Sadakaja e Fitrit
Sadakaja që i është ngarkuar të japë çdo mysliman që i ka mundësitë gjatë muajit të Ramazanit për secilin prej pjesëtarëve të familjes së tij, quhet sadakaja e Fitrit. Në mesin e njerëzve kësaj i thuhet edhe “fitreja”. Në thelb sadakaja e Fitrit, që jepet me qëllimin për të përfituar sa më shumë nga begatia e muajit të Ramazanit, ka një fitim tejet të rëndësishëm në jetën e përtejme. I Dërguari i Allahut (paqja e Zotit qoftë mbi Të), teksa tregonte begatinë hyjnore të sadakasë dhe të ndarjes prej pasurisë për të tjerët, ka thënë kështu: “Nga një shkak i thjeshtë si ai i të dhënit dikujt një kafshatë bukë, një grusht hurma, apo diçka e ngjashme që mund t’i bëjë dobi të varfërit, Allahu vë në Xhennet tre persona: kryefamiljarin që urdhëron dhënien e lëmoshës, zonjën e shtëpisë që përgatit atë që do të jepet dhe shërbyesin që ia çon nevojtarit lëmoshën.” Urdhëresa për dhënien e sadakasë së Fitrit ka ardhur në vitin e dytë të mërgimit, së bashku me shpalljen detyrim të mbajtjes së agjërimit të Ramazanit. Në një prej haditheve të Tij Profeti ynë (sal’lallahu alejhi ues’sel’lem) ka bërë të ditur se sadakaja e Fitrit duhet dhënë për çdo mysliman, i lirë, skllav, mashkull apo femër. Mbështetur në këtë hadith, dijetarët Shafii, Maliki dhe Hanbeli, kanë thënë se sadakaja e fitrit është farz – detyrim. Ndërsa, sipas medhhebit Hanefi, ajo është uaxhip – domosdoshmëri. Ibni Abasi (radijallahu anh) thotë kështu në lidhje me urtësitë e sadakasë së fitrit: “I Dërguari i Allahut e ka urdhëruar sadakanë e fitrit, për ta pastruar agjëruesin nga sjelljet e kota e të shëmtuara dhe që të varfërit të kenë diçka për të ngrënë.” Nëse do të qëndrojmë te ky vlerësim i Ibni Abasit, sadakaja e fitrit është njëfarësoj si sexhdeja e gabimit në namaz; shërben si një shkas për faljen e gabimeve dhe mangësive që mund të kenë ndodhur gjatë mbajtjes së agjërimit përgjatë muajit të Ramazanit. Në të njëjtën kohë, sadakaja e fitrit kontribuon edhe në përforcimin e solidaritetit në mesin e shoqërisë. Dhe është mjaft i rëndësishëm, duke qenë se u mundëson edhe atyre që janë nevojtarë, që të paktën në ditët e Bajramit, të mund të përmbushin ndonjë prej nevojave të tyre dhe të mund t’u mundësojnë fëmijëve që ta ndiejnë edhe ata gëzimin e festës së Bajramit.