Kazaja e namazeve

Falja e një namazi në kohë emërtohet “eda” (kryerje, plotësim), falja pasi t’i ketë kaluar koha, “kaza”. Namazi i pafalur dot në kohë cilësohet “faite”, që do të thotë namaz i pakapur dot në kohën e vet. Përdorimi i këtij termi për ta cilësuar namazin e pafalur dot në kohë është një zgjedhje me vend për ta bërë myslimanin ta ndjejë idenë se një besimtar nuk e lë namazin pa falur me qëllim, se ai i fal namazet në kohë, mirëpo namazi mund t’i ketë ikur për shkaqe jashtë vullnetit të tij, si gjumi, harresa, etj.

Shkaqet

I Dërguari i Allahut paqja qoftë mbi të shprehet kështu në lidhje me këtë çështje: “Po qe se ndonjërin nga ju e zë gjumi ose harron dhe, prandaj, nuk e fal dot një namaz në kohë, ta falë kur t’i kujtohet dhe koha kur do ta falë (pasi t’i kujtohet), është (quhet) koha e namazit të kapërcyer (të ikur dore)!”

Kazaja e namazit të pesë kohëve, i cili nuk është falur në kohën e vet, është farz, kurse kazaja e namazit të vitrit është vaxhib. Namazet sunet, si rregull, nuk bëhen kaza. Megjithëkëtë, në qoftë se bashkë me farzin e sabahut nuk është falur edhe suneti i tij, bëhet kaza bashkë me farzin po atë ditë gjatë intervalit kohor pas lindjes së diellit dhe të daljes së kohës kerahet, gjer në mesditë kur dielli të jetë në zenit.

Meqë falja e namazit është një farz që duhet kryer në kohë të caktuara, mosfalja e një namazi në kohë pa justifikim duke e lënë për kaza është mëkat i madh dhe kazaja nuk e mënjanon këtë mëkat. Kazaja e namazit të lënë pa falur e mënjanon mëkatin e lënies pa falur, por nuk e mënjanon mëkatin e lënies për ta falur pas kohës së vet. Për këtë duhet pendim dhe pendesë e veçantë.

Mbetja ose lënia me një justifikim legjitim e një namazi për kaza nuk përbën mëkat. Frika nga armiku ose frika se mos largimi i mamisë nga gruaja që ka për të bërë lindje, bëhet shkak që lindja të bëhet në mungesë të asistencës së mamisë dhe gruaja ose fëmija të dëmtohen, janë justifikime legjitime. Kështu, në Luftën e Hendekut, Profeti paqja qoftë mbi të i pati shtyrë namazet.

Detyrimi i namazit për femrat lehona ose me të përmuajshme, bie. Pra, jo vetëm që nuk kërkohet nga femrat në këto gjendje të falin namaz, por nuk kërkohet as që ato t’i bëjnë kaza namazet e pafalura në këto gjendje.

Në situatat e çrregullimeve psikiatrike, asfiksisë dhe komës që vazhdojnë gjatë gjithë pesëkohëshit të namazeve ose edhe më tej, detyrimi i namazit bie.

Personi që hyn në Islam ndërsa ndodhet në një shoqëri joislame, pra, në një vend jomysliman, konsiderohet i justifikuar gjersa të mësojë se namazi është farz dhe se si duhet falur. Në kushte të tilla, mosnjohja e hollësive të disa urdhrave dhe ndalimeve pranohet si justifikim.

Falja e namazeve kaza

Namazi i mbetur për kaza, bëhet kaza në po atë formë siç do të duhej të falej në kohën e vet. Për shembull, personi në udhëtim që i mbetet pa falur një namaz me katër rekate, edhe po ta bëjë kaza këtë namaz duke vazhduar të ndodhet në udhëtim, edhe po ta bëjë kaza pasi të kthehet në vendbanimin e vet (pasi t’i marrë fund gjendja e udhëtimit), do ta falë kaza me dy rekate siç do ta falte në udhëtim në kohën e vet. Gjithnjë sipas kësaj mendësie, edhe personi që e fal kaza gjatë udhëtimit një namaz prej katër rekatesh të një kohe dhe kushtesh normale, të mbetur pa falur, pavarësisht se ndodhet në udhëtim, do ta falë me katër rekate siç do ta falte në kohën e vet dhe në kushte normale.

Personi që ka shumë namaze kaza, për shembull, personi që e ka filluar namazin në moshë të shkuar, duke u nisur të falë kaza namazet e kaluara, mund të bëjë nijet kështu: “… bëra nijet të fal namazin e sabahut të parë (drekës së parë, ikindisë së parë, akshamit të parë, jacisë së parë) që e arrita në kohë por s’e fala dot”; por mund të bëjë nijet edhe kështu: “… bëra nijet të fal namazin e sabahut të fundit që e arrita në kohë por s’e fala dot.” Kështu, në një farë mase, e bën të qartë se cilin namaz po fal kaza.

 

Postime të ngashme