DISPOZITAT E SADAKATU-L-FITRIT

“Sadakatul-fitri” ose  “zekatul-fitri” është një adhurim material, të cilin e kanë detyrim ta zbatojnë myslimanët që zotërojnë pasuri në nivel të nisabit (sasi kjo që mjafton sa për nevojat ditore e më shumë), si dhe personat që kanë dikë nën kujdestari të tyre e që e arrijnë Bajramin e Ramazanit. Si dispozitë islame, “sadakatul-fitri” është e kategorisë së detyrimit – vaxhib. Abdullah Ibn Omeri tregon:

فرضَ رسول الله صلى الله عليه و سلم زكاةَ الفطرِ من رمضانَ على الناسِ صاعًا من تمرٍ  أو صاعًا من شعيرٍ  على كلِّ حرٍّ أو عبدٍ  ذكرٍ أو أنثى من المسلِمين.

“Profeti a.s. e ka caktuar për detyrim sadakatul-fitrin për ramazan një sa’a (masë matjeje ushqimi) hurma, ose një sa’a elb për person të lirë apo skllav, mashkull apo femër nga myslimanët!”

Ngjashëm me këtë, Ibn Abasi transmeton hadithin e Profetit a.s., në të cilin ka thënë:

فرض رسولُ اللهِ صلى الله عليه و سلم زكاة الفطرِ طُهرَةً للصائمِ من اللغوِ و الرفثِ و طُعْمَةً للمساكينِ من أدَّاها قبلَ الصلاةِ فهي زكاةٌ مقبولَةٌ و منْ أدَّاها بعدَ الصلاةِ فهيَ صدقةٌ منَ الصدقاتِ.

“Profeti a.s. e bëri detyrim zekat (sadakatul) fitrin pastrim për agjëruesin për fjalët e këqija, dhe ushqim për të varfrit, andaj kush e jep para namazit (të Bajramit) ajo është sadaka e pranuar, e kush e jep pas namazit, konsiderohet sadaka e rëndomtë!” (Transmeton Ebu Davudi)

Në një hadith tjetër thuhet kështu: “Jepeni sadakanë e fitrit për njerëzit për të cilët kujdeseni.”

Sadakatul-fitri është bërë detyrim vitin e dytë të Hixhretit, atëherë kur është bërë farz agjërimi i muajit të Ramazanit.

Kjo dhënie e detyrueshme e myslimanëve gjatë muajit të Ramazanit është një adhurim përmes të cilit myslimani i afrohet Allahut xh.sh. Me të falënderon Krijuesin e Lartësuar për dhuntitë e jetës dhe të trupit, jo vetëm për të, por edhe për familjarët e tjerë ose ata që i ka nën kujdesin e tij. Ajo është gjithashtu edhe falënderim ndaj Allahut të Gjithëmëshirshëm që ua mundësoi plotësimin e agjërimit gjatë muajit të Ramazanit. Nga ana tjetër, për myslimanët që kanë agjëruar, sadakatul-fitri është një plotësim i mangësive të këtij adhurimi dhe pastrim i gjërave të pahijshme që mundet t’i kenë ndodhur agjëruesit.

Postime të ngashme