SALAVATET PËR TË DËRGUARIN FISNIK S.A.S
Tregon Ubej bin Ka’bi r.a: “I Dërguari i Allahut s.a.s, pasi kalonte dy e treta e natës, ngrihej dhe thoshte:
– “O njerëz, përmendeni Allahun, përmendeni Allahun; iu fry surit të parë, e fill pas tij do t’i fryhet edhe surit të dytë. Do të vijë edhe çasti i vdekjes bashkë me çastin kur do të bëhet gjykimi e juve do t’ju dorëzohet libri.”
Unë i thashë:
– “O Resulullah! Unë them shumë salavate e përshëndetje për ty; sa më shumë të them, aq më mirë është, apo jo?”
– “Thuaj sa të duash.”, – mu përgjigj ai.
– “Po nëse unë një të katërtën e lutjeve të mia ta veçoj vetëm për të të dërguar ty salavate, o i Dërguari i Allahut?”, – vazhdova unë ta pyesja.
– “Ti e di, por nëse bën më shumë, akoma edhe më mirë ka për të qenë për ty.”, – më tha ai.
– “Unë dua që të gjithë kohën e lutjeve ta ndaj vetëm për të të dërguar ty salavate dhe përshëndetje.”, – thashë unë. Atëherë i Dërguari i Allahut s.a.s më tha mua:
– “Atëherë të gjitha vështirësitë e tua do të marrin fund dhe do të të falet çdo mëkat.”[1]
[1] Tirmidhi, Sunen, 4/636 (2457)