; Ankebut, 8; Ahkaf, 15, 17.

[5] Shah Velijullah Dehleviu, veçanërisht për gruan gjatë periudhës së idetit, pohon se ajo tregon besnikëri nëse shpreh hidhërim, shmang stolisjen e të tjera si këto, ndërsa sjelljet e kundërta përbëjnë njëfarë mungese besnikërie. Shih: Huxhxhetullah el-Baliga, II, 449.

[6] Buhari, Shurut, 6, Nikah, 52; Muslim, Nikah, 63; Ebu Davud, Nikah, 39; Tirmidhi, Nikah, 31; Nesai, Nikah, 42; Ibn Maxhe, Nikah, 41; Musned, IV, 144, 150.

[7] Hakim, Mustedrek, Iman, 41 (I, 62)

Postime të ngashme