Kuptimi mbi zhvillimin
Jeta e njeriut fillon nga një qelizë e vetme, nga bashkimi i spermatozoidit me vezën. Për të arritur deri tek njeriu i rritur, organizmi duhet të shtojë me miliarda qeliza të reja. Shtimi i qelizave bëhet nëpërmjet ndarjes së qelizës mëmë në dy qeliza bija. Këto të fundit ndahen përsëri në dy të tjera dhe në këtë mënyrë qelizat shtohen në progresin gjeometrik, si pasojë vëllimi i indeve dhe i organeve rritet dhe shkon deri në 60 miliard qeliza te njeriu i rritur.
Në disa inde procesi i ndarjes dhe i shtimit të numrit të qelizave vazhdon gjatë gjithë jetës, kështu ndodh me eshtrat e thyera. Mirëpo ka inde, që pasi kanë arritur të formojnë strukturën e tyre, nuk e realizojnë më rritjen me anë të shtimit të numrit të qelizave, por nëpërmjet rritjes së vëllimit të tyre, pikërisht kjo është rruga që ndjekin indet dhe organet më të perfeksionuara të organizmave të gjalla.
Truri i një fëmije të porsalindur peshon sa 1\8 e trurit të një të rrituri, por ka të njëjtin numër qelizash me atë të të rriturit. Zemra e të porsalindurit është sa 1\6 e zemrës së një të rrituri, por numrin e qelizave e kanë të barabartë. Muskujt e një sportisti kanë vëllim më të madh se muskujt e një bashkëmoshatari që nuk merret me sport, megjithatë numrin e qelizave dhe të fijeve muskulore e kanë të njëjtë.