Agjërimi ia mëson njeriut durimin

Njëra nga dobitë e agjërimit është, pa dyshim, ta mësojë dhe ta stërvisë njeriun për të duruar. Me anë të agjërimit, njeriu merr mësime durimi, sepse po të uritet, nuk ha, po të etet nuk pi ujë, përballë të këqijave që mund t’i bëhen, duron duke thënë, “unë jam me agjërim”! Po qe se njeriut që rreh flatrat drejt Zotit të vet me duart, këmbët, gjuhën, buzët dhe veshët të lidhura, durimi i bëhet kalë fluturues, ai arrin të ketë nderin e fitimit të pëlqimit të Zotit.

Agjërimi ia mëson njeriut të përballojë shqetësimet

Gjendja e njeriut që bën një jetë të qetë mes gjithë të mirave, mund të mos vazhdojë e tillë gjithmonë. Mund të ndodhë që në një kohë krejt befasuese, nga një drejtim krejt i papritur, t’i bjerë mbi krye varfëria. Përballë një gjendjeje të tillë të papritur, duhet qenë i qëndrueshëm, duhet qenë qysh më parë i përgatitur për të mos u lëkundur, duhet përgatitur qysh më parë trupi për kohë të tilla. Ndërsa është i pasur, njeriu mund të falimentojë dhe të varfërohet, gjatë një fatkeqësie, mund ta humbë çdo gjë, gjatë një lufte, mund të përballet me shqetësime të ndryshme. Ja pra, për të mos rënë në gjendje të vështirë përballë shqetësimeve të tilla të ngjashme, për të mos rënë në pesimizëm, agjërimi pothuaj kryen një edukim qëndrese, e bën njeriun të durojë fizikisht mungesën e plotësimit të nevojave të detyrueshme si ushqimi, e përgatit për të përballuar një sërë shqetësimesh që mund t’i bien në kokë papritmas, e aftëson njeriun për të përballuar më lehtë mundimet dhe vuajtjet. Në të njëjtën kohë, agjërimi formon njerëz të përkryer dhe idealë që nuk përkulen para shqetësimeve dhe vuajtjeve, që e zotërojnë veten, që përballë premtimeve që mund t’i bëhen, kurrë nuk heq dorë nga parimet që i njeh për të drejta e të vërteta.

Agjërimi ia mëson njeriut rregullin dhe rregullsinë

Besimtari që agjëron, kryen një vetedukim rregulli dhe rregullsie. Ngrënia-pirja në kohë të caktuara dhe respektimi i ndalimit të ngrënie-pirjes në kohë të tjera të caktuara, kryerja më me vëmendje e namazeve duke qenë i agjëruar në krahasim me kohët e tjera jashtë agjërimit, ngritja në syfyr në të njëjtën kohë bashkë me besimtarët e tjerë, falja e namazit të teravive, etj. të gjitha këto janë shkaqe më vete që e mësojnë dhe e stërvisin njeriun me rregullin dhe rregullsinë. Kështu, duke e vlerësuar dhe përdorur kohën në mënyrën më të mirë, besimtari e disiplinon jetën dhe përfiton prej saj në kuptim të plotë të fjalës.

Postime të ngashme