Veçanërisht shpirtrat e vetëdedikuar që ia kanë dhënë zemrën shërbimit të Kuranit, duhet që t’i ruajnë kudo të pandryshuara horizontet e tyre të dashurisë dhe tolerancës. Ata nuk duhet të ndryshojnë qëndrim, e aq më pak që të ndërrojnë drejtim apo rrugë, as përballë sulmeve më të poshtra. Edhe nëse thyhen, nuk duhet të thyejnë kënd, edhe nëse preken, nuk duhet të prekin kënd. Sepse, në fund të fundit, ajo që është prekur është një zemër. Dhe zemra, përsa i përket realitetit të saj, është një fron potencial i të Gjithmëshirshmit.( Ibni Kaj’jim, el-Feuaid, fq. 27.)
Me fjalë të tjera, zemra është si një farë, e cila do të sjellë në jetë një pemë të tërë. Kësisoj, kjo vlerë kaq e lartë, që për disa njerëz është me të vërtetë si një farë, ngase nuk hidhet në tokë, e cila është edhe forca jetëdhënëse e saj, ngase nuk gjen dot atmosferën e nevojshme, ngase nuk përmbushen të gjitha kushtet e çeljes, ngase nuk përqafohet dot me rrezet e diellit, mund të mos e ketë treguar ende brendinë e pasur të saj. Mirëpo ju, nuk mund të tregoheni kurrsesi të paturp karshi një krijese kaq të lartë, të krijuar potencialisht enkas si projektim i fronit hyjnor në tokë.
Besimtari, njësoj siç dridhet e tmerrohet nëse sheh fëmijën e vet që është duke iu rrokullisur drejt zgripit të një humnere, po të njëjtën vuajtje duhet të ndiejë edhe për njerëzit që bartin të tilla veçori të këqija, e kështu të përpiqet që t’i udhëzojë ata duke i këshilluar dhe paralajmëruar që të priren kah vlerat që ai vetë përfaqëson.
Zoti na bëftë të jemi prej atyre që shfaqin sjellje prej njerëzish me karaktere të larta edhe përballë situatave më të pakëndshme dhe të papëlqyeshme, prej atyre besimtarëve të vërtetë që e kanë përthithur Islamin ashtu siç duhet!..