Si ta organizojmë ditën tonë në përputhje me rregullat e Islamit?

Allahu nuk dëshiron prej nesh që ta braktisim këtë botë dhe as ahiretin. Allahu dëshiron prej nesh që në rrethin e të lejuarës që Islami ka përcaktuar, t’i bëjmë detyrimet tona të kësaj bote pa i lënë pas dore dhe po në të njëjtën kohë, të kryejmë plotësisht detyrën tonë si robër para Zotit, duke e adhuruar Atë.

Nëse jemi në këtë vijë, Islami na përgëzon se madje edhe orët që kalojmë në gjumë, do të regjistrohen për ne si adhurim.

Në Islam ka leje që për një kohë të shkurtër, specifikisht itikifafi që bëhet në fund të Ramazanit, që njeriu të veçohet në adhurim, me synimin që të edukojë nefsin dhe të bëjë vetëllogarinë, por nuk ka leje që njeriu të izolohet tërësisht nga shoqëria, të mos formojë familje, ta kalojë jetën krejt i vetëm, edhe nëse ai pretendon që do të bëjë adhurim gjatë gjithë kohës.

Islami është larg çdo ekstremi, në të gjitha dimensionet e tij dhe dëshiron që ne të jemi në rrugën e drejtë (të mesme).

Bazuar në këto shpjegime, një mysliman mund ta bëjë organizimin e ditës së tij në formën e mëposhtme:

Fillimisht, duhet të përpiqet që t’i falë të pesta kohët e namazit me xhemat dhe kjo është shumë e rëndësishme. Përveç kësaj, falja qoftë edhe e dy rekateve namaz nate, do t’i sillte njeriut përfitime të mëdha shpirtërore dhe përfitime të mëdha në botën tjetër.

Çdo ditë, duke përzgjedhur këtu sipas mundësive kohën para ose pas namazit të jacisë, qoftë edhe për një orë të vetme, të lexojë Kuran, interpretim Kurani, jetën e Profetit, ilmihal dhe të meditojë fort mbi mësimet që i forcojnë atij besimin.

Gjërat që kemi përmendur deri këtu marrin mesatarisht dy orë kohë të ditës sonë. Të mos thotë askush që nuk ka mjaftueshëm kohë për t’i bërë këto gjëra dhe nëse thotë, atëherë le ta pyesë veten;

A nuk merr pushim gjatë punës për të pirë një kafe apo çaj? Njeriu s’mund të përzgjedhë këto gjëra para namazit të tij.

A nuk sheh në shtëpi aspak televizor? Sërish s’mund ta zgjedhë një argëtim të tillë para adhurimeve të tij.

Përveç kohës që ndajmë për adhurim, sigurisht një kohë të konsiderueshme të ditës e kalojmë duke punuar. Sigurisht, edhe koha që kalojmë në punë mund të kthehet në adhurim në bazë që nijetit tonë.

Njeriu ndan kohë gjatë ditës së tij edhe për t’u kujdesur për familjen dhe kjo s’duhet neglizhuar nga askush. Profeti (a.s) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që është më i mirë me familjen e tij.”

E gjithë dita e besimtarit, pavarësisht angazhimeve të tij, duhet të jetë produktive dhe në përputhje me rregullat e Islamit. Ai duhet të ketë një ndikim pozitiv te njerëzit nëpërmjet shembullit të tij. Kjo e fundit realizohet duke vendosur një balancë mes kësaj bote dhe botës tjetër.

Postime të ngashme