I Dërguari i Allahut s.a.s i nxit besimtarët që ta përmendin Allahun xh.sh sa më shumë
E tregon Ebu Hurejreja r.a: “Një ditë Krenaria e Gjithësisë po shkonte për në Mekë. Kur mbërritën pranë një mali, të cilin e kishin quajtur Xhumdan, ai ndaloi dhe tha:
– “Kaloni Xhumdanin, sepse që këtej kanë kaluar edhe përmendësit para jush.” E kur e pyetën:
– “E kush janë këta përmendësit, çfarë janë ata, o i Dërguari i Allahut?”, – ai u dha atyre përgjigjen:
– “Ata që e përmendin shumë Allahun.”
Ndërsa, në një transmetim tjetër thuhet se ai ka thënë: “Janë ata që e kalojnë jetën duke e përmendur Allahun gjithë dashuri e pasion, përmendje që ka për t’ua lehtësuar barrën dhe në Ditën e Gjykimit do të dalin përpara Allahut fare të qetë e të çliruar.”[1]
Muadh bin Enesi r.a tregon se: “Një burrë i bëri të Dërguarit të Allahut s.a.s këtë pyetje:
– “Kush nga luftëtarët e ka shpërblimin më të madh e më të shumtë?” I Dërguari Fisnik i tha atij:
– “Ata që e përmendin më së shumti Allahun.” Kësaj here ai e pyeti sërish:
– “Kush nga robërit e mirë të Allahut e ka shpërblimin më të madh e më të shumtë?” I Dërguari i Allahut i dha atij prapë të njëjtën përgjigje:
– “Ata që e përmendin më së shumti Allahun.” Ai burrë të njëjtën pyetje e bëri edhe për ata që falin namaz, japin zekat dhe shkojnë në haxh, dhe për secilën nga pyetjet përgjigjja e të Dërguarit Fisnik s.a.s ishte po e njëjta:
– “Ata që e përmendin më së shumti Allahun.” Atëherë, Ebu Bekri r.a iu drejtua Omerit r.a:
– “O Eba Hafs! Të gjitha shpërblimet i morën ata që përmendin Allahun e për ne nuk mbeti asgjë.”, – dhe i Dërguari i Allahut pohoi: “Po, ashtu është.”[2]
Tregon edhe Abdullah bin Busri: “Erdhi një burrë tek i Dërguari i Allahut s.a.s dhe i tha:
– “O Resulullah, unë nuk po i përmbush dot të gjitha detyrimet e fesë islame. Më jep një këshillë, diçka që unë mund ta bëj medoemos.” I Dërguari i Allahut iu përgjigj atij:
– “Mos e lër kurrë pa e përmendur Allahun.”[3]
[1] Muslim, Sabib, 4/2062 (2676)
[2] Hejthemi, Mexhmeu’z-Zenaid, 10/71 (16748)
[3] Tirmidhi, Sunen, 5/458 (3375)