Ç’do të kërkoje nga i Dërguari i Allahut (s.a.s.)?
Profeti (a.s.) kishte shkuar të vizitonte një nomad dhe ai e kishte mirëpritur në shtëpinë e tij. Nomadi kishte shfaqur respekt të lartë për Profetin (a.s.) dhe kjo e fundit e kishte gëzuar shumë të Dërguarin e Allahut. Sigurisht, ai s’mund të largohej nga ai vend pa i shprehur falënderim për çdo gjë që ai kishte bërë dhe ndër të tjera i tha: “Kur të vish në Medine, mos harro të na e kthesh vizitën”.
Pas ca kohësh, nomadi shkon dhe e viziton të Dërguarin e Allahut. Ai e respekton siç e kishte për zakon të bënte me miqtë e tij, por s’mjaftohet me kaq dhe i thotë atij: “Kërko diçka prej meje”. Me fjalë të tjera, është si të thuash, shpreh një dëshirë dhe ajo do të të plotësohet. Njeriu i shkretëtirës i tha: “Dua një deve bashkë me kapistallin e saj dhe disa dhi, të cilat mund t’i mjelë familja ime.” Profeti (a.s.) e përsëriti sërish pyetjen e tij dhe nomadi u përgjigj sërish njësoj, “dua një deve bashkë me kapistallin e saj dhe disa dhi, të cilat mund t’i mjelë familja ime.”
Profeti (a.s.) i tha atij njeriu: “A nuk ishe i zoti të kërkoje aq sa kërkoi nga Musai e moshuara e Beni Israilëve?” Të gjithë të pranishmit po qëndronin në heshtje, sepse askush nuk e dinte për çfarë bëhej fjalë. Ata e pyetën: “O i Dërguar i Allahut, si është ngjarja me të moshuarën e Beni Israilëve?” Ngjarja vazhdon si në vijim.
Teksa Musai dhe ndjekësit e tij ishin duke ecur në shkretëtirë për të shkuar nga Egjipti për në Sham, ata humbën rrugën e tyre. Kjo gjë e çuditi Musain dhe për këtë pyeti njerëzit e ditur në mesin e Beni Israilëve, ndoshta ata do ta kishin një përgjigje. Ata i thanë se e dinin arsyen e humbjes së tyre në shkretëtirë. Ata i kishin dhënë fjalën profetit Jusuf se nuk do të largoheshin nga Egjipti pa marrë me vete edhe eshtrat e tij. Ata e kishin thyer këtë fjalë, prandaj tani kishin humbur rrugën të gjithë së bashku. Gjithashtu, ata i thanë Musait se varrin e Jusufit e dinte vetëm një grua e moshuar dhe kështu, gjetja e varrit varej nga ajo.
Musai kërkoi që t’ia sillnin atë grua pranë tij dhe ai të fliste me të në lidhje me këtë çështje. Kur erdhi, ajo e pranoi se e dinte vendin e varrin, por mund t’ia tregonte këtë vetëm nëse i përmbushej kushti që ajo kishte vendosur. Musai i tha: “Cili është kushti yt?” Ajo iu përgjigj: “Dua të jem me ty në Xhenet!” Sipas transmetimeve, Musait nuk i pëlqeu kjo kërkesë e të moshuarës, sepse ai as nuk zotëronte çelësat e Xhenetit dhe sërish, s’mund të vendosej një kusht kaq i madh vetëm në këmbim të një informacioni. Por Zoti i shpalli atij që t’ia plotësonte kushtin asaj gruaje dhe kështu ata zbuluan varrin e Jusufit. Më pas rruga u ndriçua për ta dhe kështu vazhduan në udhëtimin e tyre.
Kjo ngjarje është e mahnitshme, sepse na tregon synimet e larta që duhet të ketë besimtari në fenë e tij. Ai duhet të dëshirojë gjithnjë atë që është më e lartë, më e bukur dhe më e mirë. Synimi i tij kryesor nuk duhet të jetë një sasi e caktuar e kënaqësive të kësaj bote, por gradët e larta që mund të fitojë në botën tjetër. Ky është mësimi më i rëndësishëm që Profeti (a.s.) na jep me këtë ngjarje të njeriut të shkretëtirës, i cili nuk arriti dot të kërkonte prej tij as sa e moshuara në kohën e Musait (a.s.). Kërko prej Zotit tënd të mirat e kësaj bote, por mos harro që mirësitë e përjetshme gjenden në botën tjetër.