Tri veprat më të vështira sipas Hazreti Aliut (r.a)

Transmetohet se Hz. Aliu (r.a) ka thënë:

“Veprat më të vështira janë tri: (1) T’u japësh njerëzve të drejtën e tyre para vetes tënde; (2) Të përkujtosh Allahun e Madhëruar në çdo kohë; (3) Ta lësh vëllain tënd të përfitojë nga pasuria jote.”

(Ebu Nuajmi, Hiljet el-Evlija, 1.85)

Si ta kuptojmë këtë shprehje të Hz. Aliut?

(1) T’u japësh njerëzve të drejtën e tyre para vetes tënde është e vështirë, sepse vetja e ulët (nefsi) është e prirur të kërkojë të drejtat e saj para të drejtave të të tjerëve dhe në disa raste mund t’i neglizhojë të drejtat e të tjerëve, duke përzgjedhur veten.

Nëse dikush mund ta tejkalojë këtë cilësi dhe të jetë prej atyre që është i gatshëm t’u japë njerëzve të drejtat që u takojnë, atëherë kjo është një shenjë e disiplinimit të nefsit dhe vërtetësisë së tij në kërkimin e kënaqësisë së Allahut. Kjo është diçka e vështirë dhe kërkon përpjekje shpirtërore (muxhahede) dhe autokritikë (muhasebe) të vazhdueshme. Profeti (a.s) ka thënë: “I zgjuar është ai që e merr në llogari veten dhe punon për atë që vjen pas vdekjes.” (Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe)

Hapi i parë për ta arritur këtë është të qenit i vendosur për t’i përmbushur të drejtat e të tjerëve. Së dyti, njeriu duhet të mësojë se cilat janë të drejtat që u përkasin të tjerëve. Kjo e fundit kërkon studim dhe përkushtim.

(2) Përmendja e Allahut në çdo kohë është çelësi i çdo mirësie. Edhe kjo është e vështirë sepse nefsi është i dhënë pas hutimit, shkujdesjes dhe shpeshherë largohet nga përmendja e Zotit. Nëse njeriu e përmend Zotin vazhdimisht, kjo është sërish shenjë e disiplinimit të nefsit dhe kthimit me sinqeritet drejt Zotit të tij. Kjo është arsyeja që Profeti (a.s) i tha personit i cili kërkonte ta përmirësonte edhe më shumë lidhjen e tij me Zotin: “Le të jetë gjuha jote vazhdimisht e lagur me përmendjen e Allahut.” (Tirmidhiu dhe Ibn Maxhe)

Çelësi i mbërritjes së kësaj cilësie është përcaktimi i dhikreve ditore, si leximi i Kuranit, përmendja e Allahut dhe salavatet për Profetin Muhamed (s.a.s). Veprat më të dashura tek Allahu janë ato që bëhen vazhdimisht, qofshin këto edhe të pakta. Profeti (a.s) na ka këshilluar që t’i shfrytëzojmë mirë tre kohë për këtë adhurim; mëngjesi i hershëm, pasditja e vonë dhe koha e fundit e natës. Pavarësisht këtyre, njeriu duhet të përpiqet ta përmendë Allahun sa më shumë; kur është duke ecur, kur është në makinë dhe sa herë t’i jepet mundësia. Kjo do t’i japë njeriut dritë, fuqi shpirtërore dhe kënaqësi të papërshkrueshme.

(3) Ta lësh vëllain tënd të përfitojë nga pasuria jote është sërish një nga veprat më të vështira, sepse nefsi është i prirur ta dojë pasurinë dhe nuk ka dëshirë ta ndajë atë që posedon me të tjerët. Kjo është arsyeja që fjala për lëmoshën (sadaka) vjen nga e njëjta rrënjë me fjalën sinqeritet (sidk). Profeti (a.s) ka thënë: “Sadakaja është provë (e besimit).” Është thënë se ajo është një provë që tregon dashurinë e vërtetë të besimtarëve për Zotin e tyre, sepse është shenjë e qartë e vetëdijes ndaj Zotit dhe besimit tek Ai.

Është e lehtë të thuash se i preferoj të tjerët para vetes, por është një vepër e vështirë për t’u praktikuar. Sidoqoftë, nëse njeriu e arrin diçka të tillë, kjo është një shenjë e përsosjes së besimit. Profeti (a.s) ka thënë: “Askush prej jush s’e ka përsosur besimin e tij, derisa të mos dojë për vëllain e tij atë që do për veten.” Më e larta e kësaj është të bëhesh prej atyre që përzgjedhin të tjerët para vetes, ashtu siç përshkruhet në Kuran: “Ata përzgjedhin të tjerët para vetes, edhe sikur të jenë vetë në nevojë.” Pas kësaj, Allahu na jep një sekret tjetër: “Dhe kush është i mbrojtur nga koprracia e vetes së tij, padyshim që ata janë të shpëtuarit.”

Postime të ngashme

%d bloggers like this: