Namazet nafile

Namazet që falen jashtë farzeve dhe vaxhibeve quhen “namaze nafile”. Namazet nafile ndahen në dy grupe:

1) Nafilet të cilat janë të lidhura me namazet farze: Këto janë sunnetet të cilat falen para ose pas farzeve dhe namazi i teravisë, i cili falet gjatë netëve të Ramazanit, që njëkohsisht është sunnet muekkede.

2) Namazet nafile të cilat nuk janë të lidhura me namazet farze. Këto quhen edhe namaze mustehab apo mendub. Janë namaze që falen në disa kohë të ndryshme me qëllim që të fitohen sevabe. Disa nga këto janë: a) Namazi i duhasë-paraditës, i cili falet pasi të lindë dielli dhe pasi të kalojë koha e kerahetit. Mund të falet nga dy deri në dymbëdhjetë rekate. b) Namazi tehexhxhud është namaz që falet pas mesit të natës, nga dy deri në tetë rekate. c) Tehijjetul mesxhid është namaz prej dy rekateve i cili falet me rastin e vizitave të xhamive (nëse nuk është koha e kerahetit).

Përveç namazeve sunnet të pesë kohëve ka dhe namaze të tjera. Këto quhen namaze nafile. Janë namazet mustehab dhe mendub. Falja e këtyre namazeve është shumë e rëndësishme për forcimin e lidhjes me Allahun dhe dashurisë për Profetin. Gjithashtu këto namaze bartin me vete shumë sevape. Në një hadith kudsi, Allahu i Madhëruar thotë: Robi shpëton nga dënimi Im kur fal farzet ndërsa kur fal sunetet më afrohet më shumë.”

Asgjë nuk e afron [më shumë] robin me Mua se sa kryerja e asaj që unë ia kam bërë obligim atij (farze) dhe robi im vazhdon të më afrohet duke kryer vepra vullnetare (nafile) derisa Unë ta dua atë dhe kur ta dua, atëherë Unë do të bëhem veshi me të cilin ai dëgjon, syri me të cilin shikon dhe duart me të cilën kapë dhe këmbët me të cilët ecën. Kësisoj, ai dëgjon, shikon, rrok dhe ec përmes Meje”.

  1. a) Namazi Evvabin

Është një namaz i cili falet mes akshamit dhe jacisë. Namazi evvabin do të thotë namazi i atyre që pendohen dhe i mbështeten Allahut. Një namaz i përbërë nga gjashtë rekate ashtu siç mund të falet me një selam mund të falet dhe dy nga dy, me tre selame. Profeti (a.s) thotë: Ai që fal gjashtë rekate pas namazit të akshamit pa folur ndërkohë fjalë të këqija, ky adhurim është i barabartë për të me dhjetë vjet adhurim.”

  1. b) Namazi Duha

Namazi i duhasë, ndryshe i paradites, është një namaz mustehab i cili mund të falet duke filluar 45-50min pas lindjes së diellit deri kur dielli arrin pikën më të lartë. Mund të jetë dy, katër, tetë ose dymbëdhjetë rekatësh. Më e mira është të falim tetë rekatë. Nga Profeti (a.s) transmetohet se ai person i cili fal dymbëdhjetë rekate në kohën e duhasë, lajmërohet se Allahu do t’i ndërtojë një shtëpi në xhennet.

  1. c) Namazi Tehexhud (i Natës)

Namazi tehexhud është një namaz i cili falet pasi kemi fjetur pak deri para agimit (imsakut). Është një nga namazet që Profeti (a.s) nuk e ka lënë kurrë. Profeti ynë (s.a.s) pasi falte jacinë binte të flinte pa falur vitrin, ngrihej nga mesi i natës dhe pasi falte namazin tehexhud falte dhe vitrin dhe më vonë kur hynte koha e sabahut falte sunnetin e sabahut. Nata e cila kalon me tehexhud është si një projektor që ndriçon jetën tjetër. Gjithashtu, gjallërimi i shpirtrave është i lidhur me gjallërimin e netëve.

  1. d) Namazi Tesbih

Namazi tesbih është namazi më i madh i pendimit, faljes dhe bëhet me gjithë trupin. Profeti (s.a.s) duke dashur t’i dhurojë diçka xhaxhait të tij, Abasit, e ka këshilluar të falë këtë namaz.

Dëgjo xhaxha, a do të mësosh diçka nga e cila të kesh dhjetë dobi, nëse e bën këtë Allahu të të falë dhjetë lloje mëkatesh, të parin apo të fundit, të ri apo të vjetër, të vogël apo të madh, të bërë me dëshirë apo pa dëshirë, fshehtazi apo haptazi”.

Namazi tesbih është një namaz i përbërë nga katër rekate. Në çdo rekat lexohet 75 herë “Subhanallahi uel hamdu lil’lahi ue la ilahe il’lallahu uallahu ekber’.

Në rekatin e parë pas Subhanekes dhe në rekatin e dytë para Fatihas lexohet 15 herë.

Pas leximit të sures pas Fatihas lexohet 10 herë.

