Vendi i namazit të xhumasë në fé dhe konkluzioni

Namazi i xhumasë është farz ajn, domethënë, njëlloj i detyrueshëm për çdo njeri. Detyrueshmëria e namazit të xhumasë është e fiksuar me Kuran, Sunet dhe mendimin e njëzëshëm të autoriteteve (ixhma). Sureja e 32-të e Kuranit, meqë flet për namazin e xhumasë, është emërtuar “Surja Xhuma”. Në këtë sure, Allahu i Lartë ka urdhëruar kështu: “O ju që keni besuar! Kur të thirreni ditën e xhuma për namaz, vraponi për ta përmendur Allahun (për namaz) dhe lëreni shitblerjen. Po ta dini, kjo është më e mbarë e më e dobishme për ju! Pasi ta falni namazin, shpërndahuni nëpër tokë dhe kërkoni favoret e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun që të gjeni kënaqësi!” (el-Xhuma, 62/9-10)

Namazi i xhumasë është një namaz farz i përbërë prej dy rekatesh dhe falet ditën e xhuma në kohën e drekës. Mbajtja e hutbes nga hatibi para faljes së namazit të xhumasë është një ndër kushtet e vlefshmërisë së këtij namazi. Namazi i xhumasë zë vendin e namazit të drekës së asaj dite.

Kushtet e namazit të xhumasë

Duhet të plotësohen një sërë kushtesh të caktuara që namazi i xhumasë të mund të bëhet farz. Këto kushte janë dy llojesh: a) kushte domosdoshmërie; b) kushte vlefshmërie. Kushtet e domosdoshmërisë kanë të bëjnë me përgjegjësinë e faljes së namazit të xhumasë, kurse kushtet e vlefshmërisë kanë të bëjnë me vlefshmërinë e namazit të falur të xhumasë. Këto të fundit quhen edhe kushtet e kryerjes së namazit të xhumasë.

Kushtet e domosdoshmërisë së namazit të xhumasë

Që namazi i xhumasë të bëhet farz për një person, ky duhet të plotësojë këto kushte:

a) Të jetë mashkull

Namazi i xhumasë është farz për meshkujt, por jo për femrat. Për këtë, të gjithë juristët janë të një mendimi. Por në qoftë se edhe femrat shkojnë në xhami dhe e falin namazin e xhumasë, ky namaz bëhet i vlefshëm për to, prandaj, në këtë rast, femrat nuk e falin namazin e drekës.

b) Të mos ketë të meta të justifikuara

Disa të meta e bëjnë normale (mubah) që personi të mos shkojë në namazin e xhumasë dhe për personin me të meta të justifikuara, namazi i xhumasë nuk është farz. Ndërkaq, po qe se persona në gjendje të tillë, megjithëse nuk e kanë farz namazin e xhumasë, e falin, namazi i tyre bëhet i vlefshëm, për rrjedhojë, atë ditë nuk falin namaz të mesditës.

Të metat kryesore të justifikuara që e bëjnë normale mosvajtjen në namazin e xhumasë, janë këto:

Sëmundja. Personi i sëmurë që ka frikë se po të shkojë në namazin e xhumasë do t’i shtohet ose zgjatet sëmundja, nuk e ka farz faljen e namazit të xhumasë. Të sëmurë konsiderohen edhe personat me pleqëri të rënduar që e kanë të vështirë të ecin. Ky konkluzion vlen edhe për kujdestarin e të sëmurit, i cili ka frikë se mos i sëmuri i tij keqësohet po qe se shkon në xhami për namazin e xhumasë.

Verbëria dhe gjymtimi. Sipas Ebu Hanifes, malikive dhe shafive, personi i verbër nuk e ka farz namazin e xhumasë edhe sikur të ketë dikë që ta shoqërojë për në xhami. Kurse sipas hanbelive, Ebu Jusufit dhe imam Muhamedit, i verbëri që ka dikë që ta shoqërojë për në xhami, e ka farz namazin e xhumasë. Sipas të gjithë dijetarëve, i verbëri që nuk ka asnjeri për ta shoqëruar në xhami, nuk e ka farz namazin e xhumasë. Namazi i xhumasë nuk është farz as për personin me këmbë të paralizuara, me këmbë të prera si dhe për personin ulok në shtrat.

Kushtet e papërshtatshme të motit dhe rrugës. Kushtet e shiut shumë të dendur, të motit shumë të ftohtë ose të nxehtë, të rrugës me baltë të rënduar, etj., të tilla që do t’i shkaktonin vështirësi ose dëm personit po qe se do të shkonte në xhami për namazin e xhumasë, e bëjnë mubah mosvajtjen e personit në namazin e xhumasë.

Frika. Namazi i xhumasë nuk është farz as për personin që ka frikë se po të shkojë në namazin e xhumasë do t’i rrezikohen pasuria, jeta ose nderi. Në këtë rast, mosvajtja e tij në namazin e xhumasë konsiderohet e justifikuar.

c) Të jetë person i lirë

Sipas shumicës së madhe të juristëve, personat jo të lirë, domethënë, skllevërit dhe robërit, nuk janë të ngarkuar me përgjegjësinë për ta falur namazin e xhumasë.

Për personat që ndodhen në burg nuk ka ndonjë pengesë për faljen e namazit të xhumasë përveç kushteve fizike dhe mungesës së disa mundësive. Që të burgosurit të mund të falin namazin e xhumasë, mund të kërkohet që të përgatiten kushtet fizike-materiale dhe të bëhen rregullimet e nevojshme. Kushti sipas të cilit vendi ku do të falet namazi i xhumasë duhet të jetë i hapur për të gjithë, nuk e përfshin burgun për shkak të pozitës së veçantë të tij.

d) Të jetë vendas

Sipas shumicës së madhe të juristëve, që namazi i xhumasë të jetë vaxhib duhet që ai person të jetë banues i vendit ku falet namazi i xhumasë. Prandaj, namazi i xhumasë nuk është farz për personat që konsiderohen fetarisht udhëtarë. Nuk ka ndonjë të keqe sikur të dilet në udhëtim ditën e xhuma para se të hyjë koha e namazit të xhumasë, por dalja në rrugë pasi të ketë hyrë koha e namazit të xhumasë dhe pa e falur namazin, është mekruh.

Postime të ngashme

%d bloggers like this: