Dhembshuria e nënës dhe dy vajzat e saj të vogla
Një prej ndjenjave më të bukura që Zoti i Lartësuar ka vendosur në zemrën e nënës është dhembshuria. Nëna mund të thuhet se është simbol i dhembshurisë dhe mëshirës. Ajo do të bënte gjithçka për t’i parë të vegjlit e saj të gëzuar, të lumtur, duke mos u munguar atyre asgjë e rëndësishme në jetë. Këtë ndjenjë apo emocion, femra e përsos më tepër kur ajo bëhet nënë dhe thuajse çdo gjë ndryshon në botën e saj. Është tepër interesante, se si kjo ndjenjë e natyrshme që gjendet në zemrën e nënës, mund të bëhet shkak që ajo të fitojë Xhenetin. Kushedi se sa e sa nëna e fitojnë Xhenetin dhe kënaqësinë e Zotit në sajë të kësaj ndjenje. Numrin e tyre mund ta dijë vetëm Krijuesi.
Një ngjarje e tillë, që vendos në thelb dhembshurinë dhe mëshirën e zemrës së nënës, na transmetohet nga Hz. Aishja, bashkëshortja e Profetit Muhamed (s.a.s.). Pranë saj kishte ardhur një nënë bashkë me dy vajzat e saj të vogla dhe po kërkonin nga ajo diçka për të ngrënë. I vetmi ushqim që gjendej në ato çaste në shtëpinë profetike, ishin vetëm tri kokrra hurme. Hz. Aishja ia ofron ç’ka kishte, pra tri kokrrat e hurmës, kësaj nëne që gjendej në një pozitë të vështirë.
Nëna i jep nga një kokërr dy vajzave të saj të vogla dhe ato i hanë menjëherë ato. Në çastin që u mat të fuste njërën kokërr në gojën e saj, për të thyer sadopak urinë e madhe, atëherë shikimet dhe duart e vajzave u drejtuan drejt saj, duke dashur kokrrën e saj të hurmës. Atëherë, nënës nuk ia bën zemra ta hajë vetë pjesën e saj, por e ndan hurmën përgjysmë dhe ia ofron vajzave të saj, duke mbetur kështu vetë pa ngrënë. Kjo ngjarje e çuditi, madje e mahniti nënën e besimtarëve. Një gjest i tillë ishte vërtet i veçantë dhe s’mund të mbetej pa lënë gjurmë në shpirtin e saj.
Kur u kthye në shtëpi i Dërguari i Allahut, ajo vendosi t’ia shpjegojë ngjarjen dhe ta pyesë atë se cila ishte gjendja e asaj gruaje tek Zoti i Gjithësisë. Profeti (a.s.) i tha: “Zoti ia fali asaj Xhenetin për shkak të mëshirës që ajo tregoi me vajzat e saj.” E pra, një hurmë që nuk ishte as e saja në fillim, por e dhuruar nga dikush tjetër, u bë shkak që ajo të fitojë Xhenetin. Por më tepër sesa hurma, ishte mëshira dhe dhembshuria në zemrën e saj. Profeti i mëshirës thotë: “Kush nuk mëshiron, s’do të mëshirohet.”