Agjërimi ia kujton njeriut gjendjen e të varfrit
I pasuri që e kalon jetën me gjellët më të zgjedhura e luksoze, që kurrë në jetë s’ka mbetur i etur e i uritur, që nuk e ndjen aspak shqetësimin e urisë, që mbase nuk e di aspak se ç’është uria, agjërimi ia mëson se ç’do të thotë uri dhe etje duke e lënë të uritur e të etur në kohë të caktuara, pra, duke e detyruar ta mësojë këtë gjë duke e jetuar vetë. Kështu, i pasuri do ta kuptojë gjendjen e të varfrit, do ta njohë se sa e vështirë është për njeriun të mbetet pa ngrënë e pa pirë dhe do të vrapojë në ndihmë të nevojtarit. Një uri e kësaj forme, pra agjërimi, do të bëhet shkak që të pasurit të cilët kanë çdo lloj mundësie, ta kuptojnë gjendjen e njerëzve të varfër e nevojtarë, për pasojë ta ndryshojnë qëndrimin dhe sjelljen ndaj tyre, që tek të pasurit të marrin vrull ndjenjat qiellore, që të fryhet ndjenja e dhënies së ndihmës. Dhe kur të pasurit t’i shfaqin këto ndjenja, edhe te të varfrit zilia, smira dhe urrejtja ndaj të pasurve shuhen, lufta midis këtyre dy klasave qetësohet, në shoqëri sundon paqja. Për më tepër, disa lloj të varfërish bëhen ruajtës të pasurisë së të pasurve.
Për rrjedhojë, agjërimi na i nxit ndjenjat dhe emocionet edhe në këtë drejtim. Të pasurit gjejnë rastin t’i shohin “të tjerët”, ata që s’janë si ata. Ata kujtojnë këtë fjalë të Profetit: “Ai që është i ngopur, ndërsa fqinjin e ka të uritur, nuk është yni!”
Vetëm duke ndenjur i uritur, mund të kuptohet gjendja e të uriturit dhe vetëm duke ndenjur i etur, mund të kuptohet gjendja e të eturit. Edhe me këtë aspekt shohim se agjërimi në bazë të urdhrit të Zotit duke frenuar kërkesat dhe dëshirat tona dhe duke zbatuar urdhrat e Tij, duke e mësuar dhe stërvitur veten me privime, na bën ne shtyllë të përsosur të jetës sonë, pjesë të përsosur të një shoqërie të përsosur.