Në ruku pasi themi tri herë “Subhane rabbijel adhim”, lexohet 10 herë.

Kur ngrihemi nga rukuja 10 herë.

Në sexhden e parë pasi themi tri herë “Subhane rabbijel a’la’e lexojmë 10 herë.

Kur ngrihemi nga sexhdja 10 herë.

Herën e dytë kur biem në sexhde e lexojmë 10 herë pasi themi tri herë “Subhane rabbijel a’la”.

Në këtë mënyrë në çdo rekat lexohet 75 herë fjalia ‘Subhanallahi…’. Në fund të rekatit të dytë japim selam por mund edhe të ngrihemi në rekatin e tretë dhe ta falim me një selam. Rekati i tretë dhe i katërt falen njëlloj si rekati i parë dhe i dytë. Kështu në katër rekate lexojmë 300 herë fjalinë e tesbihut.

Këtë namaz duhet ta falim të paktën një herë në jetë. Ata të cilët nuk dinë si ta falin, mund ta falin atë me xhemat. Imami duhet të lexojë me zë tesbihet në çdo vend. Ndërsa xhemati dëgjon.

  1. e) Tahijjetul Mesxhid

Është namazi nafile prej dy rekatesh që falet kur hyn për herë të parë në një xhami. Tahijjetul mesxhid do të thotë përshëndetja e xhamisë, respektimi i saj, por në të vërtetë vjen në kuptimin e respektit dhe nderimit ndaj Allahut (xh.sh). Prandaj dhe Profeti ynë (s.a.s) na ka urdhëruar duke thënë: Nëse ndonjëri prej jush hyn në xhami, në fillim le të falë dy rekate namaz.”

  1. f) Namazi i nevojës (Haxhet)

Ai njeri i cili ka ndonjë shqetësim, problem apo hall, merr abdes dhe fal dy rekatë namaz, pastaj lutet kështu:

‘O Allah të lutem Ty dhe kërkoj prej Teje, të drejtohem Ty me ndihmën e të Dërguarit Tënd, Muhamedit (a.s). O Allah të drejtohem Ty për të më shpëtuar nga ky shqetësim. Bëj të mundur dhe shefaatin e Profetit tonë.”

Namazi i haxhetit mund të falet me katër ose me 12 rekate. Nëse falet me katër rekate, në rekatin e parë pas Fatihas lexohet Ajetul Kursi, ndërsa në tre rekatet e tjera pas Fatihas lexohen suret Ihlas, Felek dhe Nas. Ai person që e fal këtë namaz bën lutjen pas namazit dhe ia transmeton dëshirën Zotit të gjithësisë.

  1. g) Namazi i Istihares

Istihare do të thotë “të kërkosh më të mirën, më të vlefshmën”. Kur njerëzit duan të vendosin apo të zgjedhin rreth diçkaje, ndonjëherë për shkak të mundësive të munguara që u janë dhënë në dorë, ndonjëherë aplikojnë rrugë të ndryshme për të kuptuar se cila zgjedhje është më e mirë për ta në këtë jetë dhe për jetën tjetër. P.sh., në kohën kur Profetit a.s. kishte filluar t’i zbriste shpallja, arabët shihnin fall para se të udhëtonin për të parë se çfarë gjëje të dobishme apo të padobishme mund t’i sillte ai udhëtim. Profeti (s.a.s) e ka hequr atë zakon dhe në vend të tij ka sjellë namazin e istihares duke na urdhëruar: “Kur ndonjëri prej jush bën nijet të bëjë diçka, atëherë le të falë dy rekate namaz jashtë namaze farz dhe të lutet kështu:

O Allah, duke u mbështetur tek dituria Jote, kërkoj të më japësh më të mirën dhe të më japësh forcë. Të lutem, më mëshiro me begatinë Tënde! Unë nuk e di, por Ti e di, unë nuk kam fuqi ndërsa Ti je i Plotfuqishëm. O Allah! Nëse puna që do të bëj do të jetë e hajrit për fenë, jetën dhe të ardhmen time, të lutem caktoje dhe ma lehtëso, më dhuro begati! Nëse është e dëmshme dhe e padobishme për fenë, jetën dhe të ardhmen time, largoje nga unë! Më jep më të mirën dhe më fal lumturi.” Pas kësaj personi lutjeje shpreh dëshirën e vet.

Nëse lutja bëhet në mënyrë të sinqertë, atëherë lindë shpresa për gjënë e mirë dhe zemra rilind bashkë me shpresën. Nëse njeriu në fund të istihares ndjen një lehtësim dhe qetësi, atëherë kjo interpretohet se do të jetë diçka e mirë, por nëse ndjen shqetësim dhe nuk është i qetë, interpretohet se nuk është diçka e dobishme për të. Allahu (xh.sh) u jep një shenjë atyre të cilët e falin namazin e istihares në qetësi dhe më pas bien të flenë. Nëse nuk arrin ndonjë rezultat në herën e parë, atëherë përsëritet tri deri në shtatë herë. Lutja mund të lexohet në gjuhën arabe por mund të lexohet dhe përkthimi i saj në gjuhën e lutësit.

Postime të ngashme